New York, 27 Nëntor 2024 – Fatmir Gjeka, ministër i të drejtave të njeriut dhe pakicave në qeverinë e Malit të Zi njëkohësisht dhe kryetar i Partisë Demokratike në Mal të Zi vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ai u shoqërua nga Astrit Hoxha sekretar shtetëror në Ministrinë e Drejtave të Njeriut dhe Pakicave dhe Naser Nika kryetar i shoqatës shqiptaro-amerikane në Staten Island, NY. Ata u pritën nga sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj, z.Ilir Cubi anëtari i kryesisë më 30 vite kontribut në Vatër dhe z.Mëhill Gjuraj biznesmen dhe aktivist i çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës. Dr. Camaj në fjalën e mirëseardhjes shpjegoi historinë e Vatrës dhe Diellit dhe kontributin thelbësor në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri në trojet etnike. Ministri Gjeka vlerësoi punën e Vatrës si institucion kombëtar dhe tregoi sukseset qeveritare në kabinetin ku prezenca dhe fuqia e shqiptarëve është gjithnjë në rritje. Dr. Camaj në emër të Vatrës shprehu mirënjohje, falenderim e mbështetje faktorit politik shqiptar në Mal të Zi të cilët janë më të fortë se kurrë në mbrojtje të interesave kombëtare dhe prosperitetit të Malit të Zi në rrugën euroatlantike.