

Ndriçim Bejko/
Sivjet ishte viti i 21-të Festivalit të Skulpturave të Rërës këtu në Revere të Massachusetts. Festivali si fillim ka filluar vetëm me bërjen e 1 kështjelle prej rëre për të impresionuar publikun dhe testuar dëshirën për të vazhduar garën më tej. Vitet e tjera që do pasonin do e kthenin këtë eveniment në një konkurs të mirëfilltë arti dhe një traditë që bëhet akoma më tërheqëse dhe e pandarë nga kalendari vjetor i publikut artdashës.
Pjesëmarrja e publikut i kalon 200,000 mijë vizitorë çdo vit duke e kthyer në konkursin dhe festivalin e skulpturave të rërës më të rëndësishmin në botë. Pas një pritjeje të gjatë që prej 2010 -ës, më së fundi çifti i ri që menaxhon këtë festival që prej 2021 fill pas Corona Virusit më dha shansin që vjet të merrja pjesë për herë të parë duke u përfshirë në 15-shen më të mirë të skulptorëve të përzgjedhur. Kjo u arrit pas një testi që unë kalova në vitin 2023.
Ndërsa sivjet ata më dërguan ftesën që të bëhesha pjesë e 10 skulptorëve të përzgjedhur posaçërisht për këtë eveniment. U paraqita me kompozimin tim me titull “I want to break free”. Kompozimi im përfshin një figurë femërore e cila gjendet brënda një kornize ashtu si zakonisht ne shikojmë pikturat nudo nëpër shumë sallone apo galeri arti. Krijimi im nuk ka të bëjë thjeshtë me një figurë femër që përpiqet të dalë jashtë 1 kornize por ka të bëj me 1 fenomen shumë të theksuar shoqëror ku seksi mashkull e sheh seksin femër si një pronë dhe përpiqet ta ketë gjithmonë atë nën kontroll. Fatkeqësisht ky fenomen është shumë shqetësues në vendin tonë dhe pa folur për ato vënde ekstreme ku gruaja mbahet e mbuluar si një skllave, goditet me gurë dhe përçudnohet në mënyrë barbare.
Kjo skulpturë është një thirrje shpirtërore për të dy gjinitë që ky fenomen të marrë fund duke respektuar njëri-tjetrin në mënyrën më reciproke dhe humane të mundshme.
Pjesëmarrja në festival konsistoi në faktin që 3 ditë para konkursit ne u grumbulluam për të krijuar skulpturën qëndrore e cila sivjet kishte temën 250 vjetorit të fillimit të revolucionit me Paul Revere.
Sasia e rërës për skulpturën qëndrore shkon rreth 200 ton ndërsa për ne konkurentët rreth 30 ton. Konkursi filloi të mërkurën dhe mbaroi të shtunën. Çdo ditë punuam fort nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 5 pasdite përveç të shtunën ku Festivali u mbyll në orën 2 për ti dhënë kohë komisionit për ndarjen e çmimeve. 3 pjesëtarë të komisionit vlerësues ishin prezent dhe pjesa tjetër online.
Nuk arrita të merrja çmim por për mua çmimi më i madh është të isha pjesë e 10 skulptorëve më të spikatur në botë me një eksperiencë të gjatë në skulpturat e rërës. Mesa mora vesh të gjithë pjesëmarrësit jetonin vetëm nëpërmjet skulpturave të të rërës, akullit dhe borës. Dita më sfiduse për mua ishte e mërkura e cila fillonte me ngjeshjen e rërës. Format që u përdorën i përgatitëm 1 dit më parë që çdo gjë të ishte gati sipas dizanjit të zgjedhur.
Skulptura ime ishte në kufijtë e maksimales me një përllogaritje ekzakte ku dhe lopata e fundit e rërës u përdor në krijim. Dimensionet e skulpturës sime duke përfshirë edhe bazamentin ishin 2m45cm x 2m45cm ose (8’ x 8’) ndërsa dimensioni i 3-të është me gjerësi 2m45cm x 2m45cm x 75cm ose në inch! 8’ x 8’ x 2’1/2”. Një eksperiencë e paharrueshme.