“…Nga luftërat vijmë, në luftëra shkojmë…”
Ismail Kadare/*
Që nga stina e ëndrrave të viteve të para nëntëdhjetë, të kulmuara me shprehjen e famshme të Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhejms Beker, të shqiptuar para mitingut më të madh të zhvilluar ndonjëherë në tokën shqiptare, në verën e vitit 1991, “Liria jep rezultate” dhe nihilizmit të pjesës dërmuese të shqiptarëve që, në përqindje shumë të larta janë gati të mërgojnë nga vëndlindja sot, kanë kaluar rreth tridhjetë vite. Kjo duhet të kishte qënë periudha më fatlume e gjithë historisë shqiptare. Tridhjetë vite në jetën e një populli janë një grimcë në raport me përjetësinë, por janë më se të mjaftueshme për të ndërtuar një shtet, në të cilin qytetarët të kenë dëshirë të jetojnë. Tridhjetë vite qenë të mjaftueshme për të ndërtuar shoqërinë e mirëqënies në Evropën perëndimore, mbas luftës më shkatrrimtare në historinë e njerëzimit. Po aq patën në dispozicion Vëndet e Evropës ish komuniste për t’i u afruar standarteve të perëndimit, mbas shëmbjes së komunizmit. Tridhjetë vite mjaftuan edhe për ne shqiptarët, që nga Shpallja e Pavarësisë deri në vitin 1944, për të ndërtuar një Shtet që i jepte shpresë qytetarëve të tij, të cilët mbaronin universitetet evropiane e ktheheshin me dëshirë në Mbretërinë shqiptare, për t’a çuar përpara atë në rrugën e zhvillimit. Madje nuk duhet të harrojmë se në këto vite shqiptare ishin përfshirë dy luftëra botërore. Për të shpjeguar arsyet e dështimit katastrofal të pas komunizmit në Shqipëri duhen vëllime e nuk mjaftojnë rrjeshtat e këtij shkrimi, por është e qartë si drita e diellit se në këto vite ka munguar drejtimi i duhur. Nuk ka asnjë alibi klasa politike shqiptare që të mund të ligjësojë mangësitë e saj të theksuara në udhëheqjen e këtij populli. Madje edhe pingpongu i lënies së përgjegjësive kundërshtarit bashkëpuntor politik është një lojë e dalë bojet dhe aspak e besueshme për qytetarët e këtij Vendi. Në nënëvetëdijen e këtyre të fundit, vetiu lind një pyetje pa përgjigje: çfarë mallkimi rëndon mbi Vendin tonë që, edhe në sistemin pa diktaturë, të mos arrijë të sigurojë një jetesë të pranueshme për gjithë banorët e tij?
Kaluan tridhjetë vjet, brezi im pothuaj se e ka mbyllur rrethin e tij jetësor veprues. Në jetën shqiptare është ngjitur një brez tjetër e problemet e pazgjidhura të Shqipërisë vazhdojnë të kalohen nga një brez tek tjetri, nga ne tek ata. Dikur ishte triskëtimi e racionimi i ushqimeve, sot ato i kemi me tepricë nëpër dyqane, por rrogat dhe pensionet e ulta vazhdojnë të nxjerrin në pah përsëri varfërinë. Shqipëria e sotme nuk është e njëtrajtëshme në varfërinë e saj. Në trupin e saj gjinden pasuri marramendëse, kulla shumëkatëshe që “therin qiellin”, do t’ishte shprehur Migjeni i ynë, që hahen me të ngjajshmet e tyre në botën e madhe, hotele me shumë yje që nuk paguajnë as taksa, maqina të kushtueshme, vila luksoze, qytetarë që pushojnë në vendet më të shtrenjta të botës. Shqipëria ka ndryshuar ngjyrat e saj: në vend të grisë së errët që mbante në gjysmë shekullin e regjimit, ajo është bërë e larmishme, ka fituar ngjyrat e ylberit.
