Nga Rafael Floqi/
Në foton e botuar e të përzgjedhur me kujdes nga kryeministri Rama në Facebook që të dukej diku për mbi kokën e tij, si një aureolë e që në pamje të parë të krijonte përshtypjen e një montazhi, dukej si një fantazmë vetë portreti i madh i Enver Hoxhës. Jo më kot manifesti i Partisë Komuniste fillon me një fantazmë mendova.
Por kur pashë se të ftuar dhe lejuar nga protokolli i shtetit ishin një dorë komunistësh që manifestonin me Enverin, madje dhe me yllin bolshevik e drapërin e çekanin, kjo vërtet i kapërcente kufijtë e vetëm një provokimi.
Nuk besoj që as Rama dhe as Meta kanë dëshirë të ngjallin Enverin. Megjithatë ai ishte i pranishëm aty. Po të mos deshin ata ai nuk do të ishte. Pasi ky është një demonstrim i paligjshëm. Dhe jo vetëm ishte. por Rama kishte dëshirë që të ishte. Çfarë letër lakmuesi ishte portreti? Pse po përdorej?. A ishte postimi i këtyre fotove një provokim i Ramës për popullin, apo me tepër provokim për demokratët për qëndrimin e tyre për 29 Nëntorin? A synoi Rama të bënte atë që thotë Berisha në Facebook. Burrë i mirëfilltë shteti dhe jo kulim, siç thonë shkodranët, është ai që di të bashkojë popullin dhe jo ta përçajë popullin e vet. dhe kjo vlen për Ramën dhe për Berishën.
Dhe Facebooku, që është bërë për t’u marrë seriozisht dhe jo seriozisht sot është mejdani i trimave te Rilindjes dhe të Anti-Rilindjes. Berisha thotë se vendosja e fotos së ceremonisë në Facebook nga kryeministri Rama, ishte një provokacion I rëndë dhe të papërgjegjshëm. Dhe këtu ai ka të drejtë . “Me pas, vazhdon Berisha, Edi Rama, për të dëshmuar autorësinë e këtij skenari, zgjodhi me kujdes dhe vendosi ne Facebook fotot e ceremonisë ku spikatnin portretet të atit të tij shpirtëror(propagandë bajate). Me këtë provokacion të rëndë, të papërgjegjshëm, jo thjesht nostalgjik por më shumë simbolik, Rama – Meta ekzekutuan për së dyti të rënët dhe heronjtë tanë”. Por ku gabon Berisha . Unë nuk mendoj se ku ishte një provokim i Ramës për popullin me gjithë rezonancën qe ka, po për Berishën dhe të tijtë. Përgjigja e Ramës në Parlament është vërtet sa për të qarë dhe aq për të qeshur. Përdorimi apo përtallja me moshën dhe uturakët është një reagim diversiv i atij që është kapur në faj.
Dihotomia historike “28- 29” që tani është shndërruar në një paradoks jo historik, me gjithë simbolikën dhe arsyen pro jugosllave të caktimit të Enver Hoxhës gjatë luftës. Vetë fakti që kjo datë ka vazhduar gjithë keta vjet t’i ndajë socialistët nga demokratet, vjen nga shkaku i një mungesës së një katharsisi të shoqërisë shqiptare. Gjatë gjithë tranzicionit PD-ja ka bërë sikur ka luftuar enverizmin dhe PS-ja sikur nuk e ka dashur enverizmin. Dhe kjo është bërë jo pa qëllim.
Por shfaqja e tanishme e fantazmës së Enver Hoxhës tregon edhe një herë se shoqëria shqiptare nuk ka arritur emancipimit as të atij gjermanit, babai i të cilit kishte qenë pjesëmarrës në Masakrën e Borovës që erdhi në Shqipëri i padetyruar nga askush, e u kërkoi ndjesë në emër të humanizmit, shqiptarëve të Borovës. Sa kohë do të nevojitet që shoqëria shqiptare ta bëjë këtë katarsis. Pak kush apo askush, prej ish-komunistëve shqiptarë që kanë mbetur gjallë dhe të atyre që u shërbyen, edhe tani që duken qartë krimet e luftës apo pasluftës nuk ka bërë ndonjë Mea culpa, për të qetësuar shpirtin. Në Shqipëri përpjekjet e demokratëve për dekomunistifikimin e vendit kanë qenë sa për motive politike, apo sa për fasade. Dhe deklaratat e zëdhënëses bukuroshe të PD-së s’prekin as nënqeshjen e Ramës e jo më ta bëjë atë të kërkojë ndjesë. Ky është antikomunizëm me gjoja. Kjo është luftë me Facebook. Një luftë bajate që duhet të ishte mbyllur me kohë. Fajtor për këtë është Berisha, vetë ai që akuzohet nga pyetja. Pse në Shqipëri nuk ndodhi lustracioni dhe dekomunistifikimi i mirëfilltë, pavarësisht se “kur u largua gjermani i fundit”. Nga ana tjetër, “Për cilët “dëshmorë’ e ka fjalën Rama dhe Meta?
