
Avni Alcani/
Në trevat e Kandavisë antike (Librazhdi i sotëm), si dhe përgjatë luginës së lumit Genesis (Shkumbini i sotëm) ka kaluar një nga rrugët më të vjetra dhe më të famshme në botë, rruga antike me emrin “Via Egnatia”, e cila bashkonte dy pjesët e Perandorisë Romake, atë Perëndimore dhe pjesën Lindore të saj. Rruga zinte fill në qytetin e Romës dhe, nëpërmjet Via Appia-s, lidhte Romën me pjesët lindore të gadishullit Apenin, duke dalë në Adrikatik, në qytetin antik të Dyrrahut. Emrin “Via Egnatia” ajo e mori për nder të konsullit romak Egnatius. Rruga e përshkonte mes për mes të gjithë gadishullin e Ballkanit, nga Durrësi në Kostandinopojë, dhe u shërbente romakëve për lëvizjen legjioneve ushtarake të Romës, për pushtimin e viseve të tjera lindore, si dhe për shkëmbimin e mallrave nga Roma në vendet e pushtuara dhe anasjelltas.
Pjesa më e madhe e kësaj rruge, nga stacioni i Klodianës (Peqini i sotëm) dhe deri në stacionin romak të Tres Tavernas (Qukësi i sotëm), kalonte nëpër luginën e lumit Genesis. Gjatë rrugës ishin ndërtuar disa ura prej guri. Nuk ka të dhëna historike se kur janë ndërtuar këto ura, por gjurmët e disa prej tyre ruhen ende, siç janë disa fragmente muresh dhe urash, si ura në fshatin Çopanaj të Peqinit, ura e madhe e Topçiasit, fragmente muresh në Mirakë, ura e kullimit të ujrave në Dardhë të Librazhdit (fig. 2), disa fragmente urash në fshatin Qukës etj. Ura e Çopanajt, e cila ndodhet mbi përroin me të njëjtin emër, ruhet ende në gjendje shumë të mirë. Ura ka vetëm një hark, i cili ka një formë (konike) mjaft interesante, ndryshe nga urat e tjera prej guri të lumit Shkumbin (fig. 1). Ajo është i ndërtuar me gurë të skalitur, që janë të lidhur me llaç gëlqereje. Pjesa e sipërme e harkut është e ndërtuar me tulla të lidhura gjithashtu me me llaç gëlqereje. Mendohet se ura është ndërtuar rreth shek. të 2- të pas Kr. Në vitet 30-të të shekullit të kaluar mbi urën egzistuese u ndërtua një urë moderne, përmasat e së cilës janë rreth 3.17 metra, e cila, fatmirësisht, e ka mbrojtur urën nga shkatërrimi.
Rruga Egnatia ka ekzistuar përgjatë gjithë periudhave historike. Gjatë pushtimit otoman, përgjatë luginës së Shkumbinit ishin ndërtuar dhe rindërtuar disa ura prej guri, si ura e Polis-Gostimës, ura e Haxhi Beqarit, ura e Kamares, ura e Qukësit, ura e Prenit në Bushtricë dhe ura e Golikut. Këto ura kishin një arkitekturë dhe bukuri të jashtëzakonshme, të cilat patën tërhequr vemendjen e disa prej udhëtarëve të huaj. Një e tillë, p.sh., ishte ura e Qukësit, e memorizuar në vitin 1848 nga piktori anglez Eduart Lir, si dhe ura tjetër (po në Qukës), që ishte fotografuar nga ushtarë austriakë gjatë Lufës së Parë Botërore. Të dy këto ura sot nuk ekzistojnë. Po në këtë periudhë (otomane) është fotografuar dhe pikturuar ura me harqe e Haxhi Beqarit në Mirakë nga autorë anonimë, e cila, gjatë Luftës së Dytë Botërore, u shkatërrua plotësisht nga bombardimet e anglezëve (fig. 3). Gazetari dhe shkrimtari britanik, Bernard Newmen, gjatë viteve ’30 te shekullt të 20-të, ndërmori një udhëtim me biçikletë në disa vënde të Ballkanit Perëndimor. Ai ishte mahnituar nga bukuria e urave prej guri mbi lumin Shkumbin, të cilat i përshkroi në librin e tij me kujtime “Derë e pasme e Shqipërisë”. Ai i përshkruante ato si “ura me një bukuri magjepëse, si në ëndërr” (B. Newmen: “Albanian Back-door”, London 1936).
