Sokol Paja/
New York, 28 Qershor 2022 – Familja Balaj, farefisi, kumbarët, miqtë dhe dashamirësit e familjes festuan festën e dy shenjtorëve më të rëndësishëm të Kishës Katolike Shën Pjetrin e Shën Palin. Në një ceremoni sa festive dhe fetare, darka fisnike e familjes Balaj u kthye në një homazh nderimi, përkujtimi e vlerësimi për Gjon Balaj, Gjelosh Balaj, Pjetër Balaj, Gjergj Balaj e Zef Balaj që u ndanë shumë shpejt nga jeta tokësore. Familja e miqtë i kujtuan me lutje, dhimbje e shumë dashuri pjesëtarët që munguan më shumë se kurrë në këtë festë traditë të familjes që nga Mëziu i Pukës e deri në New York. David Balaj, Valentin Balaj, Ndue Balaj dhe Anton Balaj, në fjalën e mirëseardhjes falenderuan pjesëmarrësit dhe u ndalën në momente të veçanta lutje, përshpirtshmërie e falenderimi për veprat e mira, dashurinë e respektin që kanë lënë pas Gjoni, Gjeloshi, Pjetri, Gjergji e Zefi. Nën bekimin e Dom Nikolin Pergjinit, lutja dhe uratët vazhduan për shpirtrat në parajsë të familjarëve Balaj që mungonin fizikisht por jo shpirtërisht në tryzën bujare të familjes. Largimi në një kohë të shpejtë i Pjetër Balaj, Gjergj Balaj e Zef Balaj ka lënë shumë dhimbje e trishtim te të gjithë familjarët. Në krye të Tavolinës ishte zonja Lina, bashkëshortja e Zefit dhe motra e tij Mirja, djemtë e nipër e mbesa. Një mungesë e madhe që nuk e zëvendëson asgjë. Përkujtimi dhe lutjet janë një lehtësim për shpirtin që vuan mungesën e të ikurve tanë në amshim. Në mjediset familjare të “Tesoro D’Italia”, tri gjenerata të familjes Balaj festuan deri në mbrëmje vonë një festë fetare e familjare e kthyer në një traditë të veçantë si shenjë bashkimi të familjes e falenderimi ndaj Zotit për të mirat, sukseset dhe bekimet mbi familjen Balaj. “E kemi amanet prej babës me e vazhdu përgjithmonë organizimin dhe festimin e kësaj feste. Kjo është një festë fetare dhe familjare ku ne falenderojmë Zotin për krejt ç’ka na ka dhanë dhe ndajmë kohën dhe gëzimin me njëri-tjetrin si një familje e pa ndame dhe e bekume prej Zotit” – u shpreh djali i Zef Balës, David Balaj për Gazetën Dielli të Vatrës. Vëllezërit Balaj në rrëfimet e tyre kanë treguar se 70 vite më parë në 28-29 Qershorin e largët të vitit 1951, familja pasi ka kremtuar Shenjtët në vendlindje, në Mëzi të Pukës,edhe pse e rrethuar, ka arritur që ta çajë atë dhe ka marrë rrugën e vështirë të arratisjes. Familja e madhe BALAJ, kurrë nuk ka heqë dorë nga festimi i festës së Dy Shenjtëve, edhe në vendlindje, edhe në Kosovë kur u arratisën për t’i shpëtuar përndjekjes komuniste, edhe në Itali ku qëndruan pak kohë, ndërsa në Amerikë festimi ka qenë përherë masiv, me shumë pjesëmarrës. Kisha Katolike e kremton festën e shën Pjetrit e Palit Apostujt çdo vit me 28-29 qershor. Dy Shenjtorët-Apostuj janë Pajtorë të qytetit të Romës. Darka e familjes Balaj ishte një festë e vërtetë fetare e familjare ç’ka tregon rujtjen e traditave shqiptare e fetare në Amerikë por edhe dëshmi e vazhdimësisë fisnike të falenderimit ndaj Zotit e njëri-tjetrin për jetën që jetojnë e çastet që ndajmë çdo ditë me njëri-tjetrin.