Nga DANILO TAINO/
Ishte e qartë që nga 24 shkurti i shkuar: mësyemja ruse e Ukrainës ka hapur një stinë krejtësisht të re n’Evropë. Ndërmjet gjërave të tjera ka zhvendosur befas qëndrën politike të rëndesës drejt Lindjes. Qeveritë perëndimore e kanë të vështirë të pranojnë këtë rrëshqitje, të prirur të ruanin një përçapje mjaftueshmërie, shpesh të paracaktuar, kundrejt Vëndeve që deri në gjithë vitet Tetëdhjetë të Nëntëqindit ishin të shtrënguar në orbitën e Bashkimit Sovjetik. E vërteta megjithatë është m’e fuqishme se sa zakonet e këqia.
Më 9 gusht kançelari gjerman Olaf Scholz ka mbajtur një bisedë që mban parasysh shtjellimet e muajve të shkuar dhe nxjerr ndonjë pasojë. Një bisedë, në Universitetin Karlova të Pragës, të rëndësishme për nga përmbajtja dhe për faktin se vjen nga Vëndi më i shquar i Evropës, ajo Gjermani që sot duhet të braktisë shumë nga politikat (që janë zbuluar të verbëra) të çuara përpara nga Anxhela Merkel për gjashtëmbëdhjetë vite e për shtatë të tjerë më parë nga Gerhard Schröder.
Edhe se e mbajtur në një ton të njëtrajtshëm, fjala prageze e Scholzit është një hop cilësor në qëndrimin gjerman mbi Evropën, i shtyrë nga ngutshmëria e kohëve dhe domosdoshmëria për të përcaktuar “vijën kufindarëse ndërmjet kësaj Evrope të lirë dhe një autokracie imperialiste”. Dhe tani – ka pohuar – vendimet duhet të merren dhe në rastin ka kujtuar fjalinë e kthyer në simbol të Revolucionit të Kadifenjtë të Çekosllovakisë , të filluar nga të rinjtë e Pragës natën e 17 nëndorit 1989: “Kush veç nesh? Kur nëse jo tani?”. Ideja e kançelarit gjerman është të shkuarit tani, shpejt drejt një “Evrope gjeopolitike”, duke filluar nga të kuptuarit e zhvendosjes së barazpeshave në kontinent: “Nuk ka nevojë të thuhet – ka pohuar – qëndra e Evropës po zhvendoset drejt Lindjes”.
Nuk bëhet fjalë për një të kuptuar teorik. Scholz ka qënë shumë konkret në një terren që jo domosdoshmërisht do të marrë duartrokitje në të gjithë kryeqytetet, Parisi në krye. “Duhet të shtoj qartësisht se fakti i vazhdimit të rritjes së BE nga Lindja është një dobi për të gjithë”, ka shtuar. Zgjerimi i Bashkimit evropian duhet “të përfshijë Vëndet e Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainën, Moldavinë e më pas edhe Gjeorgjinë”. Një BE “me 30 ose 36 Shtete antarë”, pashmanshmërisht i ndryshëm nga i sotmi duhet t’i përshtatet kohëve dhe përmasave të tij. “Rregullat evropiane – ka shtuar – mund të ndryshohen me nxitim, nëse është e nevojshme. Edhe Traktatet nuk janë të ngallmuara në gur”. Edhe kjo nuk është e pakët. Madje Scholzi, më së fundi, i është përgjigjur propozimit të Emmanuel Macronit për të krijuar një Bashkësi politike evropiane, në fakt një rreth të jashtëm përqark BE, në të cilën do të mund të marrin pjesë Vëndet e interesuara, veçanërisht ata që kanë kërkuar hyrjen në bashkësi.
Scholzi ka përvijuar atë që ai e ka përcaktuar “ndërpretimi im i propozimit të Macronit”: një forum në të cilin kryetarët e Shteteve e të qeverive të BE të takohen një apo dy herë në vit me partnerët e jashtëm të Bashkimit për të biseduar për çështje të rëndësishme. Por, ka sqaruar, një “grupim i tillë nuk është një alternativë e proçesit të ngutshëm të zgjerimit të BE. Më së fundi, i kemi dhënë fjalën tonë kandidatëve për hyrje” të Ballkanit perëndimor njëzet vite më parë. Pra, nëse Macroni përfytyronte që Bashkësia politike evropiane mund të ishte një parkim i qëndrimit të gjatë për atë që dëshëron të hyjë në BE, tashmë ai e din se Berlini ka një opinion të ndryshëm. E dijnë edhe ata që kundërshtojnë një zgjerim të mëtejshëm të BE me frikën e hollimit të tij me ujë: është gjeopolitika që detyron shtrirjen nga Lindja, në leximin e Scholzit.
Që qëndra e rëndesës evropiane do t’ishte zhvendosur drejt Lindjes, qe e qartë së paku nga mësyemja ruse n’Ukrainë. Vëndet më në dukje të agresivitetit të Moskës, janë ish satelitët e saj, të liruar nga Pakti i Varshavës mbas shëmbjes së Bashkimit Sovjetik. Veç asaj Polonia, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania dhe vetë Republika Çeke janë ledhi i parë për të ndaluar trysninë e Kremlinit, sot politik e ndoshta nesër ushtarak. Jo vetëm aq. Këta Vënde, së bashku me Ukrainën, kishin të drejtë kur lajmëronin në vazhdimësi për rrezikshmërinë e Vladimir Putinit; ndërsa Berlini, Parisi, Roma e të tjerë gaboheshin duke e mohuar. Pasja arsye në përimtimet gjeopolitike nuk është e pakët për qeveritë, sidomos përballë një fuqie agresive.
Duket se Berlini po lëviz duke vënë mbi tavolinë idenë e tij mbi Evropën e ardhëshme, së fundi jo të dalë nga asgjëja. Në të Shkuarën një nga etërit fisnikë të Gjermanisë së mbas Luftës së Ftohtë, Wolfgang Schäuble, ka pohuar shumë herë që Vëndi i tij ka një përgjegjësi e një lidhje me Vëndet e Lindjes evropiane më të mëdha se ato të Francës. Dhe atij që vërente se bashkimi politik do t’ishte i pamundur përballë një teprije zgjerimi, i përgjigjej se Vëndet që duan mund t’a bëjnë, “por duhet të kemi kujdes, që të mos jenë vetëm Shtetet e mëdhenj që vendosin, e kam mësuar nga Kohli” (Helmut Kohl, kançelari i ribashkimit gjerman). Sot e mësojmë nga qeveritë e Lindjes.
Edhe Italia, kur të ketë një qeveri, ndoshta do të matet me idetë për Evropën e ardhëshme e gjeopolitikën.
“Corriere della Sera”, shtator 2022 E përktheu Eugjen Merlika