-TIRANA E PRISHTINA ME AXHENDË TË PËRBASHKËT DIPLOMATIKE-
Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” z. Elmi Berisha në një intervistë me gazetarin e DIELLIT SOKOL PAJA, flet për vizitën e tij në Republikën e Kosovës dhe të Shqipërisë. Ai tregon për takimet e Prishtinës dhe të Tiranës, për Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar në Ministrinë e Jashtme të Republikës së Kosovës.
Po ashtu ai sqaron edhe takimin me Kryeparlamentarin socialist Gramoz Ruçi, ish Ministër i fundit i Diktaturës, i akuzuar për vrasjet e 2 prillit.
Z.Kryetar si ndjeheni pas kthimit të vizitave zyrtare në Kosovë dhe Shqipëri?
Mendoj se ishte një vizitë e jashtëzakonshme. Ndjehem shumë mirë dhe shumë krenar. Gëzohem për veten dhe për Vatrën. Kam hasur në një bashkëpunim dhe respekt të jashtëzakonshëm në kuadër të nismës që Vatra ka marrë për të qenë aktive dhe lobuese në dobi të shtetit të Kosovës e Shqipërisë dhe për të të mirën e shqiptarëve në krejt viset ku ata jetojnë e punojnë. Jam respektuar si kryetar i Vatrës prej të gjithë faktorit politik si në Shqipëri dhe në Kosovë, si nga pozita dhe nga opozita.
Sa mendoni se e kanë përmbushur misionin politik, diplomatik dhe atdhetar këto dy vizita në Tiranë dhe Prishtinë?
Jetojmë në një kohë të jashtëzakonshme të pandemisë globale. Gjithçka nuk funksionon normalisht. Gjatë gjithë kësaj kohe Vatra është munduar të përmbushë misionin dhe rolin e saj Kombetar, diplomatik në përmbushje të nevojave të Vatrës, komunitetit vatran dhe mbi të gjitha qytetarëve shqiptar në Kosovë dhe në Shqipëri. Jemi duke punuar fort dhe kemi një program dhe axhendë kombëtarë e ndërshtetërore për të ndihmuar reciprocikisht kryerjen e reformave si në Shqipëri dhe në Kosovë. Vatra po luan një rol jashtëzakonisht të madh në këto kohë edhe pse situata globale na ka kufizuar në veprimtarinë tonë. Koha në të cilën jetojmë na obligon fort të jemi sa më afër nevojave dhe rolit të pakursyer diplomatik e atdhetar në dobi të çështjes kombëtare e qytetarëve të kombit tonë. Mendoj se jemi në rrugën e mbarë. Kemi shumë për të bërë…
Cilat ishin mesazhet që ju përcollët në emër të Vatrës për shtetarët në Kosovë dhe Shqipëri?
Mesazhi kryesor i Vatrës për institucionet e shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë tek liderët e skenës politike në të dy vendet ishte uniteti për çështjen Kombëtare, bashkëpunimi, qasja shtetformuese dhe ndihma e të gjithë faktorëve politik për zhvillimin e vendeve tona dhe roli i secilit institucion dhe individ me peshë politike në kryerjen e reformave dhe në zhvillimin e vëndeve tona si në Shqipëri dhe në Kosovë. Ndërtimi i një ekonomie të fortë, lufta e pakompromis ndaj krimit dhe fenomeve që ngadalsojnë avacimin dhe zhvillimin e reformave. Qasja diplomatike e përbashkët dhe qëndrimi i njëjtë në raport me dialogun me Serbinë dhe të qënurit bashkë në të gjithë proceset integruese me të cilat përballet shteti i Kosovës dhe Shqipërisë.Kordinim mbarëkombëtar mes dy vendeve tona.
Si i vlerësoni hapat e Shqipërisë dhe të Kosovës në proceset integruese euroatlantike?
