Nga Kozeta Zavalani/
Në Sallën Unesco të Muzeut Historik Kombëtar u mbajtën zgjedhjet e reja për Këshillin e Lokal të Paqes për Tiranën. Kaluan dy vjet nga nëntori 2011 pas promovimit të librit “Si qytetar global e paqedashës”, dhe zgjedhjes së kryesisë së Këshillit të Paqes për Tiranën. Ndaj secili duhet të pyesë veten, se çfarë ka bërë për të merituar titullin “Ambasador për Paqen”- të krenohet apo të turpërohet, që nuk ka bërë maksimumin e mundshëm. Personalisht jam ndjerë e fat, që kam pasur bashkëpuntorë të tillë të përkushtuar për paqen si Bajram Ibraj, Ali Lacaj, Qemal Çejku, si Gani Roshi e Sokol Rexhepi, si Katarzina Minollari, Lavdie Ruci e Saemira Pino etj… Titullin “Ambasador për Paqen”e marrin ata individë, jeta e të cilëve reflekton dukshëm idealin e të jetuarit për hir të të tjerëve dhe që i përkushtohen me punën e tyre promovimit të vlerave morale universale, duke pasur detyrë të jemi zëri i atyre që nuk kanë zë, një dorë vëllazërore që zgjatet, për të shtrënguar dorën e tjetrit, e kështu së bashku, të krijojmë një jetë me mirësi e harmoni, mireqenie dhe dashuri. Keshilli i Paqes së Tiranës, veprimtarinë e parë e ka zhvilluar në fund të dhjetorit të 2011 në bashkëpunim me Bashkinë Kamëz, ku ka dhënë kontribut të veçantë nënkryetari Qemal Çejku, për ndarjen e dhuratave fëmijëve jetimë e atyre të dalluar, me rastin e festave të fundvitit. Drejtuesja e mirënjohur Silvana Braçe, Ambasadore për Paqen, moderoi veprimtarinë plot dashuri e passion, duke ngjallur emocione tek të pranishmit.
Një ndër parimet e Federatës për Paqe Universale është bashkëpunimi ndërfetar – thelbësor për paqen në botë. Siç e dimë të gjithë, traditat fetare janë themeli dhe pika fillimi i kulturave, ndaj edhe ne i respektojmë ato, duke zhvilluar vizita urimi në kishën katolike, me Imzot Rrok Mirditën dhe Vëllazërinë Ugjillore.
Dashuria është simboli i mëmësisë dhe bazamenti i Ambasadorëve për Paqen, ndaj dhe 14 shkurtin, ditën e dashurisë ne e kemi festuar së bashku. Ideali origjinal i Zotit ishte për një botë, të krijuar përmes dashurisë së vërtetë. Ndaj çiftet festojnë për martesa të forta e të gëzueshme, familje të shëndetshme dhe të qëndrueshme, që sjellin shoqëri në paqe; liri dhe dinjitet.Këto na bashkojnë në një vizion për të ardhmen. Ndaj dhe në themel të punës sonë është përkushtimi ndaj martesës dhe kërkesave të saj moralo-etike.
Në veprimtarinë e 8 Marsit, Gruaja si Ambasadore për Paqen, u theksua se gruaja është themeli i shoqërisë njerëzore, është shtylla e moralit të përgjithshëm, ajo është lulishtja e njerëzimit e duke hyrë në lidhjen e shenjtë – ndërton familjen, që e shpëton njeriun nga egërsia, duke e çuar në udhën e qytetërimit. Gruaja lind rrit dhe edukon të ardhmen e kombit. Më 17 maj kemi festuar Ditën Ndërkombëtare të Familjeve. 15 maji është caktuar si dita botërore e familjes qysh në vitin 1993, në bazë të konventës së OKB. Caktimi i kësaj dite tregon rëndësinë e familjes në jetë e shoqëri, si siguri e lumturi për njeriun. Festimi i Dites botërore të familjes ishte një rast i mirë për të folur mbi specifikat e familjes dhe çështjet e saj në shoqëri, për të përmirësuar jetën familjare, e cila është baza e shoqërisë. Veprimtaria u organizua në bashkëpunim me Federatën e Grave.
