
Nga ANGELO PANEBIANCO/
Nuk është ende e mundur të kuptohet se si do të përfundojë çështja tëpër sfilitëse e Brexit: siç duket kryeministri, Boris Johnson, nuk do të arrijë të ketë daljen përfundimtare të Britanisë së Madhe brënda 31 tetorit, ndoshta fitojnë kundërshtarët e tij të brëndshëm duke fituar një shtyrje prej disa muajsh. Megjithatë mund të kuptohet, o së paku të merret me mend që Brexit mund të ketë jo vetëm pasoja të rëndësishme ekonomike (për Britaninë e Madhe ashtu si dhe për Vendet e tjera evropiane). Mund të paralajmërojë ndryshime në barazpeshat gjeopolitike. Mund të ndezë një revolucion, të shpejtojë shkëputjen e marrëdhënieve ndëratllantike, të nxjerrë në pah një thyerje të padëgjuar ndërmjet një blloku të përfaqësuar nga demokracitë anglosaksone dhe Evropës kontinentale.
Referendumi në të cilin mbizotëroi partia e Brexit-it u mbajt më 2016, pak përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane të fituara nga Donald Trump. Atëherë ishte ende kryesia Obama. Por këputja e fijeve të marrëdhënieve ndëratllantike kishte filluar prej kohësh. Edhe se me një stil të ndryshëm nga pasardhësi, edhe Obama synonte të kufizonte zotimin ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara. Siç tregoi politika e tij (e dështuar) në Lindjen e Mesme: qe me të e në sajë të gabimeve të tij, që Rusia e Putin-it mundi të rihyjë si kryesore në politikën e atij rajoni. Referendumi britanik ra në atë periudhë. Pastaj arriti cikloni Trump: në ndryshim nga paraardhësi ai mbështeti zgjedhjen britanike për të lënë Evropën.
Trump-i tregoi shpejt se nga çfarë brumi ishte mbruajtur. Filloi të godasë fuqishëm mbi NATO-n dhe Bashkimin evropian. Sqaroi se kombëtarizmi amerikan, i të cilit ai ishte kampion, nuk përputhej me mbajtjen e sistemit të aleancave të krijuara nga Vendi i tij mbas vitit 1945, në të cilat ishte pjesë qenësore lidhja ndëratllantike, shoqërizimi ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Nëse Trump-i që, siç duket, ka shumë gjasë të ketë një mandat të dytë presidencial, atë lidhje, tashmë të dobësuar, mundet së fundi t’a këpusë krejt. Ndërthurja ndërmjet Brexit dhe rrugëdaljeve të Trump-it mund të shkojë në dobi të nxjerrjes në dritë përsëri të një plani të hershëm që qarkullonte në sferat qeveritare amerikane gjatë luftës së Dytë botërore e që pastaj u mënjanua. Ishte ideja që, mbas luftës, do të ishte e nevojshme t’i jepej jetë një aleance të qëndrueshme ndërmjet demokracive vetëm anglosaksone (Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re). Do të bëhej fjalë për një aleancë të fuqishme, që sigurohej nga pozita zotëruese e Shteteve të Bashkuara, por edhe nga afërsia kulturore mes demokracive të bashkuara nga e shkuara e përbashkët, nga protestantizmi, nga gjuha angleze. Më pas ai projekt u la mënjanë. Me planin Marshall dhe NATO-n Shtetet e Bashkuara zgjodhën, në vënd të aleancës (së ngushtë) me demokracitë anglosaksone, atë (të gjërë) Shtetet e Bashkuara – Evropë. Ka mundësi që ai projekt i vjetër të kthehet përsëri aktual. Ka ndonjë që mendon – por ndoshta e tepron – që ai është tashmë gjë e kryer, edhe në sajë të funksionimit të shkëlqyer të sistemit të shkrirë për shkëmbimin e njoftimeve ndërmjet demokracive anglosaksone të quajtur FiveEyes (pesë sy). Aleanca e ngushtë ndoshta do të përceptohej nga shumë amerikanë më e përshtatëshme për një epokë të një rënieje relative të fuqisë amerikane. Publiku mund të vlerësojë njëjtësinë kulturore të aleancës së ngushtë.
