Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Hashim Thaçi, me egërsi politike, sikur të ishte kryetar i një junte politike, apo diçka tjetër, e jo President i shtetit të ri të Kosovës, shpesh i drejtohet kërcenueshëm popullit të vet: pa Ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi nuk ka integrim të Kosovës në BE, etj. Kjo është “Rrena Hashim e Integrimit”, e cila ua përnget thaçmeve të tij në ajrin e politikës. Për mos me thanë ndryshe.
Patjetër, integrimi i Kosovës në Europën e Bashkuar është ideal, rrugë e vizion i kahershëm e i sotshëm i vet popullit shqiptar të Kosovës. Krejt klasa politike e Kosovës e ka në Platformën e vet Politike. Kosova ka dhe nji Ministri Integrimi, si të gjitha vendet e Ballkanit jo antare të BE-së.
Po, e thanun troç, Kosova, me u integrue në BE e ka të vështirë, e pret nji udhëtim i gjatë. BE ka luftë blloqesh e rrymash politike kundër saj, veçmas ato sllave edhe jashtë Europës së Bashkuar, që kultivohen e zotnohen prej shekujsh e veprimtarojnë kundër Kosovës në çdo tik-tak kohe, me fytyrë mesjetare apo moderne.
E, tjetra, me u pranue nji vend kandidat për në BE, si rasti Shqipëria, duhet me u dakortësue të gjitha vendet antare të BE në institucione të shteteve të tyre dhe, kjo, është nji proçedurë disi e gjatë. Po fakti se pesë vende të BE: Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia e Qipro, nuk e njohin ende Kosovën, tregon se sa i largët do të mbetet integrimi europian i saj.
Me sa duket për Hashim Thaçin e Isa Mustafën me nji pushtet kaq të gjatë, me diktate të mëdha e me akuza të shumta, kaq e pati kariera e tyne politike, ndaj tashti Kosovës i duhen figura të tjera të reja në kryevende të caktuara të saj, pa i distancue apo menjanue në rikthime apo në lobingje as dhe ish presidentët prof. dr. Fatmir Sejdiu, Behxhet Pacolli, Atifete Jahjaga.
2.
E shumta dhe e veçanta e mirëpritur nga BE është dhe mbetet Liberalizimi i Vizave. Përndryshe: Marrëveshja e vonuar Shengen.
Europa nuk duhet të harrojnë se në mitologji, në legjenda klasike, është nji hallë e stërlashtë e ilirëve. Pra, bashkarisht, jemi Europa. Jemi të parët e saj, para se të vinin në Europë shumë nga popujt (shtetet) që tashma janë antare të saj.
Bojkotimi i derisotëm i Kosovës në Lëvizjen e Lirë (Shengen) është turpi ma i ri i Europës.
Ndaj Kosova duhet t’i kujtojnë Europës se qysh në hershmërinë ilire, rreth tre mijë vjet ma herët, kena kapërcye dete e male të Lindjes e të Perëndimit me “pasaporta” zyrtare të asaj kohe: me bojë në papirus ose pergamentë, gdhendur mbi pllakë të hollë bronzi ose guri.
Ndaj Kosova duhet t’i kujtojnë Europës se perandorë romak e bizantintë të saj e drejtuan Perandorinë Romake kur ishte Njish dhe kur u nda më Dysh, si Konstandini i Madh që e njohu zyrtarisht Krishtërimin, si Justiniani i Madh që e la “Kodin e Justinianit” në themele të sotme juridike të Europës, etj. etj.
Po, Kosova ka qënë dhe mbetet në zemër të Europës, në mesin e dheut (Mesdhe), ndërsa prania e sotme e shumanshme e Bashkimit Europian në Kosovë është vet “Fytyra e Kosovës”, aq sa për popullin shqiptar të Kosovës, në nji kuptim e realitet të caktuar, duket sikur “Kosova është BE dhe BE është Kosova”…
Ndaj duhet thanë se me sjellje të tilla të saj, me “Murin Shengen”, Europa e Bashkuar po e tepron dhe po e turpëron përditë e ma shumë vetveten në sytë e kombit shqiptar e të botës euro-atlantike.