Familja është krijuese e civilizimeve, transmetuese e trashëgimisë dhe talenteve të individeve, që kanë lidhje të veçantë me familjen. Shoqëria e shëndoshë formohet nga familje të shëndosha, si kemi shembull çiftin Vitore e Skënder Sallaku, që marrin pjesë në çdo veprimtari dhe janë shembull për brezin e ri.
20 maji, Dita e Fëmijve jetimë, ka mbledhur qindra fëmijë, të ardhur nga Shtëpitë e Fëmijëve Tiranë, Shkodër e Sarandë dhe Fshati “Sos”, së bashku me fëmijë jetimë të policëve të rënë në krye të detyrës, fëmijë romë dhe fëmijë të mbetur jetimë nga tragjedia e Gërdecit. Ata morën pjesë bashkërisht në manifestimin e organizuar nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë. Gjithashtu, morën pjesë akademikë e profesorë, shkrimtarë e artistë të njohur, Ambasadorë të Paqes Universale, të moshuar pa përkrahje e tjerë. Ishte i pranishëm edhe ambasadori i OSBES-së në Shqipëri, Eugen Vollfarth i cili me bashkëshorten morën titullin “Ambasador për Paqe”.
23 shtatori ishte dita kur Ambasadorët për Paqe zhvilluan ceremoninë e lamtumirës për Rev. Dr.Sun Myung Moon, themeluesin e Federatës së Familjes për Paqe dhe Bashkim Botëror, që është një lëvizje ndërkombëtare me në qendër Zotin dhe jo pa qëllim në drejtim të saj është një grua, bashkëshortja e tij zonja Moon. Nën shembullin e tyre ne punojmë që në zemrat tona të ketë më shumë paqe, mirësi e dashuri.
Në takimin “Martesa e Familja në Shekullin e XXI dhe Rëndësia e Ceremonisë së Bekimit” familjet e bekuara morrën pjesë në Ceremoninë e Bekimit në Hotel Tirana International, ku u mbajt Festivali i Familjeve dhe Ceremonia e Bekimit Kozmik. Ne duhet të kuptojmë se, ashtu siç nuk kemi lindur me dëshirën tonë, ashtu edhe nuk jemi krijuar për të jetuar për veten tonë. Prandaj përgjigja e pyetjes sesi duhet të jetojmë jetën tonë, është e thjeshtë. Ne lindëm prej dashurisë. Jeta jonë u krijua duke marrë dashurinë e pakufishme të prindërve tanë, kështu që dhe ne duhet të jetojmë tërë jetën, duke e kthyer atë dashuri. Në jetën tonë, kjo është e vetmja vlerë që mund ta zgjedhim ne vetë. Suksesi apo dështimi në jetë varet nga sasia e dashurisë që jemi në gjendje të paketojmë në vitet që na janë dhënë në jetë.
E premtja pasdite ishte një ditë e veçantë për Ambasadorët për Paqe dhe anëtarët e Federatës së Familjes, të cilët u mblodhën në selinë qëndrore të FPU në Tiranë, ose ndryshe në Ambasadën e Paqes, për të përkujtuar 1 vjetorin e ndarjes nga jeta tokësore e liderit të shquar botëror rev. Dr. San Miang Mun, që nga ndjekësit e tij më të afërt quhet edhe Baba i Vërtetë. Ceremonine e drejtoi z. Sokol Rexhepi, ndërsa referues ishin znj. Lavdie Ruci, z. Bajram Ibraj, z. Astrit Memia etj, të cilët vlerësuan Babanë e Vërtetë, si një yll polar për njerëzimin. E paharruar do të mbetet shërbesa në nderim të njëvjetorit të ndarjes nga jeta të Rev. Moon për mua, zotin Rroshi e çiftin Çipa, që ishim në Qendrën Botërore të Paqes në Çonpiong, rreth 50 km në verilindje të Seulit. Ceremonia përkujtimore Seonghwa, ishte një shfaqje e mrekullueshme Gala ku Nëna Moon këndoi së bashku me dhjetra nipër e mbesa të familjes Moon dhe u lexua poezia ”Kurora e Lavdisë”.
