Nga Federico Fubini/
E përktheu Eugjen Merlika nga “Corriere della Sera”/
Në verën e vitit 2017, gjatë krizës së refugjatëve, qeveria austriake njoftoi se do të kishte dërguar ushtrinë në kufirin e Brennero-s. Nga Viena u kërkua Paolo Gentiloni për t’i a komunikuar, por kryeministri i atëhershëm nuk i u përgjigj telefonit: e dinte gjthshka. Atëherë ministrat austriakë i u drejtuan kryetarit të Alto Adige-s, Arno Kompatscher me qëllim që t’ishte ai që t’i jepte mesazhin Romës. Kompatscher-i i telefonoi menjëherë Gentilonit, që dëgjoi në heshtje dhe u përgjigj me pak fjalë: “Thuaju austriakëve se ushtrinë e kemi edhe ne”.
Ngjante tre vjet më parë, jo njëqind vjet më parë. Atëherë ai vendim u tërhoq në pak orë dhe u zhvleftësua si “keqkuptim”.Por Evropa qartësisht ishte në kulmin e shfaqjeve periodike të dobësisë institucionale përballë shkulmeve të baticave të detit që arrinin nga pjesa tjetër e botës. Që atëherë ndonjë hap përpara për refugjatët është bërë (jo shumë), por në këto ditë historia kthehet në një pasqyrë të stërmadhe në të cilën Bashkimi evropian sheh veten e kupton sa e rrezikshme është paplotësia e saj.
Spikama e koronavirusit sapo ka filluar në Vendet tona dhe përsëri jemi të pranishëm në përsiatjet e përherëshme: kundërveprime kombëtare të parenduara, tejpamje vetëm aty këtu dhe mjaft befasi. Natën e së dielës Austria ka ndaluar për orë të tëra një tren në Brennero. Rumania do të dëshëronte të vinte në karantinë të gjithë ata që vijnë nga Lombardia dhe Veneto (dhe Bazilikata rrjeshtohet me të , duke i shtuar Piemontin, Ligurien dhe Emiglia Romagnën). Një autobuz i linjës që vinte nga Milano u ndalua në Lion sepse shoferi kollitej. Deri edhe nga një aeroplan që arrinte në Mauritius nga Milano kanë zbritur në tokë vetëm ata që nuk banojnë në Veneto e Lombardia.
Tani, nuk ka gjasë që nga Austria të vijnë të tjera veprime të njëanëshme si ata të 2017-ës. Sebastian Kurz, kryeministri, pret të kuptojë se ç’rrugë do të marrë Gjermania dhe do të thuhej se as qeveria gjermane nuk e din: ministria e Shëndetësisë, me seli në Bonn, i tha dje “Corriere-s” se nuk ishte në gjëndje të thonte se sa prova mbi Covid – 19 janë zhvilluar në Vendin “ sepse Gjermania është një Shtet federal dhe autoritetet e krahinave janë vetë përgjegjës për raset e veçanta”. Edhe në Francë ministria e Solidaritetit dhe Shëndetësisë i shmanget përgjigjes së një pyetjeje të “Corriere-s” mbi numurin e provave që janë kryer në Vend. Por ne italianët e kemi zbuluar mbi lëkurën tonë se, pa njohuri të qarta e të bashkërenduara mbi sasinë e kontrolleve, sa vështirë është të kuptohet sa e përhapur mund të jetë epidemia n’Evropë. Tani Italia po e kupton se në mesin e ditës së hënë numuri i provava të kryera është ngjitur në katërmijë nga pak qindra të javës së shkuar.
I njëjti çrregullim strategjik mbi kontrollet e tipave të tjerë. N’aeroportet italianë prej javësh janë vendosur skanera termikë (Fiumicino) ose termometra me rreze infra të kuqe (Linate e gjetiu), për të matur temperaturën e udhëtarëve, por të tjerë aeroporte evropianë nuk i kanë vendosur. Sigurisht ata do të kenë marrë masa paraprake në spitalet apo në vendet e punës që në Francë, Gjermani, Austri apo Spanjë mund të jenë marrë më parë e me më shumë efektshmëri se n’Itali.
Sidoqoftë mësimi është i qartë: Evropa është një hapësirë në të cilën mund të zhvendosemi lirisht, njëlloj si brënda një Shteti, ka një treg të përbashkët në të cilin mallrat udhëtojnë në një sistem të përgjithshëm që vazhdimisht na mban nën trysni, gjithmonë me goditje të reja. Ndodhi ndërmjet 2015-ës dhe 2017-ës me krizën e refugjatëve, kur Italia e Greqia u lanë vetëm sikur t’ishte një problem posaçërisht i tyre. Rrezikohet të ndodhë përsëri me Covid – 19. Përballë një epidemie globale Evropa nuk ka protokolle të përbashkëta të parandalimit e sigurisë, as standarte të detyrueshme e të vlefshme për të gjithë, as rregulla të qarta se si, kur dhe pse një Vend mund të mbyllë kufijtë me një tjetër për të ndaluar virusin me telat me gjëmba.
Përfundimi është se Vëndet më në dukje – në këtë rast Italia – gjenden edhe një herë të vetmuar e në mundësi subjekti për të marrë mësime. Por duhet të jemi të ndershëm e të pranojmë se Komisioni evropian nuk ka faj: politikat shëndetësore janë ruajtur me xhelozi nga qeveritë kombëtare, pa menduar se në këtë globalizim të parregullt një ditë Kina do të eksportonte një virus të fuqishëm e të panjohur dhe jo vetëm teknologji digjitale apo panelë diellorë. Ajo që ndodh sot vërteton atë që është e qartë prej vitesh: si një ndërtesë e mbetur përgjysmë, Evropa rrezikon të mos u qëndrojë dot goditjeve të një ere që vjen prej së largu. Duhet të plotësojë veprën e saj, pa humbur më kohë tjetër.
Me një hollësi më shumë, sepse të djelën Marine Le Pen qe e para që deklaroi se Italia duhej veçuar. Këtë drejtuese e njohim: aleate e ngrohtë e sovranistëve të shtëpisë sonë, në ngjitje në sondazhet në Francë, e vendosur të garojë përsëri për presidencialet e 2022, Le Pen në këto ditë jep idenë se çfarë do t’ishte për Italinë një Francë e drejuar prej saj e çfarë do t’ishte një Evropë e mbarështuar nga shumë udhëheqës si ajo. Deri sa të jenë në opozitë, si sot, sovranistët mbeten të bashkuar kundër Brukselit. Por kur në një të nesërme do të qeverisin, do t’u duhet të gjejnë një armik për t’i dhënë gjithë fajet asaj që nuk shkon. Dhe nuk do t’u mbetej tjetër rrugë veçse të padisin njëri tjetrin.
“Corriere della Sera”, 24 shkurt 2020 E përktheu Eugjen Merlika