Ambasador Flamur Gashi/
Në çdo qytet të Dardanisë, Maqedonisë, në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, në Malit të Zi dhe kudo ku ka dhe jetojnë shqiptarë është meritore të ketë shkolla, rrugë, sheshe dhe shtatore me emrin e themeluesit dhe përhapësit të arsimimit kombëtar në këto anë.
Si çdo datë të lindjes së tij, në mirënjohje të thellë kujtojmë atë që mundësoi hapjen e shkollave shqipe në Dardani dhe në trojet e tjera etnike shqiptare, të mbetura jashtë Shqipërisë së vitit 1912, Ministrin e Arsimit Ernest KOLIQI.
Ai që ndërmorri misionin për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare në Maqedoni të Veriut, Luginë të Preshevës, Mal të Zi dhe Çamëri, ka qenë intelektuali, studiuesi, publicisti dhe shkrimtari i njohur Ernest KOLIQI, i cili në atë kohë (1939 -1942), ishte Ministër i Arsimit të Shqipërisë.
Në vitin shkollor 1941–1942, në Dardani-Kosovë u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941, u hap Shkolla Normale në Prishtinë.
Në fillim, në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Në mesin e këtyre mësuesve kishte edhe mjaft të rinj nga Kosova që ishin shkolluar në Shqipëri, por që nuk kishin mundur të ktheheshin më parë në Kosovë. Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin shkollor 1943 – 1944, ky numër u rrit në 400.
Po në këtë vit shkollor mësimet i vazhdonin mbi 25 mijë nxënës. Këto shkolla u bënë vatra të diturisë dhe atdhedashurisë.
Më këtë mision të jashtëzakonshëm, Kryeministri i Shqipërisë, Mustafa (Merlika) KRUJA dhe Ministri i Arsimit Ernest KOLIQI, kishin ngarkuar intelektualin dhe pedagogun gjirokastrit, Ali HASHORVA. Ishte ky mision arsimor, atdhetar e vizionar që mishëronte programin e madh të “Rilindjes Kombëtare”, për përhapjen e diturisë e përparimit, zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjës kombëtare.
Emrat e Kryeministrit Mustafa KRUJA dhe Ministrit të Arsimit Ernest KOLIQI, janë të skalitur thellë në guret e themelit të arsimit kombëtar!
Pa kontributin e tyre madhor, e vështirë është të imagjinohet se si do të ishte gjendja e arsimit dhe e kombit tonë në përgjithësi jashtë kufijve të Shqipërisë zyrtare…