Himni i Ambasadoreve për Paqen
Himni i Ambasadoreve për Paqen është ngritur mbi poezinë e Reverend Moon, titulluar “Kurora e lavdisë”:
Kur dyshoj tek njerëzit, ndiej dhimbje.
Kur i gjykoj njerëzit, është e papërballueshme.
Kur i urrej njerëzit, ekzistenca ime nuk ka vlerë.
Megjithatë, në qoftë se besoj, mashtrohem.
Në qoftë se dua, tradhtohem.
I vuajtur dhe i vrerosur jam sonte, me kokën midis duarsh,
E kam gabim?
Po, po, e kam gabim!
Megjithëse mashtroheni, vazhdoni të besoni.
Megjithëse tradhtoheni, vazhdoni të falni.
Doni tërësisht, madje edhe ata që ju urrejnë.
Fshini lotët nga sytë dhe i mirëprisni me buzëqeshje
edhe ata që s’dinë gjë tjetër veçse të mashtrojnë,
edhe ata që tradhtojnë pa ndier keqardhje,
nga dhimbja e dashurisë.
O, Zot! Shiko duart e mia.
Vendose dorën në gjoksin tim.
Zemra më hidhet, eh, çfarë agonie.
Por kur desha ata që vepruan kundër meje,
Solla fitore.
Në qoftë se dhe ju keni bërë të njëjtën gjë,
Unë do t’ju jap Kurorën e Lavdisë.
Në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, e cila festohet në të gjithë botën nën moton “Edukimi për Paqen”, Federata e Familjes për Paqe Botërore në kuadër të projektit në ndihmë të arsimit për fëmijët jetimë, në Hotel Tirana International shpërndau mjete mësimore falas për 100 fëmijë në nevojë, që filluan vitin e ri shkollor 2013-2014. Merrte pjesë edhe Ministrja e Arsimit dhe Sporteve Znj.Lindita Nikolla, njëkohësisht edhe Ambasadore për Paqen. Ky projekt është ndërmarrë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar për Integrimin e Fëmijëve Jetimë që ka identifikuar fëmijët që përfituan nga kjo iniciativë. FFPBB Shqipëri përmbylli kështu projektin veror, gjatë të cilit një grup prej 7 vullnetarësh udhëtuan nëpër disa qytete të Shqipërisë, për të mbledhur fonde për këtë qëllim për fëmijë të moshave 6-15 vjec, që u mungojnë njëri nga prindërit ose të dy. Gjithashtu pjesë e përfituesve ishin edhe 40 fëmijë të ngujuar për shkak të gjakmarrjes në qarkun e Shkodrës.
Gjatё pёrpjekjes pёr tё vendosur se çfarё duhet bёrё, duke pasur parasysh probleme të tilla të mëdha si kriza ekonomike apo papunësia, nganjёherё ne mund tё ndihemi tё pafuqishёm dhe t’i themi vetes se, personalisht s’mund tё bёjmё asgjё qё do tё sillte njё ndryshim. Megjithatë duhet besuar me pasion se, heqja dorё nga dhuna është njё forcë e madhe, tё cilёn çdonjëri nga ne mund ta praktikojë nё jetёn e tij tё pёrditshme, dhe se çdo individ mund tё ndikojë pёrmes fuqisё sё dashurisё e zgjuarsisë, si e vetmja forcë që mund të thyejë çdo barrierë.
Pata fatin të isha një prej 300 pjesëmarrësve Konferencën e Lidershipit Ndërkombëtar në Seul të Koresë së Jugut sponsorizuar nga UPF , në bashkëpunim me Federatën e Familjes për Paqe Botërore dhe Bashkim dhe Federatën e Grave për Paqe Botërore. Shumë nga pjesëmarrësit në konferencë ardhur nga 43 kombe, ishin zgjedhur nga Nëna Moon për një fushatë shtatë -vjeçare deri në 2020, në Vizion t kombeve për promovimin e paqes në botë, e midis tyre edhe Shqipëria jonë, ndaj ne jemi krenarë për këtë kontribut.
