
Arben Çejku/
Përfundova së lexuari romanin – monografik “Eleganca e lotëve”, të autores Iris Halili, i cili sjell një kontribut esencial në prozën moderne shqipe dhe një histori realiste nga e kaluara diktatoriale e Shqipërisë. Në qendër të rrëfimit të jashtëzakonshëm janë personazhe reale, të cilat kanë formësuar memorien e autores, por njëkohësisht përfaqësojnë simbolikisht edhe jetën e vështirë në realitetin absurd shqiptar të mijëra familjeve, të rrethuar me tela me gjemba dhe burgje poltike e gulake internimi anekënd Shqiperisë!
Dy personazhet kryesore janë një grua zonjë me Z të madhe, Ganimet Gjilani Fratari dhe një zotëri po me Z kapitale, i biri, Hajredin Fratari, rreth të cilëve lëvizin edhe shumë personazhe të tjera, përfshi dhe vetë autoren, si një nga personazhet e treta më kryesore, e cila rrëfen nga këndvështrimi i një fëmije të pafajshëm dramën e një familjeje ku ajo rritet si dhe dramën e një shoqëria ku ajo vuan.
Brenda këtij trekëndëshi (Gjyshja-daja-mbesa) është përfshirë simbolikisht edhe shtresëzimi i brezave, të cilët mezi dolën gjallë e me dinjitet nga kthetrat e diktaturës. Ky trekëndësh personazhesh pérfshin brenda vetes historitë e gjithë të tjerëve dhe lëviz nga fillimi i rrëfimit e deri në fund, si trekëndësh i palëkundur wë shërben si gravitet për historitë e ngjarjet e tjera familjare e shoqërore. E vlerësoj shumë stilin mjeshtëror të rrëfimit, një stil i thjeshtë dhe përmbajtësor që Iris e ka pothuaj në çdo faqe dhe mbi të gjitha çmoj guximin e saj artistik për të patur në roman figura reale me emrat e vërtetë – një himn mirënjohjeje dhe nderimi për njerëzit e saj dhe té gjithë ata që komunizmi i dënoi, denigroi, izoloi dhe varfëroi vetëm e vetëm se dikur ishin familje të nderuara të Tiranës, Durrësit, Korçës, Shkodrës, Gjirokastrës, Mallakstrës e gjithë Shqipërisë.
Hajredin Fratari është gdhendur në këtë roman si personazhi kryesor i historisë, rreth të cilit luhet drama më e madhe e gjithë familjes dhe “shetitjet” e tij nga njëri burg në tjetrin dhe kalvari i torturave nga njëra qeli në tjetrën, tregojnë një realitet që sot duket i pabesueshëm, por edhe duke na njohur me një karakter të pavesueshëm në pathyeshmërinë e tij përballë torturave dhe i dashur deri në lot përballë nënës dhe mbesës së tij, kur e takonin në burg.
Qëndrueshmëria, krenaria, mençuria, patriotizmi, atdhedashuria, lufta për liri dhe dinjitet njerëzor, vizioni për një Shqipëri demokratike dhe ekonomi të lirë tregu, e bëjnë këtë personazh të duket si një kandil drite në mes të asaj errësire të regjimit komunist. Ai mban në dorë pishtarin e besimit se një ditë do të dalë në liri, se do të triumfojë e mira mbi të keqen, drita mbi errësirën.
Nga drita e këtij personazhi, sikur merr pak ndriçim edhe fytyra e nënës së tij, sa herë ajo ka nevojë për pak shpresë, sa herë ajo ka nevojë për pak besim!
Nga ana tjetër, si një bletë e vogël, autorja-fëmijë, kalon sa tek gjyshja, daja, prindërit dhe njerëzit e tjere përreth saj, mes të cilëve shkëlqen edhe At Zef Pllumbi etj dhe mbledh gjithë kujtimet e tyre, për t’i sjellë me mjeshtëri artistike para lexuesve sot. Disa nga personazhet nuk jetojnë, por po ta dinin ata se një ditë do të “ringjalleshin” artistikisht kaq bukur nga pena e Irisit, mbase do i tregonin vogëlushes pak më shumë histori…
Duke mos përdorur shumë teknikat e fantazisë letrare, por mjetet stilistike të rrëfimit në prozë, Iris Halili, ka sjellë tek ne një sagë tipike shqiptare, e cila mund të konsiderohet si një ndër prozat e para, që ka si personazhe letrare figura historike reale!
Historia e familjes Fratari, një familjeje patriotike dhe kontribuese në historinë tonë kombëtare, është edhe historia e shumë familjeve të ngjashme, të cilat u persekutuan vetëm sepse një anonim si E. Hoxha, donte të ishte vetë historia dhe vetë historiani i kohës së tij. Por, siç e rrëfen me mjeshtëri Iris, këto familje, intelektualët dhe patriotët si Dine (Hajredin) Fratari etj, thjeshtë u mbuluan për disa kohë me pak hi e sigurisht me lot vuajtjesh mizore, por kur fryu era e demokracisë dhe lirisë, hiri iku e loti shkëlqeu duke rikthyer fisnikërinë e fshehur dhe sot kombi shqiptar u shpreh mirënjohje gjithë atyre për aq sa bënë për vendin e tyre.
“Eleganca e lotëve”, do të ishte mirë të përfshihej nëpër shkolla, me qëllim edukimin e brezit të ri me virtytet më të larta, të cilat gjenden tek personazhet e këtoj libri. Por, njëkohësisht, libra të tillë sjellin para nesh një realitet dramatik të kohës së kaluar, i cili ngjan me një tablo surrealiste, për nga dhimbja dhe dëmi që i shkaktoi vendit.
Librat si “Eleganca e lotëve”, as nuk ia kompensojnë vuajtjet dhe as nuk ja rikthejnë rininë e dergjur nëpër burgje një personazhi si Hajredin Fratari, e as nuk e rikthejnë jetën nën panik e vuajtje të vetë Irisit, por kur ata lexohen nga brezi i ri, të paktën do t’i ndihmojnë ata të kuptojnë se e kaluara komuniste nuk duhet glorifikuar e aq më keq, nuk duhet përsëritur.
“Eleganca e lotëve”, është shkruar me një stil artistik të veçantë duke na sjellë para syve me shumë elegancë historinë e një familjeje të nderuar, e cila mbijeton me dinjitet në një nga rrathët e ferrit komunist!
Përfund do shtoja se, pikërisht nga mungesa e librave të tillë dhe e pasqyrimit të plotë dhe pa hile të së kaluarës sonë diktatoriale, sot kemi ende në politikë dhe deri diku në mentaliterin shoqërorë elementë dhe shfaqje të modeleve moniste dhe autoritariste.
Nuk është thjeshtë nostalgjia, por është përdorimi praktik i retorikës dhe metodave politike të së kaluarës, që edhe sot po kërkojnë të mbajnë peng të ardhmen e fëmijëve tanë!