–Zëvendëskryeministri Tahiri për hapjen e ambasadës në Jeruzalem:
Ndër momentet më të rëndësishme në shtet-ndërtimin e Kosovës/
-Ministria Kosovare e Punëve të Jashtme dhe Diasporës: Është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Shtetin e Izraelit, me seli në Jeruzalem/
PRISHTINË, 14 Mars 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Ministria Kosovare e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në një deklaratë të dërguar sot njofton se bazuar në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 Shtatorit 2020, ku zyrtarizohet njohja e ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit dhe Zotimit të Qeverisë së Kosovës ndaj Qeverisë Izraelite dhe Administratës Amerikane dhe veprimet që janë ndërmarrë nga 1 Shkurti, tashmë është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Shtetin e Izraelit, me seli në Jeruzalem.
Gjatë ceremonisë së vendosjes së marrëdhënieve diplomatike më datën 1 Shkurt 2021, Ministri i Jashtëm i Shtetit të Izraelit, z. Gabriel Ashkenazi bëri zbulimin e pllakës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jeruzalem.
Në pamundësi për të qenë prezentë në Jeruzalem përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që Pllakën e zbuluar nga Ministri Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem.
Vendosja e pllakës dhe flamurit shtetëror në Ambasadën e Kosovës në Izrael reflekton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur zotimin e dhënë për vendosjen e misionit diplomatik në Jeruzalem.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Jeruzalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
***.
Zëvendëskryeministri Tahiri për hapjen e ambasadës në Jeruzalem:
Ndër momentet më të rëndësishme në shtet-ndërtimin e Kosovës
14 mars 2021– Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, njëherësh Ministër në Detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporë, z. Besnik Tahiri, të dielën, në një konferencë për medie të organizuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka shpalosur qendrimin e shtetit të Kosovës me rastin e hapjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shtetin e Izraelit, në Jeruzalem.
Kryediplomati Tahiri e bëri të ditur që në fillim se ky qendrim nuk lidhet me ndryshim qeverish, është qëndrim shtetëror, dhe se të gjitha palët e kanë të qartë se njohja prej Shtetit të Izraelit dhe hapja e Ambasadës në Jeruzalem është një prej ngjarjeve më të rëndësishme në vitet e fundit.
Më 4 shtator 2020, është nënshkruar Marrëveshja e Uashingtonit në Shtëpinë e Bardhë mes Presidentit Trump dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Brenda Marrëveshjes është përfshirë njohja reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit.
“Me arritjen e kësaj Marrëveshjeje, Qeveria e Kosovës ka dhënë zotimin para Qeverisë së Izraelit dhe asaj Amerikane se do ta hapë Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jeruzalem” tha Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri.
Më 1 shkurt 2021, Republika e Kosovës dhe Shteti i Izraelit, përmes një ceremonie solemne (virtuale) nënshkruan Marrëveshjen për Vendosjen e Marrëdhënieve Diplomatike.
Menjëherë pas vendosjes marrëdhënieve diplomatike, Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, z. Gabriel Ashkenazi ka zbuluar edhe pllakën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Izrael, me seli në Jeruzalem.
Zëvendëskryeministri Tahiri tha se lidhja e këtyre marrëdhënieve diplomatike është realizuar pas shumë konsultimesh me Qeverinë e Izraelit, me Administratën Trump dhe me Administratën e re Biden.