Në mbyllje dua të sjell zërin e ngrohtë e miqësor të Çehovit nga “Tri motrat”: “Unë besoj se mbi tokë gjithçka do të ndryshojë dalëngadalë, madje ndryshimi ka filluar në sytë tanë. Ska rëndësi koha se kur, një jetë e re dhe e lumtur do të lindë. Ne natyrisht nuk do të arrijmë atë jetë, por për atë jetojmë sot, për atë punojmë, vuajmë e krijojmë…”
Ne duhet të krijojmë njё botё, nё tё cilёn nuk ka tё panjohur, tё huaj e armiq, dhe kjo do tё kёrkojë një punë të jashtëzakonshme. E vetmja forcë që mund t’i thyejë barrierat, ёshtё fuqia e dashurisё, fuqia e sё vёrtetёs, e shpirtit. Nuk duhet të kesh fituar Çmimin Nobel pёr Paqe pёr t’u angazhuar pёr paqen. Kriteri i thjeshtё i dashurisë sё pakushtëzuar dhe heqja dorё nga dhuna, tё cilat nё mёnyrё aq tё mrekullueshme u sollёn nё jetё nga Gandi, Martin Luter King e Nënë Tereza, mund tё zbatohen nga tё gjithё. U mësoni fёmijёve tuaj vetёm kёtё. Nёse e bёni kёtё gjё kaq tё thjeshtё, sё bashku ne mund ta shёrojmё botёn. Ne jemi e ardhmja e kësaj bote. Një e ardhme e bukur, sepse çka do të jetë bota, është në duart tona e çka është në duart tona, duhet të jetë një shpresë për botën nesër…
Para se të zhvilloheshin zgjedhjet e reja, u bënë emërime të reja të personaliteteve nga fusha të ndryshme të jetës me titullin {Ambasador për Paqe, e konkretisht
1. Roza Anagnosti, aktore e shquar e Teatrit Kombëtar dhe kinematografisë. E filloi karrierën ne Teatrin “Migjeni” të Shkodrës dhe vazhdoi me kinematografinë për mbi 4 dekada me role te spikatura dhe kryesore, që mbeten në kujtesën e cdo shqiptari. Ka fituar disa medalje të festivaleve të filmave. Përveç shumë vlerësimeve e çmimeve për karrierën, Roza Anagnosti mban titullin “Artiste e Merituar” dhe “Mjeshtre e Madhe”. është dhe aktiviste e fondazioneve të ndryshme shoqërore si: Fondacioni “Nermin Vlora Falascki”, Unicef, Karitasi Shqiptar, etj. Me bashkëshortin Dhimitër Anagnosti Nderi i Kombit, ka dy vajza: Juna (mjeke pediatre) dhe Era (juriste) qё e kanё bёrё katёr herё gjyshe ( 3 nipa dhe 1 mbesё). Moto e jetёs sё saj ka qenё gjithmonё ndershmёria, familja, puna kёmbёngulёse, besimi nё vehten e saj dhe nё zot.
2. Ferdinand Samarxhi – kolegu, gazetar i mirënjohur. Kur ende ishte mjegullnaja Komuniste me inisiativën e tij, në agimin e flladit të demokracisë, në të vetmin ekran të atëhershëm u çel drita e besimit. Për shumë vite me përkushtimin e Z. Samarxhi, Zoti kumboi në ekran dhe ndërtoj në zemrat e besimtarëve një kishë, një xhami, një teqe, një Zot që s’do të humbë më kurrë. Fjala e Zotit paqtoj zemrat në një mirëkuptim tolerance, bashkëekzistence dhe harmonie, që gazetari e përcolli me shumë dashuri, përkushtim, profesionalizëm, e devocion, nën siglën e Televizionit Publik Shqiptar. Sot liria e besimit dhe gazetari ynë janë prezent në çdo veprimtari fetare të gjitha besimeve. 37 vjet gazetar, fitues i Antenës së Artë me rastin e 40-vjetorit të Radiotelevizionit Shqiptar. I vetmi gazetar që në 23 vjet në gjininë e tij, ësht i të gjitha besimeve fetare.
