
Sokol Paja/
Një figurë e rrallë e Kishës Katolike Shqiptare dhe e kombit shqiptar, Eminenca e Tij, Kardinal Ernest Simoni Troshani u nderua prej shqiptarëve në New York me rastin e 98-vjetorit të lindjes dhe 10-vjetorit të emërimit të tij si kardinal. Me pjesëmarrjen e patriotëve, aktivistëve, artistëve, veprimtarëve dhe atdhetarëve, drejtuesve të organizatave e shoqatave shqiptare në New York e më gjerë dhe nën organizimin e shkëlqyer të patriotëve Ndrekë Tonaj, Lin Kumbulla e Çesk Gjuraj, nderimi për Kardinal Troshanin ishte një nderim për jetën e tij të shenjtë, frymëzimin shpirtëror, qëndresën dhe sakrificën sublime për fe dhe atdhe të klerit shqiptar.
Dom Pjetër Popaj, famullitari i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në New York, në fjalën e tij theksoi se jeta e Kardinal Simonit na dëshmon se as burgu, as vuajtjet dhe as kërcënimet e torturat nuk mund ta shuajnë dritën e fesë kur zemrat tona mbështeten në Krishtin Zot. Është shembulli i faljes, i lutjes edhe për torturuesit e tij. Dëshmia juaj ka frymëzuar besimtarë dhe njerëz të mirë në të mbarë botën, tue na mësuar vlerën e sakrificës, të lutjeve dhe të shpresës. Jeta e Juej na fton të mos e humbim kurrë shpresën në Zotin, të qëndrojmë të fortë në provat e jetës, mos të urrejmë, por të falim me zemër, të duam pa dallim dhe të shërbejmë njani-tjetrit me përvujtëni. O Zot bën që jeta dhe dëshira e tij të vazhdojnë të jenë dritë për Kishën, për Shqipërinë dhe për brezat e rinj, u shpreh famullitari Popaj.
Kryetari i Këshillit të Kishës Zoja e Shkodrës, z. Ndrekë Tonaj, në fjalën e tij theksoi se nderojmë një jetë të shenjtë shndërruar në dëshmi, shpresë, besimi, sakrifice, përvujtërie dhe dashurie për Zotin, njeriun dhe kombin. Kardinal Simoni është shembulli i njeriut që, edhe përballë vuajtjeve më të mëdha, nuk e humbi kurrë besimin; i meshtarit që nuk e mohoi Krishtin; dhe i shqiptarit që, edhe në orët më të errëta të historisë sonë, ruajti të paprekura dinjitetin, ndërgjegjen dhe shpresën. Të nderosh Kardinal Simonin do të thotë të nderosh jo vetëm një meshtar të devotshëm, por edhe historinë e vuajtjeve dhe të qëndresës së popullit tonë. Do të thotë t’u kujtojmë brezave të rinj se liria e besimit, dinjiteti njerëzor dhe dashuria për atdheun janë vlera që duhen ruajtur me çdo kusht në familje, shoqëri dhe shtet.
Gazetari i shquar i “Zërit të Amerikës”, z. Frank Shkreli, deklaroi se Kardinali Ernest Simoni-Troshani i përket atij brezi të klerikëve shqiptarë që përjetuan, drejtpërdrejt, përndjekjen e egër të regjimit komunist. Ai kaloi një jetë besimi dhe qëndrese. Kardinali shqiptar njohu burgun dhe vuajtjet, por nuk hoqi dorë nga besimi i tij. As dhuna dhe as kërcënimet nuk arritën t’ia thyenin shpirtin. Historia e tij dëshmon se njeriu mund të privohet nga liria fizike, por të mbetet i lirë në ndërgjegje. Mund të përballet me padrejtësi, por të mos e humbasë dinjitetin. Për këtë arsye, Kardinal Simoni nuk është vetëm një figurë e shquar e Kishës Katolike. Ai është edhe simbol i qëndresës shpirtërore të shqiptarëve dhe një dëshmitar i një kohe kur diktatura komuniste enveriste u përpoq të shkatërronte çdo shprehje të lirë të besimit fetar, tha ndër të tjera z.Shkreli.