



















Sokol Paja/
New York, 13 Prill 2023- Familja Balaj, kumbarët Perpepaj, miqtë, veprimtarët, bashkëpunëtorët e ngushtë përkujtuan në New York patriotin e madh Zef Balaj në 1 vjetorin e kalimit në amshim. Zef Balaj ishte shqiptar i veçantë, fisnik, zemërbardhë e shpirtmadh, një mik, shok, vatran, patriot, familjar e veprimtar i pa shoq në mërgatën shqiptare të Amerikës. Gjatë jetës së tij, Zef Balaj mori pjesë aktive në proceset patriotike, demonstratat, protestat, lëvizjet, ndihmat për komunitetin e kombin për 60 vite nga Washingtoni, Bostoni, New York e Institucionet e Shtetit Amerikan, te Liga Shqiptaro-Amerikane e deri te Federata Vatra. Në ceremoninë përkujtimore, në varrezat ku pushon përjetë Zef Balaj “Gate of Heaven”, Dom Nikolin Përgjini udhëhoqi procesin solemn të Rruzarës së Shenjtë, uratë e lutje për pushim të pasosur, në dritën e pambaruar të Perëndisë. Z.Lush Binaku kushëriri i Zef Balës, foli në emër të familjes Balaj dhe falenderoi për respektin e përkujtimin e paharruar. David Balaj djali i Zef Balës nderoi kujtimin e miqve ndaj të atit duke i vlerësuar për pjesëmarrjen. Në Royal Regency Hotel ku familja zhvilloi drekën e përkujtimit, pas fjalës falënderuese të David Balajt, kumbara Prel Ademi- Perpepaj solli kujtime nga fëmijëria me Zef Balajn dhe familjen e tij. Ai gjithashtu drejtoi një pjesë rruzare dhe uratë për shpirtin e patriotit Zef Balaj. Kryetari Vatrës z.Elmi Berisha në fjalën e tij u ndal te 28 vite të miqësisë e bashkëpunimit me Zef Balaj sidomos në luftën e Kosovës, demonstratat e protestat për Kosovën e shqiptarinë. Nënkryetari i Vatrës z.Alfons Grishaj theksoi përkushtimin e Zef Balës për Dardaninë e krejt viset shqiptare. Zefi ishte diamant i çmuar, ishte një krenari e veçantë për miqtë e kombin. Ai luftoi pa u ndalur për idealet e tij, theksoi z.Grishaj. Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj në fjalën e tij veçoi njohjen prej dekadash me Zef Balajn, sakrificën e jetës së Zef Balaj, kapacitetin, vullnetin dhe pjesëmarrjen e Zef Balajt në të gjitha demonstratat e protestat që janë bërë për çështjen kombëtare. Sergio Bitici solli në memorie kujtime me Zef Balajn që nga Kosova e që prej vitit 1959, bashkëpunimin dhe organizimet patriotike, pritjen e Doktor Berishës më 1992 bashkë me Zef Balën, veprimtaritë në dobi të aktiviteteve për komunitetin dhe çështjen kombëtare. Qemal Zylo themelues i Shkollës Shqipe dhe Tv
Alba Live në emër të bordit të shkollës i akorduan Zef Balës çmimin e mirënjohjes për mbështetjen e pakursyer në dobi të mësimit shqip. Ish – kryetari i Vatrës Dritan Mishto theksoi mençurinë e Zef Balës, aftësinë për të mbetur në kujtimet e secilit prej nesh. “Zefi ishte i veçantë, mbaj mend shtrëngimin e fundit të dorës së tij. Do ta kujtojmë gjithmonë me respekt dhe nderim” kujtoi ndër të tjera z.Mishto. Adem Belliu nga Televizioni Kultura Shqiptare foli për amerikanizmin dhe patriotizmin e Zef Balaj. Dritan Haxhia organizatori dhe ideatori i dokumentarit për jetën e Zef Balaj, u tregoi të pranishmëve episode dhe veprimtari në dobi të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Asllan Bushati solli në fjalën e tij veprimtari specifike të Zef Balajt, rolin dhe kontributin e tij në
vendime deçizive ku ka kaluar komuniteti dhe Vatra. Në drekën e lamtumirës, familja e miqtë e përkujtuan me lutje e heshtje Zef Balën, për shpirtin e tij fisnik dhe trashëgiminë e shkëlqyer patriotike që trashëgoi tek të gjithë ne.