Prof. Thanas L. Gjika/
Që në vitet e Rilindjes sonë komunitetet shqiptare të diasporës (arbëreshët e Italisë, arbërorët e Greqisë, shqiptarët e mërguar në Rumani, Bullgari, Egjipt, ShBA, etj), filluan të botonin gazeta e revista nën drejtimin e ndonjë ardhetari, ose të ndonjë shoqërie, për të propaganduar idetë e lirisë kombëtare dhe mbas krijimit të shtetit të pavarur edhe ide për demokratizimin e jetës e të politikës së shtetit shqiptar. Mirëpo historia e gazetarisë sonë dhe historia e shoqërive atdhetare shqiptare tregon se vetëm gazeta “Dielli” dhe Federata Panshqiptare Vatra e Amerikës, kanë qenë binomi që i dha ecurinë më të frytshme shqiptarizmit, përmes kanunores së Vatrës dhe botimit të krijimtarisë publicistike, letrare e shkencore në faqet e kësaj gazete. Më 15 qershor 1906 atdhetari Sotir Peci filloi të botonte në Boston MA gazetën “Kombi”. Atij iu bashkuan edhe emigrantë të rinj të shkolluar si Fan Noli, Kristo Floqi, etj. Në tetor të vitit 1908 S. Peci u largua nga ShBA për të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit. Në fillim të janarit 1909 gazeta e tij u mbyll. Atë Fan Noli, i zënë me punët e kishës dhe me përkthimet fetare, kërkoi Faik Konicën që të vinte nga Londra në Boston për të drejtuar gazetën e re “Dielli”, që filloi të botonte shoqëria “Besa Besën” më 15 shkurt të vitit 1909. Gazeta “Kombi” nga 15 qershori 1906 deri në janar 1909 dhe gazeta “Dielli” nga 15 shkurti 1909 deri më prill të vitit 1912 luajtën rol të rëndësishëm për gjallërimin e atdhetarizmit midis emigrantëve shqiptarë të Amerikës, por si “Kombi” me 110 numrat e saj dhe “Dielli” me 147 numrat e veta që u botua si gazetë e shoqërisë “Besa-Besën” para krijimit të Federatës Vatra, nuk mundën të luanin atë rol që luajti gazeta “Dielli” pasi mori statusin organ i Federatës Pan Shqiptare Vatra të Amerikës.
Duke ndjekur shembullin e etërve Noli – Konica, atdhetarë të përkushtuar e të talentuar, emigrantë të tjerë si Kr. Floqi, Kristo Dako, Kostë Çekrezi, Bahri Omari, Andon Frashëri, Qerim Panariti, Xhevat Kallajxhi, Prof. Peter Prifti, Bilal Xhaferi, Arshi Pipa, Agim Karagjozi, etj krijuan klimën e krijimtarisë letrare, publicistike, shkencore, që i dha hov rritjes e forcimit të komunitetit shqiptar të Amerikës si asnjë komuniteti tjetër i diasporës shqiptare. Edhe pse regjimi komunist e luftoi me forma e mjete nga më të ndryshmet këtë federatë dhe gazetën e saj, ato rezistuan dhe i mbijetuan përndjekjes.
Para vitit 1990 funksionuan dhe disa emisione radiofonike në gjuhën shqipe. U shquan në faqet e gazetës “Dielli” dhe Prof. Sami Repishti e intelektualë të tjerë. Kurse pas vitit 1991 nisën aktivitetin dhe disa emigrantë të rinj si Naum Prifti, Anton Çefa, Dalip Greca, Sokol Paja. Filluan botimin gazeta “Illyria” e Hary Bajraktarit (e vijojnë Vehbi Bajrami dhe Ruben Avxhiu), dhe revista të komuniteteve fetare, u hapën stacione televizive, faqe interneti, etj. Por gazeta “Dielli” dhe Federata Vatra mbetën organi dhe shoqata më e rëndësishme e komunitetit shqiptar të ShBA-ve. Ky binom shquhet sot dhe në mbarë diasporën shqiptare që ekziston në Europë dhe Australi. Pa përmendur numrin e madh të biznesmenëve dhe të kuadrove të lartë të shquar që punojnë në fusha të ndryshme sot në ShBA, mund të them pa mëdyshje se komuniteti shqiptar i ShBA-ve ka dhe numrin më të madh të krijuesve cilësorë, poetë, shkrimtarë, gazetarë dhe studiues në krahasim me komunitetet e tjera shqiptare të botës. Këto arritje nuk janë thjesht pasojë e standartit ekonomik të ShBA-ve, dhe as se këtu numri i emigrantëve tanë është më i madh se gjetkë. Në ShBA jetojnë sot më pak se 250.000 shqiptarë. Në vende me standart të afërt me atë të ShBA-ve si Zvicra ku punojnë mbi 300.000 shqiptarë, Gjermania e Anglia ku punojnë nga 250.000 shqiptarë, nuk mund të krahasohen arritjet intelektuale dhe atdhetare të emigrantëve të atjeshëm me ato të komunitetit shqiptar të ShBA-ve.
Pandaj ideja e Dr. Elmi Berishës, Presidentit të sotëm të Federatës Pan Shqiptare Vatra të Amerikës, për të krijuar edhe në komunitetet e tjera shqiptare në emigracion shoqëri të ngjashme me Federatën Vatra, të cilat të botojnë dhe nga një gazetë qendrore, vlen të mbështetet nga atdhetarët shqiptarë që jetojnë në Itali, Greqi, Gjermani, Francë, Zvicër, etj. Krijimi i këtyre shoqërive atdhetare me kanunore e gazeta përkatëse duhet të ndihmohen edhe prej qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, sepse ky proces do të ndihmojnë në ecjen drejt krijimit të lobit shqiptar mbarëkombëtar, nevojë e kohës sonë…