
Hasan Tahsini (7 prill 1811 – 3 korrik 1881), nga fshati Ninat i Konispolit, është një figurë me përmasa kombëtare, europiane dhe botërore. Ai ka ndihmuar bashkëkohësit të bëheshin të ndërgjegjshëm në nivelin shpirtëror dhe kulturor, për progresin që transformon universin dhe shoqërinë, me qëllim që ta kuptonin dhe ta përvetësonin atë. Si ideolog i popullit të vet, si profesor i Rilindasve tanë të mëdhenj, Naimit dhe Samiut, Hasan Tahsini, në tërë veprimtarinë e tij, ndriçoi rrugën drejt emancipimit kombëtar e shpirtëror. H. Tahsini kuptoi, si një iluminist dhe shkencëtar i shquar, se gjithcka te njeriu, shoqëria dhe historia e tij, i përkiste natyrës fizike dhe biologjike dhe ishte e kapshme nëpërmjet metodave të sakta dhe sasiore. Ajo që iu shpëtonte këtyre metodave ishte ajo që i përkiste thelbit të njeriut: ndërgjegjja e vetvetes, ndërgjegjja morale, përgjegjësia, liria, kuptimi. Koha ka provuar saktësinë e metodave të tij, karakterin bindës të rezultateve shkencore akademike.
Dijetari, filozofi, matematikani, astronomi, psikologu dhe shkrimtari Hoxha Hasan Tahsini, doktor në jurisprudencë dhe me dy doktorata të tjera në Paris në shkencat fizike dhe natyrore, u shqua si autori i shumë veprave shkencore, letrare, për larminë tematike, thellësinë e njohurive dhe karakterin funksional të tyre.
Në shtator të vitit 1869 Hasan Tahsini u emërua në detyrën e një nëpunësi të lartë të shtetit osman, si rektor i parë i Universitetit të Stambollit. Ai që në fillim u përpoq dhe në sajë të një pune të shumanshme e vendosi universitetin mbi themele shkencore. Puna e tij e madhe organizative, ligjëratat shkencore që mbajti, veprat që shkroi, bashkëpunëtoret që afroi në universitet, programet bazë që hartoi për këtë tempull të dijes si dhe plani i temave që do të mbaheshin gjatë pushimeve në konferenca diturie për studentët dhe qytetarët e thjeshtë, për të dhënë njohuritë e reja shkencore perëndimore janë dëshmia më e qartë e nivelit të tij.
Ai ishte një drejtues i aftë, një punëtor i palodhur, një përhapës i njohurive shkencore.
Por vepra e këtij heroi të mendimit, me fuqi magjike, drejtues i lobit shqiptar në Stamboll, i cili ishte i pari që hodhi idenë e krijimit të një shteti të pavarur shqiptar. dhe u përpiq për shkrimin e gjuhës shqipe dhe mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare, (madje hartoi dhe një alfabet të vetin), u la në harresë dhe u nëpërkëmb nga autoritet dhe Hasan Tahsini u shpall heretik, përmes një fetvaje.
Mendoj se do ishte mirë që, me rastin e 145 vjetorit të vdekjes, të sillen eshtrat e tij në atdhe. Mendoj se kështu të paktën do të shlyejmë një pjesë të borxhit që u kemi Rilindësve tanë të mëdhenj dhe majës së tyre, profesor Hasan Tahsinit. Gjithashtu mendoj se ka ardhur koha që ky personalitet i madh i kombit të rivlerësohet dhe të mos mbetemi vetëm te titulli i nderuar “Mësues i Popullit”, që i është dhënë në të kaluarën.
Prandaj duhet që në Shqipëri, nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, t’i jepet titulli “Akademik” pas vdekjes. Ishte ndoshta i vetmi në Rilindje që kishte tri doktorata. Të ngrihet një shtatore para universitetit apo në një nga sheshet kryesore të Tiranës, siç edhe e meriton kjo figurë; presidenca t’i japë titullin “Nderi i Kombit”. Por edhe në Turqi mendoj se duhen ndërmarrë disa hapa: në medresenë ku jetoi e punoi, që sot është një librari, të vendoset një tabelë ku të shkruhet: “Këtu ka punuar Rilindësi osman dhe shqiptar, Hoxhë Hasan Tahsini”.
Arben Iliazi