Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
Para 27 viteve, në 18 Mars 1996, në gazetën e përditshme të rezistencës “Bujku”, të vetmes atëherë në Kosovë, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, në reportazhin nga kufiri Kosovë-Shqipëri me titull “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, i dërguar edhe në Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë dhe që në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetur” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë e gjejë se është botuar, në 19 Mars 1996, edhe në gazetën Rilindja që dilte në Tiranë pas ndalimit nga regjimi okupues në Prishtinë, mes tjerash, kam shkruar:
“Një grup i të rinjëve dhe të rejave nga rrethi i Prizrenit, ditë më parë ishin penguar të shkojnë në Shqipëri, meqë nuk iu ishin dhënë vizat dalëse nga administrata e instaluar policore serbe në Prizren.
Qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri ishte të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 Marsit.
Donin të shihnin se si kremtohet në Elbasan e njëjta festë që është edhe në Prizren e rrethinë”…
***
Në gazetën “Bujku” reportazhi ka nënshkrimin edhe të korrespondentit të saj në Prizren, Fatmir Pireci, bashkë me të cilin shkuam drejt kufirit…