3.Profesor Gjovalin Shkurtaj, studiues i njohur i gjuhës dhe letërisë shqipe, lindur në Shkodër. Thuajse gjithë jetën e tij ia ka përkushtuar mësimit të gjuhës shqipe, veçanërisht në auditoret e universiteteve të Tiranës, Prishtinës, Kozencës etj, ku ka formuar me mijëra studentë të degëve të ndryshme. Krahas punës pedagogjike është marrë aktivisht me studimin e gjuhës shqipe dhe me botime të kësaj fushe, ku ndër të fundit vlen të përmendet Atlasi Dialektologjik Shqiptar, botim i vitit 2008.Është nder që të kemi mes nesh një personalitet të tillë, i cili ka dhënë një kontribut të paçmuar për Shqipërinë e shqiptarët.
4. Besim Ndregjoni, përfaqëson veten por edhe gjithë të persekutuarit, që kan treguar me vepra, se dinë të falin. Asnjë krim e vepër hakmarrje nuk kanë kryer në këto 23 vjet, ndërkohë që të tjerët për një fjalë kanë vrarë. As politika nuk u ka kërkuar falje, ndoshta nuk i ka trajtuar me dinjitetin e duhur, por ata janë thellë në shpirt Ambasadorë për Paqen. Koha e tregoi se të burgosurit politikë kishin të drejte, sepse komunizmi 70 vjeçar, dhe Lufta e ftohtë 45 vjeçare ranë, për të ardhur demokracia që ata e kishin kërkuar me idealin e tyre, me gjakun dhe me jetën e tyre. Z. Ndregjoni është DEKORUAR ME “MJESHTRI I MADH” me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” dhe është shpallur “Qytetar Nderi i Dibrës”.
Ne Ambasadorët për Paqe që kemi në themelin e organizimit tonë vlerat shpirtërore dhe jo ato materiale, në emër të vlerave shpirtërore të shqiptarëve që jetojnë në të gjitha trojet shqiptare, kërkojmë sot një falje të madhe publike. Kjo është edhe arsyeja që Kryetari i FPU zoti Bajram Ibraj ka propozuar dhe ftuar zotin Besim Ndregjoni në këtë veprimtari, për të bërë këtë falje publike edhe në emër të atyre që s[e kanë bërë, me qëllim që Këshilli Shqiptar i Paqes, i cili do të mblidhet pas 10 ditëve në Prizren, kërkon që pas 12 ditëve, nga krijimi i këtij Këshilli, më 28 nëntor 2013 ditën kur për herë të parë do të mblidhen edhe dy qeveritë së bashku, të fillojë 100 vjetori i dytë në paqe.
5. Agim Doci Fitues në 35 festivale kombëtare të Muzikës së lehtë në radio TVSH. Autor, skenarist i dokumentarëve televizivë, fitues i Çmimit të Madh të Mediave nga Centre of Exellence e NATO-s.Fitues i Çmimit të madh poetik nën kujdestarinë e Papa Gjon Palit të II në Zvicër.
Ndjenja kombëtare dhe ajo që ka bërë për pavarësinë dhe paqen në Kosovë është shumë e madhe.Ndaj është Dekoruar nga Qeveria e Kosovës, Organizata e Veteranëve dhe Invalidëve të UÇK-së, Lidhja e Shkrimtarêve Kosovë. Sot e ftojmë të bëhet pjesëtar i familjes së paqes, pasi paqja ka qenë gjithmonë e shkruar në shpirtin dhe në vargjet e këngëve që ne i këndojmë me shumë dashuri dhe që 70% e tyre i japin TV tona.
6. Bashkim Zahaj – një nga skenografët më të shquar të skenës shqiptare. Për më shumë se 2 dekada – firmë e parë në Radiotelevizionin Shqiptar ku ka realizuar mbi 300 skenografi.
Është vlerësuar me çmime të ndryshme si: Skenografia më e mirë në 1986 dhe 2007, Antena e artë 2000, Çmimi i karierës në 2001.
