Dr. Gëzim Puka/
Fadil Karakaçi, një emër shumë pak i njohur në letrat shqipe. Ndërsa po bënim një studim për disa periodikë shqiptarë, fillimisht në faqet e revistës “Kultura Islame”, e cila qarkulloi në vitet ’39 – ’44, gjetëm një artikull të këtij autori. Shkrimet e tij në ato numra përqendroheshin më shumë tek çështje të linguistikës. Duke e thelluar kërkimin bibliografik na rezultoi se ky autor kishte botuar disa shkrime, në po ato vite, në organe të tjera periodike, si tek: “Shkëndija”, “Tomori”, “Tomori i vogël”, “Balli i rinisë”, “Shejzat” e më vonë në Itali tek “Trapani Nuova”. Ndërsa u befasuam edhe nga titulli i një drame, “I nemici del popolo”, botuar nga një shtëpi botuese italiane në vitin 1957.
Kërkuam disa gjurmë të Karakaçit në Itali, ku mësohet të ketë mbaruar studimet e larta dhe ku më vonë mori edhe statusin e refugjatit politik.
Një tjetër fakt që na duket interesant për t’u përmendur, përveç studimeve universitare në Itali, është edhe se ai ishte biri i një hoxhe të njohur në Shkodër, Hafiz Jusuf Muharrem Karakaçi (1863-1945).
Kështu kompozuam një skicë studimore për këto shkrime në dukje kaotike, por që dëshmojnë interesin e gjerë të këtij autori për letërsinë dhe gjuhën shqipe. Mund të veçohen disa nga sprovat e tij të botuara aty-këtu, si: Eurythmi (Kultura Islame 1940), Ekloget e Virgjilit (Shkëndija 1941), Sidomos (Balli i Rinisë, 1942).
Më së fundmi, duke gërmuar nëpër arkiva, gjeta edhe një formular aplikimi ku ka një foto të Fadil Karakaçit, të bashkëshortes italiane dhe të bijave.