QSPA/
Përkujtojmë në 50-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit, studiuesit, publicistit, figurëns poliedrike dhe njërit prej intelektualëve më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave, Ernest Koliqi.
Ernest Koliqi lindi më 20 maj të vitit 1903 në Shkodër në një familje me origjinë nga Dukagjini. Ndoqi mësimet e para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve. Më 1918 fillon studimet në Kolegjin Jezuit Arici në Breshia të Italisë. Atje së bashku me disa studentë të tjerë themelon gazetën “Noi giovani” (Ne të rinjtë), ku edhe boton poezitë e para në italisht. Koliqi ka meritën e bashkëthemelimit të tregimit modern shqiptar, ndërkohë ishte poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, madje dhe dramaturg. Për më shumë se tridhjetë vjet dha mësim në Padova dhe Romë të Italisë. Prof. Koliqi ishte veprimtar i shquar në fushën e politikës të gjysmës së parë të shekullit XX, duke mbajtur postin e Ministrit të arsimit në qeverinë Vërlaci, ku i njihet merita e dërgimit të 200 mësuesve shqiptarë në trojet shqiptare jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë dhe përhapjesë së botimeve dhe shkollave shqipe në trevat shqiptare. Por, njëkohësisht së bashku me intelektualë të tjerë E. Koliqit i njihet merita e mbajtjes së Kongresit Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare, bërthama e ardhshme e Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë. Ishte themelues dhe drejtues i tri revistave kulturore: “Ora e maleve”, “Shkëndija” dhe “Shêjzat”, si dhe themelues i Institutit të Studimeve Shqiptare pranë Universitetit “La Sapienza” në Romë. Ndër veprat e tij më të njohura përmendim: Kangjelat e Rilindjes, Kushtrimi i Skanderbegut, Hija e maleve, Symfonia e shqipevet, Shija e bukës mbrûme, Antologjia e lirikës shqiptare etj. Prof. Ernest Koliqi u shua më 15 janar 1975, në Romë duke e lënë këtë jetë me dëshirën e zjarrtë, të paplotësuar, të kthehej rishtas në Shkodër.
Në foto botimet e realizuara nga QSPA vitin e kaluar, kushtuar veprimtarisë së gjerë të Koliqit: “Poliedriku Ernest Koliqi në 120 vjetorin e lindjes” (Botimi i Akteve të Kuvendit të mbajtur më 5 maj 2023 si organizim i QSPA-së, në bashkëpunim me ASA); “Drita e Shejzave” – Publicistikë 1957 – 1974, ideuar, kuruar dhe me parathënie nga Prof. Ardian Ndreca; “Shkrime të Ernest Koliqit për letërsinë arbëreshe”, nën kujdesin e prof. Ymer Çiraku dhe dr. Loreta Loli. Këta tituj në versionin online, mund t’i gjeni në botimet e vitit 2023-2024, në linkun në vijim: http://qspa.gov.al/botime/