Marjana Bulku
Nju Jork/
Emigrantet mund të konsiderohen si një barometër tranzicionesh dhe krizash rajonale e që pavarësisht kësaj transportojnë ngado me vete kulturën e vendit nga vijnë që me edukim e kultivim , festa e promocion e mbajnë gjallë sa munden .
Edukimi në vendet pritëse shndrrohet në një mundësi më shumë në pafundësinë e sfidave ku ruajtja e indentitetit çmohet dhe vlerësohet pasi pa asnjë dyshim kultura mbetet aseti i patundshëm dhe një pasuri shpirtërore e pazëvëndësueshme.
Po çfarë po ndodh me këtë trashëgimni prej gjuhe e normash, kodesh nderi e bese , mikpritje e vyrtytesh që ishin amanet brezash në botën globale që vrapon?!
Sa vlejnë këto të fundit kur shtetet amë përfshihen në amoralitet e korrupsion , shthurje e skandale qeveritare a thua se ky është misioni i tyre që t’ua nxijnë jetën dhe emrin qytetarëve të vet!
Po mbushen pothuaj 11 -vjet që edhe unë iu turra Amerikës si shumë të tjerë dhe si çdokush që kthen kokën pas, zikzakeve të emigrimit gjen aty dilemat ekzistenciale të qënies .
Qysh në ditët e para kur vendosëm të jemi rezident këtu u desh të përballemi me mjaft vështirësi ku sidomos ato natyrore të tmerrojnë edhe ti mendosh e le më pastaj ti përjetosh.
Është e frikshme të ndjekësh se si reagon një popullsi kaq e madhe kur ndeshet me ciklone të ftohti, përmbytje, tërmete, pandemi… mjafton të kujtosh marketet e boshatisur dhe lakminë e pangopshme të popullatës për ushqim dhe nevoja të tjera po kaq utilitare.
Krizat sistematike globale duket se i kanë shnderruar popullatat në robêr të fatkeqsive ku autor është jo vetëm natyra por edhe qeveritë përkatëse.
Emigrimet masive janë një tjetër fatkeqsi po aq sa ato natyrore sepse vendet amë po zbrazen nga vullnete , projekte energji e ndërkohë qeverisjet e padrejta majmen kur popujt tkurren , robërohen , nënshtrohen .
-Mos ikni!
-Thoja gjithmonë kur kthehesha në atdhe, atje ku tokat e begata dergjeshin djerr nga dembelizmi, pavullneti, paimagjinata,etj etj .
Ishte një thirrje e sinqertë që buronte nga shpirti që patriotizmin dhe atdhedashurinë e ndjen edhe më fort kur është larg vendit amë.
Kinezët që nuk lejnë kanaçe e pëllëmbë dheu pa mbjellë me barishte e gjeth më bënin të kuptoj se një krizë e fortē po vjen , do vijë , është në proçes ardhjeje…
Filipinasit aq fort të lidhur me njëri-tjetrin ndajnë edhe kafshatën e fundit mes tyre.
Haitianët të egër nê fytyrë e të pangopur me të drejtën e me gjithçka dhe që aq pak dijnë të jenë të drejtë me veten dhe me të tjerët.
Ukraninasit dhe vargu i gjatë i paradokseve që prodhon lufta e superfuqive që forcën e mat me të dobtin duke ia venitur çdo lloj mundësie deri në mohim ekzistencën atyre nga etja e vet e pa fre për fuqi.
Lutje sirianësh, zvarritje meksikanësh … kjo tablo metropolitane që flet pak e nënkupton shumê.
Por kjo është vetëm paksa nga ajo tërësi kulturash që emigrantët mbartin sepse kultura deri diku është aset i qëndrueshëm i asaj çka ata marrin me vete ndërsa problematikat e jetës së tyre janë një tjetër mbivendosje që e bëjnë shumëdimensionale problematikën që mbëshjell jetët njerëzore në kontinentin e ri ku turren të rinisin një jetë të re me plagë të vjetra.