Me shumë vështirësi janë marrë aty këtu pasuritë e trashëguara, por ato të rejat i kanë kthyer faqen Vendit. Pasuri të reja, të pashpjegueshme me sasinë e njohur të të ardhurave të pronarëve të tyre, por pasuri të vërteta, që kanë krijuar një barazpeshë të re, të cilën Vendi e kishte harruar prej shumë kohësh. Përsëritet në përmasa e shprehi bashkëkohore gjithshka që në historinë e gjatë të këtij populli ishte shfaqur në aristokracitë princore e perandorake të lashtësisë ilire, romake, bizantine e otomane, pasuritë e kastave drejtuese që majmeshin nëpërmjet të shumë burimeve, që për kohën e tyre quheshin të ligjëshme. Vinin nga luftërat, nga plaçka e tyre, nga skllevërit, nga taksat, nga dhuratat e të fuqishmëve. Tani kanë ndryshuar burimet: në shekullin 21 shfrytëzohen të tjera mundësi që rrjedhin nga pasuritë nëntokësore e mbitokësore, nga konçesionet e tyre, nga lidhja me botën. Huazohet përvoja botërore e pushteteve të errët, e organizatave të jashtëligjëshme, e tregëtimit të drogës, të armëvet, të femravet për dhjetëvjeçarë me rradhë në hundët e një shteti që nuk shqetësohet aspak, që shumë vonë bën sikur kundërvepron ndaj një dukurie që i ka rrënjët thellë, në një mendësi të rrënjosur që në kohët e para të tjetërsimit të sistemit: pasurim me çdo mjet, me çfarëdo mënyre. N’ata fillime ishin firmat piradimale që e ngulitën këtë mendësi për të fituar para pa punë, pa mundim, pa djersë. Fundi i tyre solli një rrënojë kombëtare, jo vetëm me tërmetin e madh në zemrën e shtetit, por edhe me humbjet financiare që u shkaktoi një pjese të madhe të popullsisë. N’atë rast Shteti u kthye në një grabitqar që nuk dihet se ku i çoi qindra milionë dollarë të qytetarëve, pa i lëvizur as qerpiku, edhe se i kishte premtuar se do t’u a kthente e në bazë t’atij premtimi PS fitoi edhe zgjedhjet e vitit 1997. Nëse do të jenë në lartësinë e detyrës organet e reja të Drejtësisë, të dala nga e ashtuquajtura reformë, do të duhej të fillonin hetimin pikërisht nga ajo vjedhje masive e milionë dollarësh të Vefas dhe kompanive të tjera piramidale në dëm të qytetarëve shqiptarë.
Por nuk ka asnjë gjasë që të vërtetohet një gjë e tillë, një vetëpadi e politikës në një periudhë të caktuar, që njihet në të gjithë përbërësit e saj, me emra e mbiemra, me ngjarje e dukuri. Reforma ka ushqyer pritshmëri, ndoshta edhe të tepruara në mjedisin shqiptar, madje ajo quhet edhe në sajë të kujdestarisë ndërkombëtare mbi të, si e vetmja shpresë për të sjellë Vendin në normalitet mbas goditjes së Vettingut mbi një pjesë të organeve të Drejtësisë. Pa mohuar rolin negativ të mjaft gjyqtarëve të korruptuar, është vështirë të besohet se Drejtësia e re do të ketë kurajën, guximin e fuqinë, për të kaluar në filtrin e saj me paanësinë e nevojshme klasën politike që ka qënë mbështetja kryesore e atyre gjyqtarëve në vite. Shëmbujt e atyre proçeseve të kryera në Kroaci apo në Rumani duhet të jenë si njësi matëse për prodhimtarinë e institucioneve tona të reja. Nga veprimet e saj të para do të duket shpejt mundësia apo mungesa e saj për të sendërtuar luftën kundër paligjshmërisë që duhet të ketë në synimin e strategjinë e saj çdo dukuri korruptive që shtrihet nga maja e Shtetit tek baza e gjërë e tij. Në të kundërt do të jemi të pranishëm në një tjetër dukuri zhgënjyese të realitetit tonë, në një tjetër shfaqje të demokraturës.
Shqipëria e sotme është sendërtesë e brezit tim, por edhe e bijve të tij. Ndoshta ne patëm më shumë peshë në prapambetjen e saj, në mungesën e lirive e të shpresave, ndoshta u bëmë pengesë me mendësinë tonë për ecjen më të shpejtë të bijve tanë, ndoshta e ndotëm me frymën tonë dlirësinë e natyrshme të tyre, ndoshta u ndrojtëm shumë për t’u dhënë atyre vendin dhe rolin e duhur në jetën shoqërore, shtetërore, politike, kulturore ekonomike të Atdheut. Por besoj se ata duhet të na jenë mirënjohës për gjithshka bëmë ne në këto vite të kalesës për t’u dhënë mundësi atyre të studionin jo vetëm në Shqipëri por edhe n’Evropë e në botë. E bëmë këtë jo vetëm për të gjetur një ngushullim të vonë për jetën tonë të cunguar nga mungesa e lirive, për të parë të sendërtuar në jetën e tyre atë që komunizmi na e ndaloi neve t’a arrinim, por edhe për t’u vënë atyre në mbarështim bazën e nevojshme të dijes e aftësive, për të përballuar kërkesat gjithënjë e më të mprehta t’epokës së tyre. E bëmë këtë me çmimin e flijimeve të heshtura, herë herë edhe përtej mundësive tona. Shpresojmë se do t’a vlerësojnë në masën e duhur këtë përkushtim tonin, pa e quajtur si një detyrim të thjeshtë brezor.