Hapat e Shqipërisë dhe të Kosovës në proceset integruese euroatlantike janë të ngadaltë e për këtë nevojitet akoma më shumë lobim në Uashington dhe në Perëndim dhe në kancelaritë e vendeve të fuqishme perëndimore. Vatra ka ofruar gjithmonë dhe do të ofrojë eksperiencën, ekspertizën, personalitete profesionistësh te formuara në Amerikë dhe vatranët e spikatur në dobi të përmbushjeve të reformave dhe të një ndihme më të specializuar në përmbushje të nevojave që kanë institucionet në Shqipëri dhe në Kosovë. Qeveritë kanë akoma shumë për të bërë. Vatra do ta luajë shumë fort rolin e saj. Për asnjë moment ne nuk do ndalemi me qëllim që të shohim Shqipërinë e Kosovën përkrah shteteve më të zhvilluara në Ballkan e në Perëndim.
Roli diplomatik i Vatrës në Shtëpinë e Bardhë, Shqipëria e Kosova a janë më afër apo më larg Uashingtonit?
Roli diplomatik i Vatrës në Shtëpinë e Bardhë është historik. Si kurrë më parë gjatë kësaj periudhe të ngjarjeve dhe zhvillimeve, Shqipëria e Kosova nuk e kanë pasur një qasje të tillë në Uashington. Kombi ynë dhe shtetet tona janë më shumë se ansjëherë tjetër më afër Uashingtonit. Shqiptarët janë një faktor i paanashkalueshëm. Vatra ka asistuar dhe do të jetë gjithmonë aty në proceset e mëdha diplomatike, politike e zhvillimore të shteteve tona Kosovë e Shqipëri. Ju garantoj se Vatra është shumë e pranishme në Uashington dhe do të jetë aty me fuqinë e saj lobuese sa në të mirë dhe prosperitetit të Kosovës dhe Shqipërisë.
Roli diplomatik e specifik i Vatrës në bisedimet Kosovë-Serbi në Uashington, çfarë u diskutua si u këshillua delegacioni kosovar në këto bisedime?
Vatra lëshoi prerazi këshillimin e saj për delegacionin e Kosovës që të jetë unik, që të veprojnë sëbashku si një trup i vetëm pozitë dhe opozitë. Vatra ishte kategorike që të mos preken kufijtë e Kosovës dhe që Kosova të jetë e pavarur dhe e paprekshme në kufijtë që u shpall pavarësia dhe në kufijtë që ajo është njohur botërisht.
Çfarë përmban memorandumi i mirëkuptimit mes Vatrës dhe Ministrisë së Jashtme e të Diasporës së Kosovës, që ju dhe Ministrja Meliza Haradinaj-Stublla nënshkruat?
Memorandumi i mirëkuptimit mes Vatrës dhe Ministrisë së Jashtme e të Diasporës së Kosovës në thelb është një strategji mbarëkombëtare intgeruese që identifikon të gjitha nevojat tona si komb dhe si shtete në mënyrë që të ofrojmë bashkëpunim dhe ekspertizë me qëllim që të jemi dinjitozë dhe të zhvillojmë politika të përbashkëta zhvilluese në të mirë të kombit e qytetarëve që jetojnë në shtet tona Shqipëri e Kosovë. Qëllimi i këtij memorandumi është qëllimi i vullnetit të mirë dhe bashkëpunimit e lobimit reciprok në proceset zhvilluese dhe integruese. Ne do të ofrojmë për shtetin e Kosovës dhe të Shqipërisë ekspertët tanë, akademikë, profesorë, kërkues shkencorë në përmbushje të nevojave që do të paraqiten në raport me nevojat dhe proceset zhvilluese.
–A jeni konsultuar me Strukturat drejtuese të Vatrës, Kryesinë e Këshillin për axhendën diplomatike në Shqipëri dhe Kosovë?
