
Imer Lladrovci/
Kur Fehmi e Xhevë Lladrovci hynë në tokën e Kosovës në marsin e vitit 1998, Adem Jashari nuk ishte më gjallë, por me siguri shpirti i tij ishte i qetë sepse ai kishte besim të madh te Fehmi Lladrovci, i cili do ta vazhdonte punën e tij atdhetare aty ku e kishte lënë ai. Azem e Shote Galica ishin kthyer nga legjenda në realitetin e luftës. Azem Galica e Adem Jashari i përkisnin një bote tjetër, kurse Fehmi Lladrovci si Lutë Gllanasella ishte vënë në krye të atyre që luftonin për çlirim. Do të luftonte edhe disa muaj dhe pastaj do t‘i bashkohej galerisë së heronjëve të kombit. Kishte edhe një Adem tjetër, Adem Demaçi, i cili e priste Fehmi Lladrovcin në Kosovë. Ai ishte shprehur disa here në publik me entuziazëm për kthimin e tij. Adem Demaçi ishte i bindur se nuk mund të kishte një luftë çlirimtare pa Fehmi Lladrovcin. Ai i gëzohej edhe Shote Galicës së re, Xhevë Krasniqit-Lladrovcit. Pikërisht në këtë kohë të kthimit të Fehmi Lladrovcit në Kosovë, pas epopesë së Jasharëve në Prekaz, UÇK-ja u kthye nga një organizatë guerile në një ushtri të vërtetë popullore. Mjafton t‘i hedhim një shikim rreth e për qark, për t‘u bindur se shndërrimi i UÇK-së në një ushtri popullore nuk ishte një hap i vetëkuptueshëm dhe automatik. “Kur Gjergj Kastrioti-Skenderbeu u kthye në Krujë tha se “lirinë e gjeta midis jush”. Ata që s‘e deshën luftën dhe çmimin e saj të lartë thonë se çlirimi na erdhi nga jashtë. S‘ka asnjë dyshim se pa NATO-në gjithçka do të dukej ndryshe.
Nxënësi i Fazli Grajçevcit e Adem Demaçit, bashkëluftëtari i Adem Jasharit punoi me të gjitha forcat e tij që të organizonte një rezistencë të armatosur. Kjo ushtri, që ishte ngritur si nga një legjendë, s‘kishte shumë armë dhe aftësi ushtarake për t‘i dalë përballë një ushtrie moderne, të armatosur e të stërvitur mirë, por kishte diçka që i mungonte ushtrisë që e rrethoi prijësin me ushtrinë e tij të gatshme për çdo flijim: moralin e fortë luftarak. Ballë për ballë ishin dy ushtri: ushtria e pavdekshme e Fehmi Lladrovcit dhe ushtria serbe, njëra ishte vullnetare, tjetra një ushtri moderne që kishte në arsenalin e saj teknologjitë më të mira të kohës. Megjithatë, në fund fitoi ushtria që kishte njeriun me vete, jo armët. Lufta, që s’fitohet më parë politikisht, është luftë e kotë. Gjashtë muaj pas rënies së Fehmi e Xhevë Lladrovcit në luftë u fut edhe Aleanca ushtarake më e madhe në botë, NATO-ja, kundër Serbisë, dmth. në krahun e UÇK-së. Sot aty-këtu thuhet gjithçka e zezë për luftën tonë çlirimtare, por ajo në histori ka hyrë tashmë si një moment i shkëlqyer dinjiteti i një populli që për lirinë e tij flijoi gjithçka. Pa këtë luftë ne nuk do të ishin këtu ku jemi. Shteti i Kosovës nuk na u servua në pjatë si dhuratë, por ai erdhi pas një lufte të madhe që tërhoqi pas vetes edhe botën liridashëse. Në këtë kuptim Lufta e Kosovës përbën ngjarjen më të madhe në historinë e popullit shqiptar.
