
Në një shfaqje televizive në një nga televizionet tona kombëtare, para konkurrentëve të konkursit u shtrua pyetja: “Sa gjini ka emri në gjuhën shqipe?”.
Kjo ishte një pyetje e vështirë për konkurrentët e atij konkursi televiziv, të cilët ishin shqiptarë, shqipfolës, që lëndën e gjuhës shqipe e kanë bërë për 8-9 deri në 12 vjet nëpër shkolla. Përgjigjja e konkurrentit ishte: “Dy gjini: gjinia femërore dhe mashkullore”.
Nga kjo përgjigje mora shkas të trajtoj këtu edhe gjininë asnjanëse të emrave në gjuhën shqipe, që ky konkurrent, ashtu si një pjesë e madhe e shqipfolësve, siç duket, nuk e dinë që ekziston.
ATËHERË, emri në gjuhën shqipe ka tri gjini: gjinia mashkullore, gjinia femërore dhe gjinia asnjanëse. Edhe pse gjinia asnjanëse është drejt zhdukjes, këta emra ekzistojnë ende në gjuhën shqipe.
EMRA ASNJANËS janë kryesisht emra të nyjshëm, që kanë ardhur nga:
1. emërzimi i pjesoreve të foljeve: të ecurit, të ardhurit, të qarët, të qeshurit, të menduarit, të qenët etj.;
2. emërzimi i mbiemrave duke ruajtur nyjën përpara, p.sh.: të errëtit, të kuqtë, të zitë etj.
Përveçse shumë shqipfolës nuk e dinë që këta janë emra asnjanës, por edhe kur i përdorin nëpër rasa të ndryshme gjatë të folurit apo të shkruarit, i përdorin gabim. Ndaj e shoh me vend të sqarojmë dhe të kuptojmë më mirë nga vijnë këta emra dhe si t’i përdorim drejt ata.
Në literaturë dhe jo vetëm hasim plot raste, kur përdorimi i këtyre emrave nëpër rasa të ndryshme është gabim. Kështu hasim: /Ishte ënjtur nga të qarit./ Të qenit njeri me virtyte është gjë e rrallë sot./
Në këto dy fjali këta dy emra asnjanës, “të qarit” dhe “të qenit”, janë shkruar gabim.
Për ta kuptuar se si shkruhen saktë, le t’i lakojmë sipas rasave emrat e këtyre dy grupeve:
- Grupi i parë: emrat që vijnë nga pjesoret e foljeve
Emërore: të qenët/të qarët/të ngrënët
Gjinore: (i/e) të qenit/të qarit/të ngrënit
Dhanore: të qenit/të qarit/të ngrënit
Kallëzore: të qenët/të qarët/të ngrënët
Rrjedhore: të qenit/ të qarit/të ngrënit etj.
Shohim që në rasën emërore dhe kallëzore këta emra asnjanës dalin më –ët, kurse në gjinore, dhanore e rrjedhore dalin më -it. (Morfologjia e gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave)
Pra, te dy fjalitë më sipër kemi përdorimin e gabuar të trajtës së gjinore-dhanores në vend të emërores e kallëzores. Këta emra asnjërës saktë do të ishin:
/Ishte ënjtur nga të qarët./ Të qenët njeri me virtyte është gjë e rrallë sot./
Por, KUJDES! Duhet pasur parasysh se në rastin e emrave asnjanës që vijnë prej pjesoreve më –ur, -uar, -yer (p.sh.: të folurit, të ecurit, të menduarit etj., trajta e gjinore-dhanores dhe trajta e emërores e kallëzores përputhen:
Emërore: të folurit/ecurit/të mësuarit
Gjinore: (i/e) të folurit/ecurit/të mësuarit
Dhanore: të folurit/ecurit/të mësuarit
Kallëzore: të folurit/ecurit/të mësuarit
Rrjedhore: të folurit/ecurit/të mësuarit etj.
Pra, për t’i përdorur saktë nëpër rasa emrat asnjanës prejfoljorë, duhet parë se nga vijnë:
- nga pjesore që dalin më -ë, (qenë-të qenët; qarë-të qarët; parë-të parët, pirë-të pirët, sharë-të sharët, ngrënë-të ngrënët etj.), që në emërore dhe kallëzore dalin më -ët, kurse rasat e tjera më -it;
- nga pjesore që dalin më -ur, -uar, -yer (folur-të folurit; menduar-të menduarit; ecur-të ecurit, vrapuar-të vrapuarit, të lyerit etj.) Këta emra dalin më -it në të gjitha rasat, pra dalin njësoj.
- Grupi i dytë: emrat që vijnë nga emërzimi i mbiemrave
Këta emra dalin njësoj nëpër të gjitha rasat.
Emërore: të errëtit/të kuqtë
Gjinore: (i/e) të errëtit/të kuqtë
Dhanore: të errëtit/të kuqtë
Kallëzore: të errëtit/të kuqtë
Rrjedhore: të errëtit/të kuqtë etj.
Pra, kjo kategori emrash asnjanës dalin në formë të ngurtësuar, njësoj në të gjitha rasat, sa shumë specialistë të fushës mendojnë të hiqet kategoria gramatikore e rasës të këtij grupi emrash.
Mirëpo në literaturë hasim edhe disa trajta të këtyre emrave asnjanës prejfoljorë, të llojit: të ftohurin, të vonuar, të menduarin etj.
Këto trajta përdoren kur i referohen emrit që përcaktojnë dhe duam të shmangim përsëritjen e këtij emri.
Nxënësi i ftohur: i ftohuri: Atë të ftohurin mos e merrni në ekskursion!
Nxënëse e menduar; e vonuar: Të vonuarën qortoje, të menduarën lëre të mendohet!
Përgatiti: Sevi Lami Agolli