Nga viti 2008 i është përkushtuar edhe mësimdhënies në degën e arkitekturës.
7. Z.Kadri Morinaj, jo vetëm sipërmarrës, modeli i një prindi shëmbullor, por edhe investitor e Filantropist.Ai e sheh bamirësinë si diçka të shenjtë. Zoti Kadri Morina, i prejardhur nga trevat e burrërisë, nga Kukësi i trimave të shquar për atdhetari është President i kompanisë së sigurimeve “Eurosig”sh.a, dhe i kompanisë së Ndërtimit Euro-Alba.EA. I pagëzuar “Kadri”- nga emri i shenjtë i natës që u lind. Kemi dëgjuar për mirësitë e tij njerëzore, sikurse ishte rasti i operimit të një fëmijë 3-vjeçar; për mbështetjen e madhe në restaurimin e Xhamisë së Et’hem Beut, në Tiranë; për sponsorizimet në fushen e artit, kultures, sportit, për mundësimin e aktiviteteve, konferencave e simpoziumeve nga bar-restorant “Piazza”, pronë e tij, si ditën që u shpall pavarësia e Kosovës dhe në disa përvjetore.
Shqiptaria e tij nuk ka kufij, Kosovën e ka në zemër e është gati të falë edhe shpirtin për çështjen e saj, e këtë e ka dëshmuar me vepra. Dëshmi e kësaj ndjenje është pagëzimi i djalit të vogël me emrin Wesli Clark, emri gjeneralit amerikan që drejtoi operacionet e NATO-s për çlirimin e Kosovës.Ai ka kontribuar në rehabilitimin dhe ndërtimin e 11 xhamive në Peshkopi, Marikaj, Zall Bastar, Durres etj.Jep kontributin e tij financiar për Fondacione të ndryshme, familjeve në nevojë, Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”në Tiranë etj.Për vlerat njerëzore dhe humanizimin e tij është vlerësuar me titullin “Fisnikërija e Tiranës” nga Shoqata “Tirana” dhe “Qytetar Nderi” nga Bashkia Durrës. Ai është edhe sponsor i veprimtarisë sonë.
8. Najada Fani –Aktualisht Koordinatore Programit Akademik, Universiteti New York, Tiranë. Me një eksperiencë kombëtare e ndërkombëtare si në arsim ashtu edhe në punësim. Ka fituar eksperiencë në nivel të lartë në konsulencë akademike, menaxhim të projekteve dhe burimeve njerëzore si edhe marrëdhëniet publike.Aktiviste e dalluar në çeshtjet e të drejtave të njeriut, me projekte e vizion bashkëkohor e aksione vepruese.
9.Entela Safeti Kasi – Poete, shkrimtare, përkthyese dhe eseiste. Është autore e disa librave.Për veprën e saj janë shprehur kritikë vendas dhe të huaj.Është vlerësuar në Finlandë nga Federata Ndërkombëtare e Përkthyesve të Letërsisë, (FIT), për “Përkthim letrar dhe të drejtat e autorit” në vitin 2005.
Është përkthyer në: Maqedonisht, Turqisht, Anglisht, Frëngjisht, Arabisht, dhe është botuar në antologji dhe revista letrare në vende të ndryshme të botës. Ka bashkëpunuar me Universitete te ndryshme në botë, si: Universiteti i Xhorxhias në Shtetet e Bashkuara, Universiteti i Haifas, Izrael, Universiteti i HANKUK, Seul, Univeristeti i Maltepe, Turqi, etj.
Presidente e Qendrës PEN International në Shqipëri, ka marrë mjaft vlerësime dhe çertifikime në fushën e përkthimit, letërsisë, dhe krijimtarisë:
Si përfaqësuese zyrtare në fushën e arsimit: këtë vit në Frankfurt 2013, në Ceremoninë e çmimeve nga BID Europë, ka marrë – Harku i artë i Europës për 100 kriteret e cilësisë, akorduar Gjimnazit ‘Qemal Stafa, ku është nëndrejtore.