Në drejtim të rrjedhës së lumit Bushtrica, rreth 3 kilometra sipër urës së Bushtricës, ndodhet “i fshehur” një kanion madhështor me një bukuri të jashtëzakonshme, me emrin “Kanioni i Menikut”. Ky kanion është monumenti natyror më i bukur dhe më veçantë që ndodhet në trevat e rrethit të Librazhdit. Veç bukurisë magjepëse ky kanion mbart një monument të jashtëzakonshëm, siç është ura antike, që quhet “Ura e Prenit”. Nuk dihet se si dhe kur është ndërtuar dhe as përse quhet me këtë emër. Ajo është e ndërtuar sipër kanionit, në një lartësi prej 50 metrash. Ura ka qenë pjesë e një degëzimi të rrugës antike “Egnatia”. Sipas arkitekturës së saj dhe mjeshtërisë (teknikës) së ndërtimit, ajo duhet të jetë ndërtuar para shumë vjetësh. Ura ka një mjeshtëri ndërtimi dhe një bukuri të jashtëzakonshme, që e bën atë që të jetë për nga ndërtimi monumenti më i veçantë dhe më original në Shqipëri. Rreth viteve 60-të të shekullit të kaluar mbi urën egzistuese u ndërtua një urë moderne, e cila shërbente për shfrytëzimin e mineralit të hekur-nikelit, e cila e ka mbrojtur urën nga shkatërrimi i saj (fig. 6).
Jo të gjitha urat prej guri të i patën rezistuar kohës dhe shkatërrimit të tyre të plotë. Vetëm shumë pak prej tyre kanë mbijetuar deri në ditët tona. Fati i disa prej urave prej guri të rrugës “Egnatia” në lumin Shkumbin, si djegia dhe shkatërrimi i tyre, i ka përndjekur ato ndër shekuj. Dëshminë më të herëmshme e kemi nga një autor i shekullit të 5-të , siç është historiani bizantin Malhu, i cili ka përshkruar djegien e një ure mbi lumin Shkumbin. Gjatë një beteje që zhvilluan bizantinët kundër gotëve në vitin 459, shkruan ai, mbreti i gotëve, Teodoriku i Madh, u ndesh me Adanadin, të dërguarin e Perantorit bizantin, i cili e sulmoi ushtrinë gote në urën e Mirakës. Për të shpëtuar ushtrinë dhe familjen e tij nga gotët, ai e dogji urën mbi lumin Shkumbin (“Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”, 2002, f. 409). “Ndërkohë ushtria bizantine, – shkruan arkeologu Neritan Ceka, – e goditi në befasi praparojën e ushtrisë gote, e cila po zbriste përgjatë rrugës Egnatia, ndërmjet të cilëve gjendej nëna dhe vëllai i Teodorikut. Familja mbretërore shpëtoi duke djegur urën mbi lumin Shkumbin, sigurisht në Mirakë” (N. Ceka: Ilirët, Tiranë 2000, faqe 274).
Në të gjithë gjatësinë e lumit Shkumbin sot ruhen të plota vetëm dy ura me harqe prej guri të periudhës osmane: ura e Golikut (Monument Kulture e kat. I) në Mokër të Pogradecit (fig. 5) dhe ura e Kamares (Monument Kulture e kat. I) në fshatin Mirakë të Librazhdit. Ura e Kamares është ura më e madhe prej guri mbi lumin Shkumbin dhe një nga urat më të bukura në Shqipëri (fig 4). Kurse urat e tjera, si ura e me harqe e Qukësit, e pikturuar nga Eduart Lir, sot nuk egziston. As ura prej guri, e rindërtuar po në atë vënd, nuk ekziston. Ato ruhen vetëm në pikturën e Lirit dhe në një fotografi e bërë nga ushtria austriake. As ura e famshme me harqe, e quajtur Ura e Haxhi Beqarit në Mirakë, sot nuk ekziston (fig. 3). Disa foto të Luftës së Dytë Botërore dëshmojnë se në këtë periudhë ajo ka qenë e shkatërruar pjesërisht. Fati i kësaj ure u vendos gjatë Luftës së Dytë Botërrore, gjatë dimrit të vitit 1943-1944, e cila u bombarduar nga avionët luftaranë të ushtrisë aleate (britanike), të cilët sulmonin ushtrinë gjermane.
Por fati i keq po i ndjek urat prej guri deri në ditët tona. Ura më fundit e shkatërruar është ura me një hark mbi lumin Gostimë, e cila kishte një pamje të mrekullueshme dhe shumë të bukur. Për fat të keq, ura u shkatërrua plotësisht në vitin e afërt 2024 nga vërshimet e lumit Gostimë (fig. 5). I bëj thirrje organeve shtetërore përgjegjëse, pushtetit lokal, si dhe të gjithë komunitetit dhe banorëve të fshatrave të Polisit, që ta ringrejnë përsëri urën ashtu siç ka qenë, pasi ajo është një vepër e mrekullueshme monumentale e trashëgimisë sonë kulturore dhe historike. Të gjitha mundësitë janë, pasi gurët dhe një pjesë e urës janë ende aty (sa pa i rrëmbyer lumi edhe ato). Të njëjtin fat i keq mund ta ndjekë edhe urën e Prenit mbi kanionin e mrekullueshëm të lumit të Bushtricës, i cili, jo vetëm duhet të shpallet menjëherë Munument Kulture i mbrojtur nga Shtetit Shqiptar, por duhet urgjentisht t’i bashkohet në administrim Parkut Kombëtar të Maleve të Kuqe (Shebenikut).