Kultura bëhet kêshtu identiteti pêrmes të cilës përshfaqet individi në mjedisin fluid amerikan.
Kur përmendet Shqipëria shumëkujt i vjen në mendje besa, mikpritja, trimëria , dikujt tjetër diktatori Hoxha,demokracia e brishtë , pastaj mafia, droga dhe gjëra si këto metastaza të së keqes.
Kohët e fundit sapo përmend se je shqiptar hapen biseda të pakëndëshme për drogë e marjuanë edhe pse stendave të metropolit më të madh të botës ndriçon një shqiptare brilante si Ermonela Jaho por mesa duket muzika është luksi i fundit që i nevojitet shpirtit njerëzor fatkeqsisht.
Êshtë e pamundur të kuptosh apo paragjykosh universin njerëzor brenda konglomeratit që prodhon droga brenda dhe jasht qënies që i nënshtrohet këtij fenomeni që vret jetën pak e nga pak , duke i vrarë vullnetin për punë dhe duke i injektuar pangopshmërinë për pasurimin e rrufeshëm. Por është një gjë që dihet me siguri ;fatkeqsia se ky fenomen stigmatizon edhe individin e ndershëm , të shkolluar dhe kultivuar përmes dijes dhe punës së ndershme ndaj dhe irritimi i kësaj shtrese që besoj është mazhoritare në arenën shqiptare duhet të jetë edhe kurimi i dramës së shekullit të ri ku puna e ndershme zhvleftësohet, shkollimi nënvleftësohet dhe paraja e ndotur ndot një shoqêri të të tërë , këtë fajtore të pafaj.
Kaq shumë lakohet droga, mafia, korrupsioni kur përmenden shqiptarët sa pothuaj është harruar Besa, bujaria, mikpritja , tipare këto qé i dallonin shqiptarët një dekadë më parë dhe që ishin burim legjitim i krenarisë tonë etnike.
Irritohuni qytetarë sa herë që ua përçudnojnë nderin , krenarinë , truallin dhe pasurinë, atë shpirtrore dhe materiale .
Irritohuni sa herë që ju stigmatizojnë për turpe që ideohen dhe fabrikohen zyrave, skutave, errësirave duke hedhur hije faji mbi gjithkënd .
Irritohuni kur jua mbysin fjalën dhe lirinë .
Irritohuni kur ju thonë se nuk jetohet me punë të ndershme.
Irritohuni sa herë që kultivohet droga në vend të besës, vyrtyteve, dijes.
Irritohuni sa herë që ua nxijnë jetën dhe emrin.
Irritohem kur më thirrin Marjuana.
Emri in nuk është Marjuanë.
-Më duhet ta përsëris shpesh kur me shaka ose jo thirrem ndoshta sepse lajmet për shqiptaret lidhen kaq shumë me drogë e marjuanë , vrasje e korrupsion.
Edhe pse janë shkruar aq shumë histori shqiptare ku e mira prevalon mbi të keqen lajmi i ditës êshtë kronika e ikjes , e dhunës , ajo e nënshtrimit të së drejtës , kaosit politik, korrupsionit qeveritar, eleminimit të pluralizmit, mohimit të lirive esenciale.
Vargu i pafund i ikjeve êshtë varg zhgënjimesh dhe dështimesh politikanêsh që luajnë pimpong me ëndrrat e pashpresa të shqiptarëve.
E megjithëse ikin stigma nuk ju ndahet , i ndjek dhe i përndjek si mallkim i stërlashtë .
Nuk e shaj dot Amerikën , atdheun e bijve që atdheu i vet i la pa atdhe , as nuk e lavdëroj dot sepse e dua por ndjej se sa e pafuqishme është ajo për të zgjidhur hallet e globit që mbart brenda territoreve të veta duke i bërë qytetarë të saj me të drejta e liri që përtej oqeanesh , nëpër kontinentet e vjetër ku rigjenerojnë sërish ëndrrat e vjetra e dhunohen qytetarë e ku e drejta e të drejtëve as që mendohet të jetëzohet ende edhe pse prej shekujsh ëndërrohet.