Nga Eugjen Merlika”/
Me shkrimin “Në kërkim të së vërtetës” u mbyll ribotimi I artikujve të librit “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike”, i botuar në vitin 2011, e që përmbante shkrime të botuara në gazeta të ndryshme, që nga viti 1991 deri në 2011. Qe një nder i veçantë për mua fakti që ai libër m’u kërkua për t’u ribotuar nga disa redaktorë mediash, mbas më shumë se dhjetë vitesh që kishte parë dritën e botimit.
Dëshiroj të falënderoj me gjithë zemër zotërinjtë Dashnor Kaloçi, Skënder dhe Elida Buçpapaj, Henri Çili, Reldar Dedja dhe Sokol Paja që, për muaj me rradhë, dy herë në javë i kanë rezevuar me dashamirësi ribotimit të shkrimeve të librit tim faqet e organeve të tyre: “Memorie.al”, “Voal. ch”, “Gazeta Liberale”, dhe “Dielli”.
Po ashtu falënderimi im i sinqertë e i përzemërt i shkon dhe atyre lexuesve të shumtë a të pakët të këtyre mediave, që kanë patur mirësinë të lexojnë shkrimet e mija. Ndoshta ndonjeri apo ndonjera prej tyre mund të vërejë sepse un po shkruaj pak mbi ngjarjet e ditëve tona në jetën shqiptare e po merrem më shumë me përkthimet nga e përditëshmja më e njohur italiane “Corriere della Sera”. Kjo është një e vërtetë që ka arsyet e saj të të qënit e të cilat do të mundohem sa më shkurt t’i shpjegoj, me shpresë që të jenë të kapëshme nga lexuesit, pavarësisht nga parapëlqimet e tyre për ata lloj shkrimesh.
Interesimin tim për zhvillimin e jetës shqiptare, në të gjitha shfaqjet e saj politike, ekonomike, shoqërore, kulturore, e kam shfaqur vazhdimisht nëpërmjet shkrimeve të mija të përmbledhura në pesë vëllime, të botuara gjatë viteve e të një të gjashti që ende nuk e kam dërguar për botim. Edhe se prej 32 vitesh nuk banoj rregullisht në Shqipëri, Vëndi im vazhdon të mbetet në qëndër të jetës sime intelektuale dhe shpirtërore e kontakti me të është i pandërprerë në të gjitha format e mundëshme. Në artikujt e mij jam munduar të jap mendimet e mija për rrugën 32-vjeçare të Shqipërisë mbas komuniste, në të cilën komunistët e hapur, “të kthyer” brënda një dite në një kongres në “socialistë” dhe ata të konvertuar në “demokratë”, patën rolin e violinave të para në orkestrat politike, ekonomike, shoqërore e kulturore të Vëndit tonë.
Kt fakt përcaktoi gjithë ecurinë e Shqipërisë në këta vite kalese të pafund, në të cilët ajo nuk arriti të ndërtojë një shoqëri e një Shtet me të vërtetë demokratik, por zgjodhi një sistem hibrid, të ndërmjetëm që dikush e pagëzoi “demokraturë”. Fakti më kokëfortë që vërteton saktësinë e termit është qëndrimi në majat e jetës politike dhe administrative të Vëndit të një numëri tejet të pakët njerëzish, të cilët duket se e kanë siguruar tapinë mbi godinën shqiptare “sa t’u japë ymër Perëndia”. Kjo dukuri e afron më shumë Shqipërinë me Bjellorusinë apo republikat aziatike të ish Bashkimit Sovjetik se sa me Vëndet evropiano-perëndimore.
Që Shqipëria nuk është sot Vëndi që e ëndërronin studentët e Dhjetorit 1990 dhe populli i Tiranës që, më 20 shkurt 1991, tërhoqi zvarrë nëpër rrugët e kryeqytetit shtatoren e Enver Hoxhës, më duket se është jashtë çfarëdo diskutimi. Nëse është kështu përgjegjësia i takon klasës politike që vazhdon t’a qeverisë edhe mbas 32 vitesh, duke alternuar në drejtim “të djathtët” e “të majtët”, me ndryshime aq të papërfillshëm, sa që duket se kanë qënë të gjithë në një mëndje, për t’u zënë me njëri tjetrin për t’u hedhur hi syve të shqiptarëve, e për t’u marrë vesh shumë mirë me njëri tjetrin kur i a kanë lypur interesat e tyre, me përfundimin që sot është para syve të të gjithëve.
Ne sot duhet të jemi të kënaqur që, më së fundi, na është hapur një dritare për të filluar bisedimet për hyrjen n’Evropë, por duhet të jemi të vetëdishëm se kjo dukuri është pasojë e gjëndjes tejet të acaruar ndërkombëtare, në të cilën Rusia, një Vënd për të cilin një poet i yni dikur shkruante: “Tek Stalini, tek Rusia t’i kenë sytë e gjithë Shqpnia”, zbuloi fytyrën e saj të vërtetë, duke mëtuar të vendosë një “rend të ri”, krejtësisht të kundërt me atë perëndimor, për të cilën, fatmirësisht të gjithë jemi n’ujdi se përfaqëson synimin që duhet t’arrijmë neve si komb.