Në këtë prag fund jete, në të cilin kemi arritur, ndoshta ajo që do të mëtonim prej tyre, veç mirëkuptimit për mundin tonë të gjithë jetës, do të ishte sendërtimi i një Shqipërie të re, më të ndershme, më njerëzore, më fisnike, të një Vendi më afër traditës shekullore nga këndvështrimi moral, të cilën komunizmi e vrau pa mëshirë, n’emër të ideologjive të ardhura nga bota e Lindjes, duke vënë në zbatim makutërinë më të përkryer të pushtetit të dhunës. Duke kërkuar këtë sipërmarrje të madhe prej bijve tanë, që do të shënonte kthimin e dinjitetit të humbur që shfaqet çdo ditë në realitetin tonë të zymtë, në paaftësinë karakteristike për të bërë diçka të dobishme vetë, pa kërkuar gjithmonë gjykimin e përfaqësuesve të huaj, qofshin këta edhe miqtë tanë më të mirë, më duket e nevojshme të kujtoj punën e brezave para nesh. Dua t’a kujtoj veprimtarinë e tyre në dobi të Shqipërisë dhe dinjitetit të saj, jo thjesht me mallin romantik të së kaluarës e cila, si çdo epokë historike paraqet dritë hijet e saj, por me përpjekjen modeste për një vlerësim të paanshëm e nga i cili mund të merren mësime të vyera për të sotmen dhe t’ardhmen tonë.
Ai brez i gjyshërve tanë e krijoi Shqipërinë të pavarur, mes njëmijë vështirësish, mbas gati pesë shekujsh sundimi të huaj. Ai i përballoi ato vështirësi me ndihmën e pak miqve, sepse Evropa nuk ishte n’anën e tyre, por vështronte me më shumë dashamirësi ndaj fqinjëve tanë, të cilët tokën tonë, në synimin e tyre, e kishin kthyer në një plaçkë tregu ku secili duhej të merrte pjesën e vet. Atë Vend pa shkolla, pa institucione, pa rrugë, me një analfabetizëm kronik shekullor, me një popullsi, në shumicën dërmuese të saj, të mësuar me mendësinë otomane, të kthyer në shesh lufte botërore e të pushtuar nga fuqitë ndërlufuese në gjithë territorin e saj, dalngadalë në hapësirën e tre dhjetëvjeçarëve e ktheu në një Shtet të qëndrueshëm, me ligje e kode perëndimore, me monedhën e vet të fortë, me rritjen dhe edukimin e një shtrese të re inteligjence të nivelit evropian.
Nuk qe një ndërmarrje e lehtë, kërkoi shumë mund e kaloi nëpërmjet një lufte t’ashpër politike e rrahje mendimesh, qe një betejë e gjatë me faktorët e jashtëm dhe mangësitë e trashëguara të brëndëshme. U sendërtua sepse gjeti në protagonistët e jetës politike njerëz të ndershëm dhe atdhetarë, me një shtat moral e një dinjitet për t’u patur zili. Pasurinë vetiake, në shumicën dërmuese, e trashëguan nga të parët e tyre, kurse ata që hynë të varfër në politikë mbetën po aq të varfër edhe kur dolën prej saj. Luigj Gurakuqi besoj se është shëmbulli më i ndritur n’atë drejtim.
Ajo klasë politike, me gjithë mangësitë e pakta të saj, na la si trashëgim dinjitetin e saj, që ishte edhe dinjiteti i popullit të saj, prej të cilit kishte përvehtësuar vetitë më të arrira të kombësisë e të cilin rrekej t’a lartësonte nëpërmjet vënies në jetë t’atyre virtuteve e edukimit me parimet universale të qytetërimit. U bë zëdhënëse e atij dinjiteti edhe në vitet e vështira të luftës së dytë botërore, kur rrethanat dhe projektet politike e ndanë në disa pjesë të cilat, edhe se në kundërshtim me njëra tjetrën mbeteshin të bashkuar në synimin për t’i shërbyer deri në fund interesave t’Atdheut. Qe shprehja më e lartë e atij dinjiteti qëndresa me armë, edhe se e shkurtër në kohë, e atyre atdhetarëve në portin e Durrësit më 7 prill 1939, të cilën ata e përjetësuan me flijimin e jetëve të tyre.
