
Besnik Fishta/
Pullat postare të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri përbëjnë një kategori të veçantë të emisioneve postare, e cila ka një rëndësi të dyfishtë, funksionale dhe kulturore. Ato nuk shërbejnë vetëm si mjet për dërgimin e postës gjatë sezonit festiv, por përfaqësojnë gjithashtu një pasqyrë të traditave, vlerave dhe nivelit kulturor të një shoqërie. Fillimet historike e këtyre pullave lidhet me emisionet të fundvitit në Kanada, ne te cilen u lëshua pulla e pare e Krishtlindjeve (fig.1), me mbishkrimin “XMAS 1898”. Edhe pse nuk paraqiste skena fetare, ajo shënoi fillimin e një tradite qe vazhdon edhe sot.
Fig 1.
Shkrimi “XMAS 1898” është formë e shkurtuar e fjalës Christmas, pra është një pullë e posaçme e Krishtlindjeve. Ne imazhin e pulles shihet harta botërore ku të gjitha territoret e Perandorisë Britanike janë ngjyrosur me të kuqe. Shprehja “WE HOLD A VASTER EMPIRE THAN HAS BEEN” ishte një thënie propagandistike që theksonte madhësinë e Perandorisë Britanike, qe ne gjuhen shqipe do te thote; “Ne mbajmë një perandori më të gjerë se ç’ka qenë ndonjëherë”. Pulla eshte e nje rendesie te vecante sepse nderkohe ishte pulla e parë botërore me hartë, dhe qe simbolizonte kulmin e Perandorisë Britanike,si “perandoria ku dielli nuk perëndon kurrë”. Si e tille u be shumë e vlerësuar në koleksionet tematike historike dhe koloniale, dhe përdorej shpesh si simbol i ekspansionit kolonial në filatelinë e shekullit XIX. Shtetet e Bashkuara emetuan me 1962, pullen e parë festive amerikane qe paraqiste një kurorë Krishtlindjesh. Më vonë, USPS(USPS është United States Postal Service, pra Shërbimi Postar i Shteteve të Bashkuara.) lëshoi seri të shumta me motive fetare dhe laike.Me pas Gjermania e njohur për pullat me riprodhime të artit të krishterë, sidomos piktura të Rilindjes dhe Barokut, Austria qe ka prodhuar pulla të Krishtlindjeve me cilësi të lartë artistike, shpesh të stampuara në letër të veçantë, me reliev ose me ar të shtypur. Që atëherë, kjo traditë është përhapur në të gjithë botën, duke u bërë një element i njohur i kulturës postare dhe koleksionizmit. Nga pikëpamja filatelike gjate koleksionimit, pullat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri mund të kategorizohen në dy grupe kryesore: me motive fetare dhe me motive sekulare. Grupi i parë përfshin skena biblike, figurat e shenjta dhe simbole të “Lindjes se Krishtit” ose thjesht “Krishtlindja”, ndërsa grupi i dytë përqendrohet në elemente festive, si pemët e Krishtlindjeve, figurat e Babagjyshit, dëbora, lodrat dhe peizazhet dimërore. Kjo dyndje tematike reflekton mënyrën se si kultura, traditat dhe besimet e komuniteteve qe pasqyrohen në emisionet postare. Lëshimi i këtyre pullave ka një funksion të qartë praktik, përdorimin në kartolina dhe letra festive, por gjithashtu ka një dimension filatelik të rëndësishëm. Koleksionistët vlerësojnë këto pulla jo vetëm për estetikën dhe diversitetin e dizajneve, por edhe si dokument historik të zhvillimeve kulturore dhe artistike në periudha të caktuara.
Në një perspektivë krahasuese rajonale, tradita e emisioneve postare festive në Ballkan paraqitet si një fenomen qe ka qene prezent, që shërben për të reflektuar atmosferën e fundvitit dhe simbolikën e festave përmes ikonografisë filatelike fetare, siç vërehet, për shembull, në Greqi apo Serbi. Ndryshe nga këto raste, Kosova, si shembull i një praktike bashkëkohore, ka realizuar dy herë emisione sekulare të dedikuara festave të fundvitit, duke u rreshtuar pranë tendencave ndërkombëtare të vizualizimit kulturor përmes pullës postare. Në kontrast të dukshëm me keto shembuj, Shqipëria ka mbetur deri më sot pa asnjë gjurmë festive në repertorin e saj filatelik. Kjo mungesë lidhet ngushtësisht me karakterin strikt laik të shtetit shqiptar që nga lindja e tij, i cili gjatë periudhës së monizmit u vendodos ne nje pozicion ekstrem,I ndikuar nga struktura ideologjike e regjimit socialist. Në vitet 1945–1990, si shtet njëpartiak dhe ateist, Shqipëria e konceptonte festën e Vitit të Ri si një ngjarje universale me karakter familjar, dhe kryesisht si një vazhdimësi e ritualeve politike të percaktuara ideologjikisht. Festat, në këtë kontekst, ishin të gjitha të kontrolluara dhe të instrumentalizuara për të afirmuar arritjet e sistemit socialist, duke u shtrirë në të gjithë kalendarin vjetor si jehonë e sukseseve të zhvillimit ekonomik e shoqëror. Viti i Ri, për rrjedhojë, shihej më tepër si një rast për të legjitimuar ideologjinë e kohës sesa për të krijuar një atmosferë të gëzimit kolektiv. Radiotelevizioni, si mjet propagandistik, përpiqej të prodhonte një atmosferë festive, por kjo mbetej e zbehtë dhe e kufizuar, ndërsa kartolinat, të cilat sot i kujtojmë me një nostalgji të natyrshme me urimet e tyre zëvendësonin ikonografinë klasike të Krishtlindjes, duke e zhvendosur fokusin nga dimensioni shpirtëror tek ai politik. Pas viteve ’90, megjithëse Shqipëria hyri në një realitet të ri politik e shoqëror, repertori filatelik nuk pasqyroi ndryshime të dukshme: simbolet festive të fundvitit munguan njësoj si më parë, duke e lënë Krishtlindjen dhe Vitin e Ri jashtë vizualizimit postar. Ne te kundert te kesaj, Filatelia e Kosovës ne kete tematike, ka zhvilluar një stil të vetin, të orientuar drejt dizajnit modern dhe simbolikës së paqes ne dy emisionet e saj te cilat po i trajtojme me poshte.
