
Nga CHRISTINE LAGARDE-Përktheu:Eugjen MERLIKA/
Me vërshimin e pandemisë së COVID – 19 gjithë botës i është dashur të përballojë një vit sakrificash. Shumë kanë humbur jetën, ose të dashurit e tyre. Të tjerë kanë luftuar ashpërsisht për mbijetesë, në rrafshin fizik, emotiv e financiar. Viti që shkoi ka treguar dukshëm se ndikimi shoqëror dhe ekonomik i pandemisë mbi jetën e grave ka qënë veçanërisht i rëndë. Një numur jo proporcional i grave punon në sektorët më të goditur nga pandemia. Me shumë gjasë zhvillojnë veprimtari informale të pambrojtur nga programet e mbështetjes publike. Të shumtave u është dashur të kujdesen të vetme për familiarët më të rinj apo më të moshuar, ndërsa detyroheshin t’i bënin ballë detyrave të punës.
Është shqetësuese se si këto rrethana rrezikojnë të shuajnë përparimet e arritura me çmim të lartë në frontin e barazisë gjinore. Nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë.
Por ka edhe shpresa ndryshimi. Krizat qenësore pështjellojnë mënyrën tonë të jetës së përditëshme e na shtyjnë të rithemelojmë disa prej vlerave tona. Pandemia jo vetëm ka hequr perden mbi mangësitë e rënda të shoqërisë sonë por na ka shtrënguar të veprojmë në mënyrë tjetër. Është pikërisht këtu që shoh mundësinë e një ndryshimi në të mirë. Për këtë sot, në Ditën ndërkombëtare të gruas, ftoj të gjithë të thyejnë skemat e të përqafojnë të reja, më të përshtatëshme ndaj nevojave të së sotmes. Familja, puna dhe roli i jonë i drejtimit janë detyra që kërkojnë shumë zotime.
Puna fillon në familje, zëmra dhe qëndra e jetës sonë gjatë izolimit. Pandemia ka nxjerrë qartësisht në dritë çekuilibrin ndërmjet burrave e grave sa i përket punës së papaguar. Por na ka vërtetuar se edhe shokët tanë mund të marrin peshën e tyre. Në disa raste etërit, të angazhuar në punë nga shtëpia apo të detyruar me një orar të punës të kufizuar, kanë marrë në dorë frenat e familjes, ndërsa nënat kryenin detyra thelbësore përtej mureve shtëpiake.
Një thyerje e tillë e normave, nëse vazhdon, mund t’i sjellë grave lirinë për t’u realizuar gjetiu, në punë e në bashkësi. Një pjesëmarrje më e gjërë e grave në botën e punës, me shërbime të përshtatëshme për ndihmën fëminore dhe një organizim jo të ngurtë në orarin e punës në dobi të grave e të burrave, do të lejonte të kryhej një hap i madh përpara në mbushjen e hendekut pagësor mes gjinive. Në BE gratë fitojnë mesatarisht 14,1 % më pak se burrat. Nëse detyrat shtëpijake janë ndarë në mënyrë më të barabartë në brendësi të familjes, bijtë rriten me një ide më barazuese të rolit në krahasim me brezat e mëparshëm.
Kësaj i shtohet angazhimi në vëndin e punës. Pandemia ka nxjerrë në pah rolin profesional të pamohueshëm që gratë luajnë në shoqëri. Përfaqësojnë tre të katërtat e 18 milion punonjësve shoqo-shëndetësorë në zonën euro e japin ndihmesën në të njëjtën masë në botën e arsimit. Të dy sektorët kanë qenë të domosdoshëm gjatë pandemisë. Tashmë që kemi parë se cila është vlera e vërtetë e këtyre figurave për shoqërinë, është e rëndësishme që ajo të jetë e mirënjohur e të shpërblehet në mënyrë të përshtatëshme.
Ka nevojë edhe për më shumë gra dhe në fushat e shkencës, të teknologjisë, t’ingjinjerisë e të matematikës. Në këta sektorë të karakterizuar nga një trajtim më i mirë ekonomik, një prani më e madhe femërore do të japë ndihmesën që të pakësohet ndryshimi në pagesa ndërmjet gjinive. Veç asaj profesionet shkencore përbëjnë një faktor përcaktues për risinë dhe për kalimin drejt një ekonomie më digjitale dhe më të pranueshme.
Duhet të shohim përtej karrierave tradicionale: le të nxisim gratë e vajzat të shquhen n’ato fusha në të cilat pak prej tyre janë futur. Sot Banka Kombëtare Evropiane fillon një organizim të ri të programit të bursave të studimit për studentet n’ekonomi, që synon të mbushë praninë e kufizuar të grave në këtë sektor.
Puna angazhon edhe në drejtim. Pandemia ka treguar vlerën e drejtimit femëror, veçanërisht në kohë krizash. Kërkimet e zhvilluara gjatë pandemisë kanë zbuluar se gratë janë konsideruar nga bashkëpuntorët e tyre më t’efektëshme se burrat. Janë në gjëndje të bisedojnë e të merren vesh më mirë me vartësit.
Por megjithatë janë gra vetëm 18,5% të kryetarëve të qeverive të Vendeve të BE. Edhe se përfaqësojnë më shumë se gjysmën e popullsisë së BE (51%), prania e tyre në parlamentet kombëtare nuk kalon një të tretën e antarëve. Asnjë nga bankat qëndrore të zonës euro, guvernatorët e të cilave janë emëruar nga qeveritë kombëtare, është e drejtuar nga një grua. Përqindja e përfaqësisë femërore është po aq e ulët në organet administrative të ndërmarrjeve. Në shoqëritë më të mëdha evropiane të kuotuara në bursë, gratë zenë vetëm 7,5 % të posteve drejtuese. Në BQE, nga viti 2013 deri në 2019, kemi më se dyfishuar praninë femërore në drejtimin e lartë dhe objektivi i ynë është t’arrijmë një kuotë prej 40% deri në 2026.
Është çasti të rishikojmë drejtimin e të sjellim më shumë ndryshueshmëri në organet e administratës, në parlamentet e në administratat publike. Një ndarje më e barabartë e detyrave shtëpiake dhe mundësi më të mëdha për karrierë do t’i lejojnë më shumë grave të japin ndihmesën e tyre akoma më tepër për shoqërinë, të marrin pjesë veprueshëm në jetën politike dhe t’i japin zë mjaft aspiratave ende të padëgjuara.
Të shkojmë përpara me ambicie drejt këtij qëllimi në mënyrë që shoqëria e jonë të rishfaqet më e fuqishme, më e barabartë e më e pranueshme nga pandemia.
Christine Lagarde ka qënë për tetë vite drejtoreshë e Fondit monetar ndërkombëtar. Mga 2019 ka pasuar Mario Dragin në kryesinë e Bankës qëndrore evropiane.
“Corriere della Sera, 8 mars 2021 Përktheu Eugjen Merlika