Ata shtetarë t’asaj periudhe u bënë shprehës t’atij dinjiteti kur nuk pranuan të zbatojnë në Vendin e tyre “ligjet raciale” të shpallura nga pushtuesit italianë, kur mënjanuan nga ministritë shqiptare këshilltarët italianë, kur hoqën gjuhën italiane nga shkollat fillore shqiptare, kur hoqën simbolet e huaja nga flamuri shqiptar, kur bashkuan trojet e ndara në vitin 1913 nga trungu i Shqipërisë etnike, kur organizuan zgjedhjet e përgjithëshme në “tokat e lirueme” e mblodhën Asamblenë e vetme mbarëshqiptare në historinë bashkëkohore të këtij Vendi, një ngjarje e përafërt me Lidhjen e Prizrenit.
Mbi të gjitha, ata u bënë flamurtarë të dinjitetit të kombit të tyre kur, në raste të përsëritura, i u përgjigjën tërthorazi kërkesave naziste për të dorëzuar hebrenjtë në kampet e çfarosjes, se ajo praktikë kriminale e jo njerëzore binte ndesh me një traditë të lashtë të popullit të tyre, atë të mikpritjes, të besës, të respektit për jabanxhiun, për fjalën e dhënë, për parimin e ndihmës kundrejt atyre që janë në nevojë, kundrejt të pambrojturve, të dobtëve…. Me qëndrimin fisnik e të guximshëm, në një nga kohët më të errta të historisë së botës moderne, ata prijës të institucioneve shqiptare t’asaj periudhe u treguan trashëgimtarë të denjë të virtuteve të popullit të tyre e këtyre të fundit i ngritën nje monument të pavdekshëm në kujtesën botërore, duke na lënë si trashëgim faqen më të ndritëshme të lavdisë së kombit tonë.
Ai qëndrim është vite dritë larg tabllosë mjerane të politikës shqiptare sot që, për çdo veprim të saj, pret me ankth gjykimin e ambasadorëve të huaj e për çdo ngërç duhet t’i drejtohet institucioneve të tyre. Një dukuri e këtillë, shprehje paaftësie të theksuar të një klase politike në një Vend demokratik, mbetet zhgënjyese për të gjithë ata që vazhdojnë të besojnë e njëjtësohen me vlerat e përjetëshme të shqiptarëve, e na shton nderimin për brezin e gjyshërve tanë që na lanë si trashëgim një Atdhe të bashkuar e dinjitoz.
Këto ishin disa nga arsyetimet, që më erdhën ndërmënd në atë bisedë të gjatë të përfyturuar me të njohurit e të panjohurit e asaj aradhe njerëzish, që është Brezi im. Ndofta kishte diçka të pazakontë në këtë bisedë, ndofta i vura përsipër atij të meta e gabime më shumë se ç’kishte, ndofta gjyqi i historisë nuk do të jetë kaq i ashpër, do t’i njohë dhe rrethanat lehtësuese. Do t’i njohë faktin se patëm fatin më të keq të gjithë brezave të këtij shekulli të Vendit tonë, për të jetuar nën thundrën e diktaturës më të paskrupullt, më mizore, më të pabesë që kishin njohur shqiptarët. Qemë Brezi i triskave dhe i racionimeve, nuk shijuam as fëmini, as rini, as burrëri. Fëminia na kaloi duke luajtur me topa lecke e duke dëshiruar një copë bukë më shumë sesa racjoni i përditshëm i triskës. Rinia u shkri në aksionet e pafund, në kampet e internimit e të punëve të detyruara, në kufizimet më absurde që mund të përfytyrohen. Burrëria na erdhi në një kohë që ndryshoi gjithçka, por që ne na gjeti të papregatitur për këto ndryshime.
Çfarë ruan e ardhmja për ne, nëse do të ketë një të tillë mbas një jete ankthi e mundimesh, është vështirë të parashikohet. Ne mbetëm gjithmonë në luftë, në një luftë të gjatë e të vështirë për mbijetesë. Qe një luftë pa armë, por jo më pak mizore. Viktimat e saj qenë ëndrrat tona të varrosura, dëshirat tona të parealizuara, liria jonë e gjymtuar, vitet e të vetmes jetë të flijuara për egoizmin e pafre të kolltukofagëve. Jeta jonë qe një tribut që i duhej paguar utopive kriminale të të ashtuquajturve teoricienë të komunizmit, padijes, mungesës së skrupujve e poshtërsisë të atyre që i vunë në zbatim në Shqipëri ato teori, arkitektëve të botës së ndarë në zona ndikimi, paaftësisë së prindërve tanë për të kuptuar e shmangur rrezikun e gangrenës komuniste, paaftësisë sonë për t’a kryer me sukses operacionin e zhdukjes së saj. Dashje pa dashje ne e paguam atë tribut, nuk mundëm t’i shmangeshim. Ai qe fati ynë i hidhur, i ashpër, i pamëshirshëm. I ngjan legjendës së Sizifit…
Fund