Sigurisht që jam konsultuar me Strukturat drejtuese të Vatrës, Kryesinë e Këshillin për axhendën diplomatike në Shqipëri dhe Kosovë. Që pas ardhjes sime në krye të Vatrës axhenda e kryetarit dhe Federatës së Vatrës ka qenë në rakordim të plotë dhe e miratuar prej të gjitha strukturave drejtuese të Vatrës. Asnjëherë nuk janë anashkaluar strukturat dhe gjithmonë do të pyetën. Për shkak të pandemisë globale dhe kushteve të jashtëzakonshme të fluturimit dhe protokolleve shtetërore të masat parandaluese të Covid-19, kësaj herë kam udhëtuar i vetëm në Shqipëri dhe Kosovë por në kushte normale gjithmonë do kem përfaqësinë më dinjitoze të Vatrës në çdo strukturë të saj në çdo takim politik, diplomatik dhe atdhetar. Kësaj herë udhëtova i vetëm sepse nuk doja të rrezikoja jetën e miqve, bashkëpunëtorëve dhe drejtuesve të Strukturave drejtuese të Federatës Vatra. Unë veproj si Institucion, unë veproj si Vatër, kudo ku kam shkuar kam paraqitur Vatrën. Por nevojat dhe rregullat strikte të autoriteteve ndërkombëtare shtetërore e shëndetësore më detyruan të mos kem me vete bashkëpunëtorët më të afërt dhe përfaqësuesit më të nderuar të Vatrës. Mesazhet në Prishtinë dhe në Tiranë kanë qenë mesazhet e drejtuesve dhe e strukturave të Vatrës dhe mesazhet publike atdhetare e diplomatike që ka anonçuar Vatra. Unë gjithçka e kampublike të deklaruar në Vatër. Nuk ka asgjë përtej publikes dhe nismave politike e diplomatike të Vatrës.
Çfarë ju tha Doktor Sali Berisha në darkën e shtruar në nderim të vizitës suaj në Shqipëri?
Doktor Berisha shprehu vlerësimet maksimale për Federatën Panshqiptare Vatra. Ai u shpreh falenderues dhe entuziast për gjithçka ka bërë Vatra dhe projektet e saj në vazhdim. Unë e informova doktor Berishën për veprimtarinë dhe axhendën kombëtare që ka Vatra në vazhdim. Doktor Berisha ishte shumë i emocionuar dhe më shprehu përkrahje të jashtëzakonshme. Ishte në pajtueshmëri dhe në të njëjtën linjë veprimi diplomatike me veprimtarinë e Vatrës. Dua ta falenderoj doktor Berishën, Bashën dhe Partinë Demokratike në Shqipëri si mbështetëse dhe përkrahëse e fortë e filozofisë, punës, e misionit politik e diplomatik të Vatrës.
Jeni takuar me Ministrin e fundit të Diktaturës shqiptare, kryeparlamentarin Ruçi, kjo ka shkaktuar zemërim te vatranët e përndjekur nga regjimi komunist, cili është shpjegimi juaj rreth këtij takimi?
-Ky ishte një takim diplomatik e kortezie. Unë jam kryetar i një organizate mbarëshqiptare. Unë nuk mund të veproj me dy standarte. Unë si Vatër, si institucion takoj institucione, jo individë. Ruçin aty ua gjeta aty ua lashë. Unë respektoj ato institucione që janë zgjedhur me votë nga qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës. Nëse ka pasur vatranë të prekur më vjen keq por këta Vatranë kanë mundësinë dhe duhet që të influencojnë në Shqipëri e Kosovë që familjarët dhe qytetarët e këtyre dy shteteve të zgjedhin një qeverisje më të mirë e më dinjitoze. Unë jam në diplomaci që tash 30 vjet. Kurrë në parimet e mia nuk ka qenë standarti i dyfishtë në diplomaci apo veprimtaritë patriotike e atdhetare. Është koha të ecim përpara. Është koha për paqe dhe zhvillim. Është koha të ringrihemi nga e kaluara dhe të shohim përpara. Edhe unë kam 6 familjarë të vrarë e te zhdukur nga regjimi serb por kjo s’më pengon për tu ulur në bisedime me Serbinë me qëllim prosperitetin dhe zhvillimin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Prezencën e Vatrës në Uashington nuk mund ta rrezikoj duke vepruar keq diplomatikisht. Vatra duhet të respektojë ato institucione që shqiptarët i kanë zgjedhur me votën e tyre. Vatra nuk takon individë, Vatra takon institucione. Vatra nuk saboton apo sulmon ato institucione që i ka njohur Uashingtoni apo Perëndimi. Vatra do të respektojë gjithmonë institucionet e shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë perderisa ato janë votuar nga qytetarët. Nuk është etike, diplomatike, patriotike dhe totalisht jo perëndimore dhe në frymën e Uashingtonit që të sulmojmë institucionet e shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë pavarësisht se nga kush drejtohen. Vatra nderon e respekton institucionet e votura. Nëse unë anashkaloj institucione të pranuara nga perëndimi dhe të votuara nga populli, kam bërë një hap fals në diplmaci. Kam 30 vjet në diplomaci aktive në Uashington. Standartet e dyfishta janë të papranueshme në diplomaci. Unë dua të kuptohem dhe të mirëkuptohem për këtë axhendë si në Kosovë dhe në Shqipëri.