Në vitet e fundit kemi qënë të pranishëm në dukuri që është e vështirë t’i hasim në ndonjë vënd tjetër, edhe të botës së tretë. Tjetërsimi i rezultateve zgjedhore, braktisja e institucioneve dhe e detyrimeve kushtetuese, siç janë votimet për formimin e tyre, votime për autoritetet vendore, në të cilat marrin pjesë vetëm 18 % e votuesve e quhen si diçka e rregulltë, mosmarrëveshje të hapura ndërmjet institucioneve, ndërmjet kryesisë së Shtetit dhe parlamentit apo qeverisë, projekte për të miratuar “amnisti fiskale”, e cila kundërshtohet nga të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare, për të përmëndur vetëm disa prej tyre që i kanë dhënë Vëndit tonë më shumë pamjen e një “Republike të bananeve” se sa të një Vëndi evropian.
Përballë një gjëndjeje të tillë zhgënjyese, m’u duk e kotë dhe padobishme vazhdimi i shkrimeve, duke përsëritur vetveten mbi tema që përsëriten në realitetin shqiptar. Mendova se do t’ishte më i dobishëm përkthimi i artikujve të zgjedhur nga e përditëshmja m’e mirë e shtypit italian “Corriere della Sera”, për të dhënë ndihmesën time në paraqitjen e e problemeve të botës së sotme, nëpërmjet pendave më të shquara të publiçistikës italiane.
Desha të shtoj për lexuesit e “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” përmbajtjen e një letre që qëndron e palosur mes faqeve të librit, që nga tashmë e largëta datë 7 mars 2012. Autori i saj është shkrimtari Visar Zhiti. Është një letër vetiake, në të cilën ai shpreh përshtypjet e tij nga leximi i këtij libri, e për të cilën i kërkova lejen e duhur për t’u a paraqitur lexuesve.
Ja teksti i saj:
“….. Doja të të takoja dhe u pamë, megjithëse pak dhe trishtueshëm, pranë një arkëmorti,madje sot ke dhe një shkrim në gazetë, “Nga New Yorku në Iballe”. E çmoj shumë angazhimin tënd me rrëfimet që jep, sidomos me mendimet dhe idetë, janë të vyera dhe mbushin një zbrazësirë humnerore të kujtesës dhe moralit.
E kam fjalën tani për librin e mrekullueshëm që sapo është botuar, “Përsiatje”, është një prurje në fushën e mendimit, mungonte. Mënyra se si i ke shpalosur çështjet, të përjetuarat nga ty apo që kanë tërhequr vëmëndjen tënde, edhe se nuk citojnë gjithshka të dalë në këto vite, e pamundur dhe e panevojshme, kanë kapur ato maja që japin një reliev të plotë, njerëzor, të dhembshëm, me qëndrim qytetar, me kurajo, me kulturë mbi të gjitha, se mund të kesh të drejtë, por pa kulturën e duhur ajo e drejtë mbetet brënda teje.
Ti të bind, lexuesi bëhet me ty emocionalisht dhe e ke zgjeruar angazhimin me përballjet jo vetëm me të kaluarën dhe atavizmat e saj të fuqishme sot, por dhe me Evropën, ku guxon t’i a thuash ato që do dhe duhen. Me identitet e të drejtë, pa komplekse, kujtoj letrat “Corriere della Sera”-s.
Libri “Përsiatje ka rëndësi për sot dhe jo vetëm për sot, është nga ata botime që duhen, që shtrojnë çështje, tregojnë rrugë dhe mua më duket se rëndësinë e tij nuk e ka aq të qartë, jo vetëm botuesi, por as dhe autori. Ai duhet të bëhet i njohur, libri ka profil të mirë, të parcaktuar dhe dinjitoz. Un e kam pak të vështirë të flas shumë, sepse jam trajtuar dy herë në atë, çmimi në San Feliçe Cirçeo dhe romani “Perëndia…”, të falënderoj dhe të jam mirënjohës. Si gjithshka që ke në këtë libër, ato janë shkruar me dashuri e sinqeritet, me mirësinë e rrallë, që shumë pak të tjerët e japin për të tjerët. Ti shpalos një shpirt bujar dhe shigjeta e busullës tënde drithëron vetëm në drejtim të polit manjetik të mirësisë dhe dhëmbjes.
Më vjen keq që nuk je në Tiranë, që të takoheshim për të folur më gjatë, që të të përgëzoja “dal vivo” për Veprën, por qofsh mirë me të gjitha ç’dëshiron, atje ku dëshiron të jesh dhe të fala të tuve nga ne familjarisht.
Përqafime
Visari
Falënderimeve botuesve, që janë motivi i parë shtytës i këtij shkrimi, i shtoj dhe ata më të përzemërtat shkrimtarit Visar Zhiti, me të cilin më lidhin një sërë kujtimesh, që nga zona e dytë e minierës burg të Spaçit, deri tek takimet në Romë, kur ai kryente detyrën e ministrit këshilltar për kulturën në ambasadën shqiptare në Romë.
Fjalët e kësaj letre do të mbeten gjithmonë për mua vlerësimi më i madh që përmblidhet në shprehjen: “Mua më duket se rëndësinë e tij nuk e ka aq të qartë jo vetëm botuesi, por as dhe autori”.
Faleminderit Visar jo vetëm për këtë gjykim për librin tim, por më shumë për Veprën tënde në dobi të kulturës e letërsisë shqipe, për të cilën të gjithë shqiptarët duhet të të jenë mirënjohës.