Nga Arton Konushevci/
Interesimi i qytetarëve të Kosovës që të migrojnë në mënyrë të paligjshme në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian duket se ka nisur të shënojë rënie.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, e pohojnë një gjë të tillë, por gjithsesi edhe në stacionin e autobusëve në Prishtinë deklarojnë se për dallim nga ditët e kaluara, interesimi për të blerë biletë për në Serbi, ka rënë.
Drejtori i stacionit të autobusëve, Nol Dedaj, i tha Radios Evropa e Lirë se numri i udhëtarëve për relacionin Prishtinë-Beograd është zvogëluar.
“Mbrëmë kemi pasur tre autobusë që kanë udhëtuar për në Beograd. Sa i përket relacioneve të tjera ndërkombëtare kemi kërkesa normale, si çdo herë tjetër”, tha Dedaj.
Bileta Prishtinë – Beograd ishte bërë e shumëkërkuar në dy muajt e fundit. Mijëra qytetarë thuhet të kenë shfrytëzuar kufirin e Serbisë me Hungarinë për të depërtuar për në vendet e Bashkimit Evropian, të nxitur nga shpresa për një jetë më të mirë. Numri i saktë i atyre që kanë migruar nuk dihet ende.
Dukuria e migrimit të paligjshëm ka bërë që autoritetet në Serbi të shtrëngojnë masat e kontrollit, duke vënë në funksion edhe xhandarmerinë e këtij shteti. Në planin e ri për një kontroll më të fuqishëm të brezit kufitar midis Serbisë dhe Hungarisë, janë angazhuar edhe përfaqësues të institucioneve të rendit nga Gjermania dhe Austria.
Të dyja këto vende thuhet të jenë destinacion për emigrantët e paligjshëm nga Kosova.
Gjatë janarit, për shkak të kalimeve ilegale të kufirit të Serbisë me Hungarinë, në Gjykatën komunale të Suboticës janë proceduar 550 raste.
Subotica është qytet në veri të Vojvodinës, i cili gjendet rreth 20 km larg kufirit me Hungarinë dhe ka shërbyer si vend-takim ndërmjet emigrantëve nga Kosova dhe kontrabanduesve.
Institucionet e Kosovës kanë shpeshtuar thirrjet e tyre drejtuar qytetarëve të Kosovës, që të mos marrin rrugën e paligjshme të migrimit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar të martën në Tiranë se institucionet janë duke ndërmarrë masa për parandalimin e migrimit ilegal.
“Qytetarët e Kosovës duhet ta shohin perspektivën e vet në Republikën e Kosovës. Të gjithë bashkërisht, ata dhe ne si institucione duhet ta përmirësojmë gjendjen tonë dhe të kemi një Kosovë më të zhvilluar ekonomikisht. Në të njëjtën kohë të kemi edhe një perspektivë më të veçantë të jetesës sonë në Republikën e Kosovës”, tha Veseli, duke kërkuar më shumë durim nga qytetarët.
Qeveria e Kosovës javën e kaluar ka miratuar vendimin për themelimin e një komisioni, i cili do të shqyrtojë mundësinë për faljen e borxheve për personat fizik dhe juridik. Ky veprim nga ana e qeverisë është parë si një prej hapave që mund të ndikojë të ulë interesimin për migrim.
Falja e borxheve nga Qeveria e Kosovës, do të bëhet nga ana e institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, si dhe të gjitha borxhet që i kanë qytetarët deri më 31 dhjetor të vitit 2008.