
Familjarë të vatranit Eqrem Ruca nga Virginia vizituan Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Violeta Ruca Gjonaj, mbesa e Eqrem Rucës e shoqëruar nga vajza e saj Dorina Gjonaj me bashkëshortin Mario Elezi e djalin e tyre Jacob, zhvilluan një vizitë të përshpirtshme dhe shumë emocionuese në zemrën e shqiptarisë, Vatrën e ngrohtë e atdhetare të shqiptarëve të Amerikës. Ata shpalosën kujtime të vyera e letërkëmbime autentike të Eqrem Rucës, teksa Editori i Diellit i njohu me historinë e Vatrës e gazetës Dielli. Violeta ishte kujtuar me një dhuratë simbolike me motive patriotike edhe për Vatrën teksa shprehte brengën për xhaxhain e saj.
Një ndër shqiptarët e veçantë të viteve 60-90-të, vatran i përkushtuar, patriot e veprimtar i çështjes kombëtare, sekretar i degës së Vatrës në Queens New York, gjirokastriti Eqrem Ruca la gjurmë të thella në komunitet. I ndarë nga jeta në mënyrë të papritur në 28 maj të vitit 1989 në Woodhaven – Queens të New York-ut, mik dhe bashkëpunëtor i Kokalarëve e Karagjozëve, nga viti 1962-1989 dha kontribut të çmuar në Vatër dhe në mërgatën shqiptare në New York së bashku me familjen Shtino, Kavo e Shehi që lanë gjurmë të thellë në historinë e Federatës. Që pas ndarjes nga jeta, familja nuk ka informacione të detajuara të fatit të tij tragjik dhe Violeta Ruca Gjonaj, mbesa e vatranit Eqrem Ruca i bën thirrje të gjithë bashkëkohësve dhe bashkëveprimtarëve të vatranit Eqrem Ruca që ta kontakojnë në cel: 7036243026 për të ndarë informacion dhe histori rreth jetës, veprimtarisë dhe mirësisë që e karakterizonte. Familja është mirënjohëse dhe falenderon këdo që do të mund të kontribuojë me informacione.