Nga Ilir Levonja/
Rreth orës 3 të mesnatës një makinë tepër luksoze, hyri në varrezën nr 234 Boca West, në shtetin e Floridas. Aty po lëshonin trupin tim. Eshtë dt 18 dhjetor, dita e 352 sipas kalendarit Gregorian, e vitit 2014. Në të njëjtën kohë, dita botërore e emigrantit. Çudia më e madhe e imja qe fakti se, përse në varrimin tim mungonin miqtë, përfshi këtu gjithë të gjallët e njohur e të panjohur. Vetëm një shofer që më transoprtoi, një burrë me uniformë që më priti dhe më groposi më këmbë. Më tutje asgjë…, mangot kaba dhe natyra e shuar nga hapësira, buzë një rrjedhe të qetë lumi, që ikte i shuar drejt oqeanit. Mu kujtua një tregim i shkrimtares emigrante A. Mëlyshi Lifschin, mbi vdekjet amerikane. Pak a shumë, habia e personazhit, (emigrantit apo emigrantes shqiptare) se si ishte e mundur që të vdiste fqinja, apo fqinji, dhe t’i e merrje vesh pas tri-katër ditësh?! Asnjë lloj gjëme, asnjë lloj hapje shtëpie, asnjë lloj ndarje kafeje e cigaresh, apo edhe hallva e të dyzetave. Nuk e keni idenë se mall ndjeva për shpalljet nëpër shtyllat e rrugëve, pemët ku koriçkat e mandat’njoftimeve, i ngjanin relieveve të maleve argjilore, tabelat në këndet kryesore të qytetit etj.
Thua askush nuk ndau njoftime për mua?
Nga ana tjetër, zura të kundroja listat se kujt i kisha shkuar dhe kujt jo, në vaki apo gjëma të tilla. Përse nuk më ka ardhur filani? Përse nuk më ka ardhur fisteku. Punë hesapesh? Dhe si ishte e mundur që, mungon edhe fqinji i ri, këtu? Por me këtë mungesë nuk u lodha shumë, sepse u kujtova që këtij, nuk i kam shkuar në ndonjë vaki. Biles as ai vet nuk shkoi kur i vdiq e ëma. Vendosën bashkë me të vëllain ta konservonin trupin e saj në një morg duke lënë një datë tjetër për ceremoninë kishtare. Pastaj, shty data- datën, dhe dita- ditën, derisa e ndjera u varros po njësoj si unë. Me dy njerëz, trasnportuesin dhe groposësin. Njeriut me valixhe në dorë, me aeroporte nën këmbë, me gjithë të mirat e tjera. Dhe sa për statistikë sot në botë, kjo kategori njerëzish kap shifrën e 232 milionë. Mesazhi nga kombet e bashkuara erdhi i tillë që, shoqëritë të jenë hapura, për mundësi dhe jetë më me dinjitet të emigrantëve kudo që ndodhen.
Në fakt duhet të jetë dita edhe ndjesës së madhe. Për ata që në vende të ndryshme, për arsye absurde, u vranë në kufijtë me tela me gjemba. Për ata që ngrinë në mallet me dëborë. Për ata që shkrumbuan nën kubetë e kamionëve kontrabandë. Për të mbytyrit e Otrantos. E sa e sa, histori të tjera që nuk i dimë. Lista është e përbotshme.
Gjithsesi t’i kthehemi varrimit tim. Që të mos zgjatem më tutje, nga e gjithë kjo vdekje mësova kuptimin e termit emigrant. Njeriut me valixhe në dorë, me aeroportet nën këmbë, me gjithë të mirat e tjera. Duke ia kompesuar, dikujt ekonominë, e dikujt lirinë.
Veç kurrsesi miqësinë.