
Federika Mogherini e ka rrënuar dialogun Kosovë-Serbi sepse nuk është arbitre mbi palët,por trajnere e një Serbie mitomane
Nga Elida Buçpapaj/
Për sa kohë do të vazhdojë të drejtojë Federica Mogherini dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, nuk do të ketë dialog. Përkundrazi do të ketë krizë dhe apetite të Serbisë për të kthyer orën mbrapsht!
Që të kishte dialog midis Kosovës e Serbisë, do të duhej që jo vetëm Kosova, por edhe Serbia, pra të dyja palët, të kishin një komunikim të barabartë mes tyre. Serbia duhej të hynte në dialog duke respektuar të gjitha arritjet e mundimshme të faktorit ndërkombëtar NATO/SHBA/BE/Gjykata Ndërkombëtare mbi Kosovën dhe për Kosovën, ndërsa Zonja Mogherini si palë e tretë mbi palët, do të duhej të ndiqte mbarëvajtjen, me atributet e arbitrit.
Nëse do të shihte interesin e BE-së, Federica Mogherini, për mbarëvajtjen e dialogut do të duhej të vendoste që në krye kushte, ku duhej të ndalohej çdo tentativë e Serbisë për të penguar njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe integrimin e saj në organizmat ndërkombëtare, nisur nga fakti se edhe Serbia është pretendente për t’u anëtarësuar në BE.
Federica Mogherini mund ta tregonte dashamirësinë e saj me Serbinë vetëm në rezonancë me interesat e BE-së, duke i ofruar Serbisë një shans pranimi direkt në BE, me kusht që Beogradi të njihte Kosovën, të korigjonte Kushtetutën dhe të nënshkruante një marrëveshje me BE-në, ku të përjashtonte çdo lloj vetoje dhe aktiviteti kundër interesave Kosovës! Serbia do të privilegjohej, por mes Kosovës e Serbisë të hapej një faqe e re në histori në të mirë të ardhmërisë e brezit të ri. Sikur Franca dhe Gjermania!
Por Federica Mogherini, duke shkelur obligimet e saj si zyrtare e lartë e BE-së, ka hequr dorë nga arbitrimi free and fair dhe ka kaluar hapur me Beogradin, i cili sot ka dalë me pretendime mitomane të kohës së kriminelit Sllobodan Milosheviç, çka vë në rrezik hapur stabilitetin e rajonit dhe interesat e BE-së.
E kemi dëgjuar Federica Mogherinin një milionë herë t’i kërkojë Haradinajt heqjen e taksës 100 % që Kosova ka vendosur pas minimit nga ana e Serbisë të kushteve minimale për dialog midis dy vendeve sovrane, por kurrë që t’i tërheqë vemendjen Serbisë !
A loboi zonja Mugherini pranë UNESCO-s apo pranë INTERPOLI-it, si përfaqësuese e BE-së, meqë 23 vende të BE e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që Kosova të anëtarësohej në këtë dy organizma ndërkombëtare ?
Jo!
A i bëri zonja Mogherini ndonjëherë thirrje Daçiçit që të heqë dorë nga retorika agresive dhe lufta diplomatike e Beogradit që Kosova të mos pranohet në organizmat ndërkombëtare?
Jo!
A i ka tërhequr vemendjen ndonjëherë zonja Mogherini palës serbe që Beogradi të ndalë angazhimin shtetëror për anullimin e njohjes së pavarësisë të Kosovës nga shtete që e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur?
Jo!
A i ka bërë thirrje Federica Mogherini Aleksandër Vuçiçit që ta heqin Kosovën nga Kushtetuta serbe, ku rezulton të jetë ende e pushtuar nga shteti që në konfliktin 1998-1999 e humbi luftën me NATO-n dhe shtetet e BE-së !
Federica Mogherini jo vetëm që nuk ka përmbushur funksionet e zyrës që përfaqëson, por e trajton Kosovën si një shtet të dorës të tretë, duke i privuar shqiptarët e Kosovës nga e drejta e e qarkullimit të lirë, ndryshe nga pakica serbe në Kosovë e cila e përfiton këtë të drejtë prej shtetësisë të dyfishtë!
Dua t’i bëj një pyetje zonjës Federica Mogherini: Kush ishte vendi agresor që dëboi 1 milionë shqiptarë nga vatrat e tyre dhe kush ishte viktima në konfliktin e vitit 1998-1999, Kosova apo Serbia, ?
Federica Mogherini s’ka se çfarë t’i thotë sot as Këshillit të Sigurimit, as BE-së, as vendeve të Kuintit, as NATO-s dhe as Ramush Haradinajt, sepse ajo ka shkelur obligimet që kërkon arbitrazhi i paanshëm e me integritet dhe, nga arbitre e BE-së, ka kaluar hapur si trajnere e shtetit serb dhe Beogradit, duke nxitur oreksin e Serbisë me tema eksploduese që tashmë janë mbyllur një herë e përgjithmonë nga Perëndimi!
Sovraniteti territorial i Kosovës, i cili prej 20 vitesh mbrohet nga trupat e KFOR-it, është i pacënueshëm!
Kur them Federica Mogherini është trajnere e Serbisë, nuk është fjala për trajnere të një vendi që bën një garë të ndershme duke synuar BE-në, por është trajnere e një Serbie që i është kthyer mitomanisë të së djeshmes me rreziqe për të gjithë!
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë i mirëpritur kur të ngrihet mbi themele të shëndosha, me këmbën e mbarë dhe nga arbitër që interesohen për të mirën e përbashkët të shqiptarëve dhe serbëve larg çdo lloj reminishence të së shkuarës. Na duhet t’i kurojmë plagët, jo t’i hapim rajonit plagë të tjera!
Për fatin e Kosovës në vitin 1998-1999 vendosi Perëndimi dhe populli i Kosovës, se Kosova është në zemër të Europës, në respekt të së drejtës ndërkombëtare dhe lirive e të drejtave themelore të njeriut, duke ndalur përmes ushtrisë së NATO-s dhe UÇK-së spastrimin etnik dhe genocidin që Serbia e Milosheviçit kishte ndërmarrë ndaj popullësisë civile në Kosovë.
Kur themi Perëndimi nënkuptojmë Madeleine Albright, Hillary Clinton, Angela Merkel, por jo Federica Mogherini!