Fig.2
Pullat postare ne fig.2 te vitit 2003, jane lëshuar nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe përfaqëson shembullin e pare të pasqyrimit filatelik të festave të fundvitit në hapësirën shqiptare. Ne pullen e pare simbolika vizuale tregohet me tre qirinj të ndezur,si simbol i dritës, ngrohtësisë dhe shpresës, i lidhur ngushtë me atmosferën e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri., Elemente dekorative festive me gjethe jeshile, ngjyra e kuqe dhe zbukurime të arta përforcojnë ndjesinë tërheqëse të festës dhe janë tipike për kartolinat dhe dekorimet e fundvitit në traditën perëndimore. Pulla e dyte përfaqëson një shembull të veçantë të filatelisë në një kontekst pas-konflikti. Pasqyrohen dy figura njerëzore të stilizuara. Me formë abstrakte dhe pa detaje të identifikueshme, ato mund të përfaqësojnë universalitetin e njeriut, barazinë, apo bashkëjetesën në një mjedis shumëkulturor. Pullat i ka lëshuar UNMIK, jo një autoritet shtetëror vendas, çka tregon se filatelia në Kosovë në atë periudhë ishte nën administrim ndërkombëtar.Teksti është në tri gjuhë zyrtare: anglisht, shqip dhe serbisht, duke reflektuar karakterin shumëgjuhësh dhe shumëkulturor të misionit në Kosovë, dhe përpjekjen për përfshirje dhe komunikim të barabartë. Emri i artistit “R. Ferri” eshte tregues i përfshirjes se krijuesve vendas në përfaqësimin vizual të misionit ndërkombëtar.
Fig.3
Ne emisionin e dyte te tematikes qe shqyrtojme, pulla e pare ne fig.3 është një nga më të realizuarat vizualisht në filatelinë kosovare moderne, duke kombinuar ngjyrat, simbolikën dhe emocionin për të shprehur atmosferën e festave të fundvitit. Ajo i përket emisionit të vitit 2019, një periudhë kur Posta e Kosovës intensifikoi përdorimin e motiveve grafike moderne dhe festive për publikun e gjerë. Në sfond shpërthejnë fishekzjarre të mëdha në ngjyra vjollcë, blu, jeshile e të verdhë. Te cilat krijojnë një ndjesi dinamike dhe festime masive publike dhe sugjerojnë nisjen e një viti te ri me shpresë. Në pjesën e poshtme shfaqet një grup i madh njerëzish të vendosur përballë skenës së fishekzjarreve. Këto figura përfaqësojnë bashkësinë, familjet dhe brezat e ndryshëm, japin një ndjesi bashkimi, gëzimi kolektiv dhe shoqërizimi; pasqyrojnë traditën shqiptare te festimeve të përbashkëta të fundvitit në qytete, sheshe dhe ambiente publike në Kosovë. Prania e fëmijëve e bën imazhin veçanërisht emocional, duke treguar se festat nuk janë thjesht ngjarje, por përjetime të një brezi në tjetrin. Pulla e dyte paraqet një kompozicion ikonografik që ndërthur simbolikën kombëtare me atmosferen festive të fundvitit, duke e pozicionuar Kosovën në një dimension shpirtëror, kulturor dhe komunikues tipik të traditës festive evropiane. Elementi qendror i paraqitjes eshte globi ku shfaqet konturi i hartës së Kosovës i vendosur mbi sfondin me yjet e flamurit shtetëror, qe funksionon si metaforë vizuale e shtetësisë së qëndrueshme dhe aspiratave integruese të vendit. Rrethimi i imazhit me elemente të dekorit festiv, drita të arta, ornamente të Krishtlindjeve dhe degë halore, i shton pullës dimensione të gëzimit dhe te paqes, duke e vendosur këtë emision brenda traditës së pullave të fundvitit që promovojnë urimet ndërkombëtare. Ky emission “Festat e fundvitit” është një shembull i shkëlqyer i filatelisë tematike bashkëkohore, që refleton energjinë e festave, bashkimin e njerëzve dhe ngrohtësinë e fundvitit, duke e bërë një nga emisionet më tërheqëse të Postës së Kosovës.