Nga PAOLO MIELI
Tani që, me daljen e të fundmit ushtarak amerikan, n’Afganistan është kthyer fleta, duhet thënë se në ditët e fundit qëndrimi i Evropës kundrejt Shteteve të Bashkuara ka qënë pak bujar, shumë pak bujar. Në kontinentin e vjetër janë ngritur zëra, pothuaj krejtësisht kritikë, a thuaj se ne evropianët në njëzet vitet e fundit, madje edhe në njëzet ditët e fundit ishim ngatërruar vetëm në mënyrë të pavetëdijshme n’atë aventurë. Qortime të rënda veprimtarisë së administratës amerikane i kanë ardhur edhe nga shumë intelektualë dhe politikanë amerikanë: por pothuaj të gjithë kritikët amerikanë kanë vënë në dukje ndërlikimin e mëparshëm të tyre n’atë që ndodhi në njëzet vjetëshin e fundit. Ne jo. Madje këtu n’Evropë mendohet se, së paku në bisedën publike, kishte qënë rasti për të vënë në diskutim themelet e vetë gjithë aleancës perëndimore. Duke filluar natyrisht nga NATO. Jo për t’a “prishur” Aleancën Atllantike, përcaktoi në Lajmëtarin Romano Prodi, por për t’a bërë më “të dobishme” e më të aftë për të përballuar realitetet e reja të planetit.
Padia që ne i bëjmë Washingtonit është në thelb se nuk na ka lajmëruar për rreziqet që do të kishim kaluar në çastin e largimit. E që nuk na kanë dëgjuar për atë që kishim për të thënë mbi mënyrën e ikjes. Qortimi i parë, ai që nuk na kishin vënë në dukje rreziqet e lindura nga braktisja e fushës në të cilën ishim mundur, sido që të hartohet është vërtetë foshnjarake: kushdo që të ishte në vend i kishte mjetet për të kuptuar vetë se çfarë do të ndodhte. Po kufizohemi për të mbajtur parasysh pjesën e dytë të vëzhgimit: nga ajo që përceptohet, evropianët – nëse do t’ishin pyetur – do të kishin këshilluar që të mos linin në korrik bazën e Bagramit për të bërë të mundur ngritjen nga ai aeroport të aeroplanëvet të paracaktuar për kthimin n’atdhe të trupave amerikane. Ndoshta do të kishte qënë një këshillë e urtë (edhe se rruga që çon në Bagram është pa mbrojtje, aq sa është pagëzuar “rruga e gjuajtjes në shënjestër”). Por në thelb pranimi i asaj këshille nuk do të kishte ndryshuar shumë rendin e gjërave. Do të kishte lehtësuar paksa dramaticitetin e daljes nga një luftë e humbur. Veçse nëse këto kritika të kishin nënkuptuar vullnetin e Vëndeve evropiane për të mbetur në Afganistan, duke zëvendësuar me ushtarët e tyre ata amerikanë në nisje. Por nuk duket se ishte ky qëllimi i Evropës, i asnjë Vëndi evropian.
Sa i përket nënkuptimeve, të përpiqemi të përimtojmë se çfarë mund të fshihet mbas vënies në diskutim të NATO-s. Aleanca Atllantike ka humbur funksionin e saj parësor tridhjetëedy vite më parë, me shëmbjen e murit të Berlinit. Që atëherë ka mbijetuar si strukturë ushtarake, në thelb nën drejtimin e SHBA, e përshtatëshme për të ndërhyrë në krizat në çdo qoshe të planetit. Kudo ku një Evropë “parazite” (mjeshtërisht e pikturuar nga Sergio Fabbrini në Il Sole 24 ore) nuk ishte dukshëm e gatëshme të bënte pjesën e vet kurrë. As në zjarret që ndizeshin në kufijtë e saj. Evropës i ishte lejuar të merrte përsipër vetëm 20 % të kostos së NATO-s, e edhe për këtë, me arsye, dinjiteti i barabartë në drejtim ishte një gjë pothuajse formale. Tani – mbas një sërë humbjesh – është e qartë se NATO (ndoshta) do të mbijetojë por ndërhyrje si ato të së shkuarës nuk do të shohim më.
Tani do të shihet se çfarë do të jetë i aftë të ngrejë në këmbë kontinenti i ynë. Për çastin përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit evropian, Josep Borrel, ka lajmëruar (në këtë të përditëshme, me Federico Fubinin) krijimin e një “Initial Entry Force” prej “pesëmijë ushtarësh në gjëndje të mobilizohen me një thirrje të shpejtë”. Një fillim shumë i mirë, edhe se mbi “mobilizimin me një thirrje të shpejtë” është e ligjëshme të ushqehet ndonjë dyshim. Por që këtu deri në krijimin e një strukture ushtarake kontinentale në gjëndje të përballojë krizat që – merret me mënd – do të shfaqen, hapi është shumë i madh. Pa llogaritur që një lloj strukture e tillë ushtarake do të jetë e vlefshme vetëm nnëse do të ketë mbas shpine një njësi politike të bashkuar dhe – siç ka vënë në dukje efektshmërisht në këto faqe Angelo Panebianco – do të kërkojë “një qasje të jashtëme, me synim përfundimtar paqësimi në zonat më të turbullta të Lindjes së Mesme e t’Afrikës, nga mund t’i vijnë kërcënimet Evropës”. Për të patur këtë lloj “qasjeje” ushtria e re evropiane duhet të jetë e pajisur me atë “leje” të veçante për të parandaluar krizat me liri lëvizjeje, – që është prej kohësh e për të gjitha ushtritë – gjatë disa vijave të kufirit mes dritës e hijes.
Asgjë prej tërë kësaj nuk shihet në horizont. Evropa është prej dhjetëvjeçarësh një kontinent i specializuar në artin e “shpëtimit të paqes” duke i u drejtuar krejtësisht diplomacisë. Nuk ka asnjë Vënd evropian që të ngurojë përpara mundësisë për të ndërmjetësuar, për të ndërhyrë e biseduar. Më mirë nëse me regjimet më iliberalë të tokës. Është e vetmja gjë që dijmë të bëjmë. Në ditët e zisë derdhen lotë e ngrihet zëri. Pastaj menjëherë kthehet ndërmjetësimi, ndërhyrja, bisedimi. Gjë që mund të duket pozitive përballë pështjellimesh të mëdha si ata të këtyre ditëve të fundit. Por nuk është e thënë që një bashkësi prej 27 Vëndesh ndërmjetësuesish – herë herë secili simbas kokës së tij – krejtësisht të paaftë të bëjnë të vlejë forca, as në rastet skajorë, të jetë në gjëndje t’i japë jetë një bote më të paqësuar se sa kjo që po lemë mbas krahësh.
Corriere della Sera, 31 gusht 2021 Përktheu Eugjen Merlika