Nëse, me të vërtetë, në vënd të lidhjeve ndëratllantike, do të ngrihej pak nga pak një bllok i ngjeshur anglosakson, për evropianët kontinentalë do të ishin dhimbje. Megjithë disa mendime të kota që vazhdojnë të shfaqen në sektorë të klasave drejtuese evropiane (ideja se nëse amerikanët ikin bëhet fjalë për një lajm të mirë, mbasi më së fundi evropianët do të jenë “të shtrënguar” të integrohen politikisht) përfundimi më i mundshëm do të ishte një tjetër. Duke munguar ngjitësi i përfaqësuar nga hegjemonia amerikane, instiktet e vjetër, pothuajse sigurisht do të rimerrnin epërsinë, përçarjet do të mëshonin mbi shtysat përbashkuese, e Vendet e ndryshme evropiane – jo më të penguar nga drejtimi amerikan – do të hynin në shemëri ndërmjet tyre me qëllim të fitojnë favorin e fqinjit më të fuqishëm: Rusisë.
Shfaqja e trishtuar e vënë në skenë nga evropianët në çështjen e kurdëve sirianë, në të cilën janë në lojë interesa shumë të gjëra të Kontinentit të Vjetër, thotë gjithshka që është për t’u thënë mbi aftësinë e Evropës për të bërë pa armët dhe ushtarët amerikanë: përballë një krize ushtarake të kësaj rëndësie Evropa ka pamjen e të menduarit se mjafton të trumhasësh të keqin e rradhës (sot Erdogani) me të shtëna fjalësh për të zgjidhur krizën. A mendoni se një Evropë e tillë është në gjëndje të ecë mbi këmbët e saj?
Por ndonjeri thotë se do të arrijë shpejt çasti kur do të vemë në jetë të famëshmen “mbrojtje evropiane” dhe Bashkimi do të bëhet një fuqi e aftë të bëjë të respektohet dhe të kujdeset vetë për sigurinë e tij. Nuk kuptohet se ai që e thotë i beson me të vërtetë apo përsërit formula ritesh “evropianisht korrekte”, thjesht sepse nuk din çfarë të thotë tjetër. Jo vetëm se mundësia për t’i dhënë jetë një mbrojtjeje evropiane që mund të arrijë, së paku pjesërisht, të shkojë para pa Shtetet e Bashkuara, është sot edhe më pak e mundëshme se më parë, duke llogarittur se me Brexit-in del nga Bashkimi ajo që është, me Francën fuqia më e madhe ushtarake dhe fuqia e parë detare. Mbi të gjitha kjo është një bllëf, nga të gjithë i njohur si i tillë. Cili politikan evropian mund të rizgjidhej nëse do të shkonte t’u shpjegonte zgjedhësve se ata duhej të ngarkoheshin me taksa ose të pranonin një pakësim të standartit shoqëror me qëllim për të financuar mbrojtjen evropiane? A mund të përfytyroni një politikan, të themi gjerman ose italian, që zgjedh këtë mënyrë për t’u vetëvrarë politikisht?
Përfundimi është se evropianët nuk kana alternativë kundrejt aleancës me Shtetet e Bashkuara. Aqë sa nëse Amerika, e më përgjithësisht, bota anglosaksone do të ndahen prej nesh, do të kemi telashe. Por meqë historia nuk mund të shkruhet para kohe, mbasi jemi të gjithë të zotë të parashikojmë të shkuarën (mbi t’ardhmen kemi gjithmonë ndonjë vështirësi), deri sa ka jetë ka dhe shpresë. Ndoshta, shpejt a vonë, së bashku me natën e keqe do të kalojnë edhe Trump-i e Johnson-i.
“Corriere della Sera”, 23 tetor 2019 E përktheu Eugjen Merlika