
Prof. Dr. Besim Muhadri
(Universiteti “Fehmi Agani” Gjakovë/
Faik Konica është padyshim një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës shqiptare, jo vetëm të gjysmës së parë të shekullit XX. Me të drejtë ai cilësohet si babai i publicistikës dhe kritikës letrare shqipe, duke qenë se veprimtaria e tij e gjerë dhe origjinale në këto fusha ishte e para e këtij lloji, në një kohë kur kultura dhe letërsia shqiptare ende ishin të pazhvilluara.
I lindur dhe i rritur në një periudhë shumë të vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, kur kombi ynë ndodhej në një gjendje kritike, Konica u detyrua të luftojë në shumë fronte njëkohësisht. Ai angazhoi penën dhe mendjen e tij brilante për t’i zgjuar shqiptarët nga gjumi letargjik, duke lobuar pa pushim në qarqet diplomatike ndërkombëtare për çështjen shqiptare, pavarësinë dhe zhvillimin e vendit, që vuante ende nga robëria shumëshekullore.
Nga ky këndvështrim, Konica na shfaqet si një figurë shumëdimensionale: publicist, kritik letrar, eseist, diplomat dhe mbi të gjitha mbrojtës i palodhur i interesit kombëtar. Kontributi më i madh i tij shfaqet qartë përmes revistës “Albania”, themeluar më 25 mars 1897 në Bruksel. Kjo revistë ishte një platformë themeluese e mendimit shqiptar në fusha të ndryshme, e cila fillimisht u botua në Bruksel (1897-1901) e më pas në Londër nga viti 1902 deri në vitin 1909, kur edhe u mbyll.
Në faqet e revistës “Albania” Konica trajtoi me mjeshtëri temat historike, letrare, gjuhësore dhe problemet socio-kulturore të popullit shqiptar. Qëllimi kryesor i revistës dhe vetë Konicës ishte zgjimi i vetëdijes kombëtare, promovimi i emancipimit kulturor dhe shoqëror të shqiptarëve, si dhe forcimi i ndjenjës kombëtare. Revista u botua në gjuhën shqipe, frënge, pjesërisht në turqisht por edhe anglisht, duke u kthyer në një enciklopedi të vërtetë informative dhe një tribunë intelektuale, ku botuan krijimet e tyre shumë emra të njohur të kulturës shqiptare si Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi, Andon Zako Çajupi, Fan S. Noli, Hilë Mosi, Shtjefën Gjeçovi, ndër shumë të tjerë.
Pas mbylljes së revistës “Albania” më 1909 në Londër, Konica u ftua nga diaspora shqiptare në Amerikë, ku drejtoi gazetat “Dielli” dhe më pas “Trumpeta e Krujës”. Në bashkëpunim me Fan Nolin, Qerim Panaritin e të tjerë, ai dha një kontribut vendimtar jo vetëm në publicistikë, por edhe në diplomaci, sidomos gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, duke mbrojtur interesat kombëtare të Shqipërisë.
Publicistika e Konicës, veçanërisht ajo e realizuar për 12 vjet rresht në revistën “Albania”, por edhe në gazetën “Dielli”, shquhet për nivelin e lartë mjeshtëror, argumentimin e fuqishëm, frymën e thellë satirike dhe kritikën e pamëshirshme ndaj prapambetjes, injorancës dhe fenomeneve negative shoqërore. Konica përdori publicistikën për të trajtuar tema kombëtare, historike, politike e kulturore, duke kërkuar rrugëdalje drejt një Shqipërie të lirë dhe moderne. Ai luftoi gjithashtu për krijimin e një gjuhe letrare të njësuar, një çështje që mbeti e pazgjidhur për shumë kohë.
Pavarësisht talentit të tij të jashtëzakonshëm, pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij mbeti e pabotuar ose e papërfunduar. Përjashtim bën vepra e tij “Nën hijen e hurmave”, ndërsa përmbledhja tjetër “Kandili i kuq” mbeti në dorëshkrim. Por kjo nuk e zvogëlon aspak rolin dhe rëndësinë e tij në letërsi dhe kulturë. Vepra e Konicës në publicistikë, eseistikë, polemika dhe trajtesa mbetet dëshmi e qartë e një personaliteti të jashtëzakonshëm intelektual, atdhetar dhe kulturor.
Disa zëra kritikë, të cilët e quajtën Konicën “një shkrimtar të parealizuar” pasi nuk botoi shumë vepra të plota, janë kundërshtuar fuqishëm nga studiuesit e tij. Studiuesi nga Tetova, Fatmir Sulejmani, thekson se rëndësia e jashtëzakonshme e kontributit të tij është lehtësisht e verifikueshme përmes çdo shkrimi që ai ka lënë.
Ndërsa studiuesja shkodrane Ledri Kurti e konsideron profilin kritik të Konicës si shumëdimensional dhe unik. Sipas saj, Konica është artisti-kritik, i cili përmes kritikës dhe prozës së tij solli një estetikë dhe shije të re në kulturën shqiptare, duke e bërë atë pararendës të prozës moderne dhe kritikës bashkëkohore.
Në përfundim, mund të thuhet se Faik Konica mbetet themeluesi i modelit kritik e kulturor në letërsinë shqiptare. Ai ishte një publicist dhe kritik letrar i shkëlqyer, por edhe atdhetar i madh, diplomat, poet, prozator, gjuhëtar dhe përkthyes, duke qenë kështu një nga personalitetet më të shquara shqiptare të fundit të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX.
Për veprën e tij kanë shkruar emra të njohur të letërsisë dhe studimeve shqiptare, si: Fan. S. Noli, Vangjel Koça, Refat Xh. Gurrazezi, Nonda Bulka, Gijom Apolineri, Luan Starova, Namik Resuli, Arshi Pipa, Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli, Qerim M. Panariti, Martin Camaj, Rexhep Qosja, Kristo Frashëri, Jup Kastrati, Dhimitër Fullani, Alfred Uçi, Sabri Hamiti, Xhevat Lloshi, Janet Byrom, Ymer Jaka, At Artur Liolin, Nasho Jorgaqi, Ymer Çiraku, Sali Bashota, Miokom Zeço, Fatmir Sulejmani, Ledri Kurt, Ilir Ikonomi etj.