Si e vlerësoni punën e qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë në përballje me pandeminë globale Covid-19?
Ka qenë një situatë shumë e rëndë dhe e vështirë për të dyja këto shtete. Kanë bërë maksimumin brënda kapaciteteve por është dashur edhe më shumë. Shpresojmë që situata të normalizohet sa më shpejt dhe jeta të kthehet në shkëlqimin e saj si më parë. Sapo të kthehemi në normalitet Vatra do jetë aty me ekspertët e saj më të mirë në ndihmë dhe rimëkëmbje të instituteve dhe instucioneve shëndetësore e shtetërore.
Si e vlerësoni përformancën informative dhe analitike të gazetës Dielli përgjatë pandemisë globale Covid-19?
Gazeta Dielli ka bërë një punë fantastike. Një performancë ekslente. Na ka bërë të gjithëve krenarë me atë që ka paraqitur në faqet e saj dhe formatin online. Si kurrë më parë në këtë periudhë mendjet më të ndritura dhe ekspertët shqiptarë më të spikatur në botë dhanë një ekspertizë shumë të vyer për lexuesit dhe vatranët. Ne jemi shumë krenar për këtë. Ky ishte një moment krenarie për këtë gazetë shekullore. Kryeredaktori i saj z.Greca me bashkëpunëtorët e tij punuan e vepruan pa u ndalur. Ata meritojnë nderimet e mia më të thella dhe respektin e gjithë komunitetit e vatranëve. Dielli shëndriti kudo dhe këdo. Dielli na përfaqësoi në mënyrë brilante.
Jeni vlerësuar nga Universiteti Luarasi me Titullin e lartë “Honoris Causa” dhe keni nënshkruar një kontratë për sponsorizimin e kolanës së historisë së Vatrës në 5 vëllime , si ndjeheni pas këtij rezultati personal dhe vatran?
Ishte një surprizë jashtëzakonisht e këndshme. Nuk e kam pritur. Ndihem i respektuar dhe i privilegjuar. Do ta mbaj me krenari dhe dinjitet këtë nderim shumë të lartë. Ky është një titull që nderon Vatrën dhe kontributin e saj historik. Nënshkrimi me miqtë e mi sponsorizues dhe Akademikun e nderuar Prof. Dr. Beqir Meta për kolanën e historisë së Vatrës me 5 vëllime i jep një dimension të ri shkencor Vatrës, veprimtarisë, historisë dhe rolit e kontributit të saj historik në dobi të çështjes kombëtare shqiptare. Gjatë qëndrimit tim në Tiranë u mundësuan nga miqtë e mi 20 mijë dollarë për të përmbushur një detyrim të jashtëzakonshëm të botimit të historisë së Vatrës. Suksesi i Vatrës është një sukses për të gjithë shqiptarët. Sapo të kthehemi në normalitet së bashku me një përfaqësi të gjërë të Vatrës do të vizitojmë Tiranën e Prishtinën për të parë nga afër ecurinë e sukseseve, përparimin e vendeve tona dhe zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara. Kjo është Vatra e shekullit të 21 që respekton qeveritë e zgjedhura me vota demokratike. Ne do të lobojmë e influencojmë në qëllim të mirë të axhendës kombëtare patriotike në Perëndim dhe Uashington.