Fehmi Lladrovci gjithmonë ka qenë i lidhur me luftën, edhepse ai e dinte se ajo ishte e rrezikshme. Në jetën e tij politike, busulla e orientimit ishte lufta çlirimtare. Luftën çlirimtare e shihte si një moment të pashmangshëm në rrugën tonë drejt lirisë, të domosdoshme, por jo e mjaftueshme. Shumë popuj luftonin për liri, por ndonjëherë udha e tyre zgjatej pafundësisht shumë. Në rastin e Kosovës, parashikonte një udhë të shkutër, por të larë me gjak. Parashikimi i tij doli, sepse në luftën tonë u inkuadrua Perëndimi përmes NATO-së. Në luftë i pa të gjitha, por nuk u dëshpërua kurrë, sepse e dinte që njerëzit s’ishin hyjni. Dhe luftë pa njerëz nuk ka.E dinte se lufta i do të gjithë në front, të bashkuar. Mangësitë dhe njëanshmëritë i urrente, por e çmonte pa masë gatishmërinë për luftë. Kjo mendësi e bëri atë të padëshirueshëm te të gjithë ata që jo pa djalllëzi donin të krijonin një atmosferë tjetër, të përçarjes përmes ndarjes në taborre të ndryshme politike. UÇK-ja është luftuar vazhdimisht me operacione speciale tė agjenturave. Fehmi Lladrovci e konsideronte luftën një çështje që i përkiste të gjithëve dhe jo një çështje e monopolit të pakicës. “To be or not to be“, një çështje për jetë a vdekje, pikërisht ashtu siç thuhet në “Hamletin“ e Shekspirit (Shakespeare).
Gazetari anglez i BBC-së Lion (Lyon), që i njihte lëvizjet kryesore guerile në botë, pati thënë se në pamje fizike, askush tjetër nga luftëtarët e UÇK-së s‘i ngjante aq shumë si Fehmi Lladrovci Skenderbeut. Nuk e di a i njihte këto fjalë të gazetarit të BBC-së kur ishte gjallë, por edhe sikur të ketë qenë në dijeni të tyre ai do t’i kishte interpretuar ato vetëm si një shprehje dashamirësie dhe kurrë si diçka tjetër. Kurrë s‘do t‘i kishte shkuar mendja ta krahasonte veten me Skenderbeun, por si model të atdhetarit të madh ai e kishte pasur gjithmonë në jetë figurën e tij. Fehmi Lladrovci ishte një udhëheqës karizmatik. Ai bënte që çdo ushtar i tij të ndihej mirë në këtë përpjekje titanike për çlirim, sepse e dinte sesa e vështirë ishte kjo luftë. E megjithatë thoshte se s‘i mungonte asgjë. Një gazetare shqiptare që e vizitoi në llogoret e luftës, Jeta Xharra, disa muaj para se të binte në fushën e betejës, Ai i pati thënë se nuk na duhet asgjë, i kemi të gjitha. Një ushtri me një moral të tillë vërtet i kishte të gjitha. Dikujt që ka vendosur të vdes për liri me të vërtetë nuk i mungon asgjë.
Fehmi Lladrovci kishte në shkollë një mësues që e njeh mbarë populli shqiptar: Fazli Grajçevcin. Fehmiu kurrë nuk harroi mësuesin e tij. Figura e tij atdhetare ishte skalitur në kujtesën e tij në mënyrë të pashlyeshme. Me këtë ideal për flamurin shqiptar si mësuesi i tij Fazli Grajçevci, ai nuk mund të kishte fund tjetër. Këto ideale e çuan atë në burg ku takoi mësuesin e tij politik të madh: Adem Demaçin. Me këta mësuesë, ai nuk mund të vepronte ndryshe, veçse si luftëtar kombëtar. Në librin monografik të Bedri Islamit “Përjetësia e dyfishtë“ kemi një kapitull ku ai përgatitet për fundin e tij të lavdishëm. Pak kohë para 22 shtatorit 1998 mori vesh se ushtria serbe ia kishte mësyer Shkabës, Drenicës, ku ai ishte me ushtrinë e tij, Brigadën 114. Fehmi Lladrovci vizitoi shtëpinë e tij dhe i dha në njëfarë mënyre lamtumirën e fundit rrethit të tij. Ky episod i jetës së tij, e trondit çdo lexues të vëmendshëm. Ai e ndjente se këtë ofenzivë s‘e mbijetonte dot, por s’pendohej për luftën e tij, sepse shumë njerëz që kishte takuar në jetë dhe që e kishin frymëzuar për veprim atdhetar nuk i takonin prej vitesh këtij universi. Atdhetarë e luftëtarë të shumtë ishin vrarë në mbarë Kosovën. Ai nuk e shihte veten jashtë kësaj çete luftetaresh. Miku i tij, Bekim Berisha, po atë verë kishte rënë heroikisht në Junik. Rrethi po ngushtohej, por heroi nuk po ligej. Përkundrazi. Ai ishte më i vendosur se kurrë për luftën. Kështu, me qëndrimin e trimave të lashtë, ai mbeti në kujtesën e ushtarëve të tij që mbetën gjallë. Fehmi e Xhevë Lladrovci mbeten shembull i përkushtimit, guximit dhe sakrificës për lirinë e Kosovës, një trashëgimi që do të frymëzojë brezat e ardhshëm.