Politika shqiptare të korrigjojë “shënjestrën” dhe të kërkojnë falje për llafologjinë boshe që përsërisin çdo 29 nëntor, si në asnjë vend tjetër ish-komunist në Ballkan dhe Evropë. Në një kohë që e gjithë Evropa ka fshirë nga kalendari i festimeve 9 Majin, ditën e pushtimit të Berlinit nga Ushtria e Kuqe”. Atëherë për çfarë feste bëhet fjalë dhe për çfarë vajton pushteti aktual shqiptar bashkë me opozitën e Sali Berishës, kur Shqipëria ka deklaruar se kërkon t’i bashkohet parimeve dhe idealeve perëndimore të BE-së.
Kjo është njëra anë. siç është dhe ana tjetër. E atyre që besuan tek ndershmëria e Luftës Nacional Çlirimtare, pavarësisht krimeve të Enver Hoxhës ndaj të tijve. Sa vetë nga ata dëshmorë janë vrarë nga partizanët me plumb pas shpine? Kush nuk është i bindur për këtë të shikojë dokumentet Pleniumin e Beratit të PKSH-së. Shumica e atyre dëshmorëve kanë pasur idealin më të pastër për liri. Ata nuk janë fajtorë për atë çka bëri Enveri më tej. Dhe për këtë sqaroj se vetë jam nipi i një dëshmori nga ata që ngriti Vlorën më këmbë më 1939, dhe humbi jetën në kampet e shfarrosjes naziste, por që arriti ta merrte këtë titull vetëm pas demokracisë, edhe pse me një familje të lidhur me Luftën. Mendoj se duhet që Lufta e II Botërore në Shqipëri, të shihet me dokumente dhe paanshmëri politike. Dhe kjo lipset të bëhet nga historianë të painfektuar nga çfarëdo ideologjie.
Kjo nuk mund të arrihet vetëm me vetkorrigjim të historianëve, pasi rrënjet ideologjike janë të ngulituara. Ja një shembull. Gjatë simpoziumit të fundit për “Hotin në rrjedhat e shekujve” në Michigan një historian që vetëm emrin e Stalinit nuk e kishte si pjesë të emrin e vet, kritikonte si gjoja shoqërisht një historiane të re që ndriçonte me fakte rolin e komunistëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë në Mal të Zi.
“Historiani” përpiqej që të kritikonte fjalorin e koleges së re të painfektuar nga metodologjia dhe dogmat e vjetra, kur thoshte se komunistët shqiptarë “toleruan” krimet ndaj popullsisë shqiptare të Malësisë. Një vërejtje si duket me takt por që fshinte një mendësi komuniste. Nga kjo ngjarje m’u forcua besimi se pa një katarsis të historianëve nuk ka si të ketë një katarsist të historisë. Ndersa një tjetër historian, një xhaketë e kthyer, nuk la llaf pa thënë kundër një historiani tjetër që e pat kritikuar diku një punim të tij për dëmet naziste gjatë luftës dhe i kishte kërkuar për të qenë i paanshëm të jepte edhe dëmet e partizanëve. “Thuaj se ka bërë një shkrim të poshtër”, më thoshte. Fakti që Historia e Luftës së II Botërore në Shqipëri është e përçudur në masën më montruoze e tregon shifra e fryrë e gjoja 28 000 dëshmorëve kur sipas Ne Arkivin Qendror Shtetëror ku nuk mungojnë edhe pasqyrat përmbledhëse për të rënëve në luftë me të cilat kanë qenë njohur edhe organet më të larta të partisë-shtet. Nga një dokument të vitit 1946 del se numri i të vrarëve në luftë ka qenë 2.519 vetë. AQSH, Fondi 14/AP STR, viti 1946, dosja 40, faqe 159.) dokument i Arkivit të ish- KQ te Partisë se Punës.
Ndaj figurën përbindëshe të Enver Hoxhës nuk e bën më të drejtë e më të pastër lufta , pavarësisht se luftoi në krah të kualicionit fitues. Se Enver Hoxha nuk e meriton të jetë mes dëshmorëve. Ai vërtet luftoi fashistët dhe kjo është pozitive, por ai i punoi popullit të vet poshtërsi, që nuk do të guxonte t’ia bënte atij as pushtuesi më zemërzi, cinik e i pafytyrë. Prandaj Enver Hoxha ka mbetur dhe do të vazhojë të jetë etaloni, me të cilin do të matet shkalla e ligësisë së çdo tirani, dhe turpi i Shqipërisë dhe këtë nuk ka natë të bardhë që ta zbardhë.