
Perktheu:EUGJEN MERLIKA/
Është e paarsyeshme të përcaktohet si absurd mëtimi i “sovranistëve” për të rivendosur një sovranitet të plotë kombëtar duke ngushtuar këndin e hapjes së Vëndit të tyre ndikimeve të jashtëme e, në të njëjtën kohë, të lihen mbas dore pasojat e këtyre ndikimeve të jashtëme, të ndërlidhjeve ndërkombëtare, mbi të tashmen e mbi t’ardhmen e të njëjtit Vënd.I përkthyer dhe i vënë në lidhje me rastin italian, do të thotë se për të bërë çfarëdo hipotezë të mënçur mbi fatin e 5 Yjeve dhe të Legës, por edhe të kundërshtarëve të tyre të mbrendshëm, duhet para së gjithash të vërehet kuadri ndërkombëtar, bota që na rrethon. Mbi të gjitha duhet pyetur mbi t’ardhmen e Shteteve të Bashkuara. Vlen për hegjemonitë (si ajo amerikane) ajo që vlen për perandoritë. Nuk kuptohet asgjë se çfarë ndodh në rrethinat nëse nuk kuptohet se çfarë po ndodh në “qendër” (perandorake apo hegjemonike). Në 2020 do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale amerikane. I favorizuar edhe nga ecja shumë e mirë e ekonomisë, Donald Trump-i a do të fitojë një mandat të dytë? Apo (por hamendja është më pak e mundëshmja e të gjithave) një kandidat i shprehur nga krahu më radikal i partisë demokratike do të arrijë emërimin e do të mundë Trump-in?
Apo, së fundi, presidenti aktual mund të thyhet nga një demokrat më qëndrësor (Joseph Biden ose njëri si ai)? Si evropianë e si italianë argumenti na përket. E ardhmja jonë do të varet në shkallë të gjërë nga përfundimet e atyre zgjedhjeve.
Si rastësia sot e gjykuar si më e mundëshme (rizgjedhja e Trumpit) aq edhe ajo më e pamundëshmja (fitorja e një demokrati radikal) do të ishin për Evropën, lajme shumë të këqia. Trump-i do të plotësonte veprën e tij të tronditjes së institucioneve bija dhe (shtylla) të sistemit të shumanshëm të dëshëruara nga Shtetet e Bashkuara mbas luftës së Dytë botërore. Nato do të dilte me eshtra përfundimisht të thyera. Evropianët, shumë më tepër konsumues se sa prodhues të sigurisë që nga fillimi i mbasluftës, do të gjindeshin të zbuluar, pa mbrojtje. Dhe Bashkimi evropian do të pësonte goditje shumë të forta: për të qëlluar “armikun” (tregtar), Gjermaninë, Administrata amerikane (e mbështetur edhe nga kryeministri i ri britanik, Boris Johnson) do të bënte gjithshka për t’i vënë evropianët njërin kundër tjetrit. Në mbarim të një mandati të dytë të Trump-it, shumë mundësisht shprehja “Perëndim” nuk do të kishte më asnjë kuptim politik.
Por as edhe fitorja e një kandidati radikal nuk do të ishte një ogur i mirë për evropianët. Sepse e majta amerikane (flas , natyrisht, për radikalët, jo për traditën wilsoniane demokratike) është me prirje izolacioniste dhe po aq armiqësore sa Trump-i kundrejt shumanshmërisë.
Rizgjedhja e Trump-it ose fitorja e një demokrati të krahut skajor do të ishin lajme shumë të mira për sovranistët evropianë. Sfilitja në rritje e lidhjeve ndëratllantike dhe shtimi i dasive në fushën evropiane janë kushte të rëndësishme për të fuqizuar besueshmërinë dhe peshën zgjedhore të sovranistëve në kontinentin e vjetër.
Një tjetër histori do të ishte si pasojë e fitores së Biden-it ose të një tjetër qëndërsori si ai. Evropa (përfshirë Gjermaninë) do të kthehej përsëri të quhej në ashington aleatja e zgjedhur, partnerja e domosdoshme. Do t’ishte përsëri e lejuar të mendohej se “Perëndimi” nuk është vetëm një vjetërsirë, një kategori politike e së shkuarës.
Kush ka një koncept përcaktues të proçeseve historike mendon se nuk mund të bëhet asgjë: Amerika është futur pakthyeshmërisht në një fazë rënieje (relative), një fazë në të cilën fuqija e saj e hershme shkon drejt një zvogëlimi energjik. Kur fuqia hegjemone fillon të pakësohet, ajo pushon së mbështeturi ende “shumanshmërinë”, më konkretisht t’i ofrojë aleatëve të saj “të mira publike” (siguri ushtarake, qëndrueshmëri monetare, liri të shkëmbimeve tregëtare, etj) në shkëmbim të pranimit të udhëheqjes së saj. Kombëtarizmi i Trump-it (“secili për vete”) do t’ishte një shprehje e kësaj prirjeje. Nëse ka arsye kush mbështet këtë tezë, atëherë nuk mbetet veçse të ndërgjegjësohemi se jemi të zhytur në telashe deri në grykë. Për më shumë se një shtatëdhjetëvjeçar Evropa ka patur paqe, qëndrueshmëri demokratike, zhvillim ekonomik. Nuk qenë dhurata të zbritura nga qielli, qenë (dhe janë ende) pasojat e një tërësie të kushteve ndërkombëtare. Nëse nuk do të jenë më këta kushte çfarë do të ndodhë me paqen, qëndrueshmërinë demokratike, zhvillimin ekonomik?
Është e drejtë të përfytyrohet që Evropa do të rifillonte të ndahej. Siç ka bërë gjithmonë para mbarimit të luftës së Dytë botërore. Do të rritej në kontinentin e vjetër ndikimi i fuqive autoritare (Rusia, Kina). Në krye të pak dhjetëvjeçarëve, do të mbetej fare pak nga Evropa që njohim.
Për fat interpretimet përcaktuese të historisë nuk janë domosdoshmërisht më të pranueshmet. Rastësitë, rrethanat, shpejtojnë ose ngadalësojnë (e ndonjëherë madje prapësojnë) prirje të tilla në veprim. Në Washington, qoftë edhe për një frymë, për një grusht votash, mund të riformohet një udhëheqje përsëri në dobi të shumanshmërisë. Në një rast të tillë pasojat mbi Evropën do të ishin të rëndësishme, e ndoshta mjaft të shpejta.
Doli e gënjeshtërt teza e mbështetur gjatë në mjediset kundëramerikane evropiane, simbas së cilës pakësimi i “kapjes” së Shteteve të Bashkuara mbi Evropën do t’i jepte evropianëve lirinë e dëshiruar për të përsosur integrimin e Kontinentit.Ka ndodhur krejt e kundërta: pakësimi i lidhjeve ndëratllantike ka ecur me të njëjtin hap me krizën e Bashkimit. Mund të mendohet se nëse ato lidhje mund të forcohen edhe Bashkimi do të ketë dobi. Salvini, Di Maio, Conte, Zingaretti, Berlusconi, etj.. Për domosdoshmëri profesionale kronistët politikë arsyetojnë “sikur” fati i Vëndit të ishte krejtësisht në duartë e aktorëve politikë lokalë, shumë (a pak) të rëndësishëm për çastin. Dijmë që është kështu vetëm në një pjesë shumë të vogël.
“Corriere della Sera, gusht 2019 E përktheu Eugjen Merlika
EVROPA DHE ALEATI I DOMOSDOSHËM