10.Freskida Miloti – Dhe tani do të ftoj Hyrremin shqiptar, por që ka edhe shpirtin e bukur ashtu si pamjen. Freskida Miloti ka lindur në Shkodër ku është spikatur në aktivitet artistike në qytetin e lindjes. së saj. Pasioni për radion nisi qysh në moshën 17-vjeçare në Radio Shkodra e zhvendoset nga Shkodra në Tiranë për të vazhduar rrugën me sukses në Radio Kontak. Punon redaktore e revistës për fëmijë “Pëllumbat”, në Radio Sot (Koha) e me pas ne Radio Tirana. Prezantuese e disa koncerteve me karakter kulturor në shumë qytete të Shqipërisë, I është dhënë “Mirënjohja” nga Fondacioni Arsimor dhe Kulturor i Turqisë “SEMA”. Skenariste, bashkorganizatore dhe prezantuese e koncertit të bamirësisë në Durrës për fëmijët jetim, me pjesëmarrjen e artistëve më të mirë Shqiptarë. Freskida Miloti ka kryer një sërë kualifikimesh/trajnimesh në fushën e gazetarisë nga Radio France International, në fushën e teknologjisë. Pjesëmarrëse në disa Konferenca, Seminare Mbarëkombëtare me fokus arsimin. Redaktore letrare është në proces të Masterit Shkencor si punonjëse në Institutin e Zhvillimit të Arsimit. Është e martuar dhe ka një djalë.
11. Flora Jushi– është zgjedhur Kryetare e këshillit Bashkiak Rubik, Eshtë kordinatore e rrjetit për barazinë gjinore, mbështetur nga DLDP( për decentralizimin e pushtetit vendor ). Trajnere për ” Bashkëpunim Ndërkomunal ” nga programi ” Forcimi i Strukturave të Qeverisjes Vendore dhe Rajonale në Shqipëri ” zbatuar nga Këshilli i Evropes me mbështetjen e Agjencisë Zviceriane për Bashkëpunim dhe zhvillim, si dhe pjesë e trajnimeve të shumta për rolin e gruas në vendimmarrje me mbështetjen e OSCE-së, pjesë e shumë projekteve për barazinë gjinore dhe përfshirjen e gruas në politikë.
12. Flamur Celaj, – ka mbaruar studimet në Akademinë e Rendit Publik me mesatare shumë të lartë dhe më pas ka mbaruar studimet për Ekonomi- Biznes. Rreth 15 vjet më parë ka themeluar Kompaninë Aulona Pol në qytetin e Vlorës dhe ka arritur ta konvertojë atë në një kompani Lider në tregun e sigurisë në Shqipëri.
Baba i 2 fëmijve por që nuk do të ndalojë me kaq…, pasi mendon se pasuria më e madhe e njeriut përveç emrit që le pas, janë fëmijët.
Filozofia e Flamurit për një impakt sa më të madh social, nuk ka qenë vetëm hapja e shumë vendeve të punës, por edhe rritja e sigurisë publike n mijra klientet e kompanisë Aulona Pol. Tashmë z. Flamur kërkon të japë kontributin e vet edhe në çeshtjet publike, duke u përfshirë në mënyrë aktive në jetën politike të vendit.
13.Alban Përmeti– studiues i ri i marrëdhënieve ndërkombëtare. Ka rol kyç në Akademinë e Diplomacisë Shqiptare. Pjesëmarrës në dhjetëra konferenca e simpoziume kombëtare e ndërkombëtare. Mbështetës i Federatës së Paqes Universale Shqipëri prej disa vitesh. Gjak i ri për FPU.
14.Margarita Muho ka kryer studimet e larta universitare në degën “Inxhinieri Matematike dhe Informatike“ dhe më pas ka marr titullin Master i Shkencave në të njëjtën fushë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë në vitin 2011. Aktualisht është specialiste në Sektorin e Metodologjisë së Anketave Sociale, në Institutin e Statistikave. Redaktore shkencore dhe korrektore e Revistës Periodike Shkencore “Global Challenge”, botim i ADSH. Ajo është autore e disa botimeve shkencore dhe pjesëmarrëse në disa trajnime brenda dhe jashtë vendit.