
Në përvjetorin e 28-të të ndarjes nga jeta të kompozitorit Feim Ibrahimi (1935–1997), kujtojmë jo vetëm figurën e një prej krijuesve më të mëdhenj të muzikës shqiptare, por edhe trashëgiminë e një vizionari që i dha tonin e kohës së tij muzikës serioze dhe vokale shqiptare. Ai ishte produkt i një shkolle të mirëfilltë kombëtare të muzikës, e cila në gjysmën e dytë të shekullit XX filloi të konsolidohej në përpjekje për të krijuar një identitet të veçantë të muzikës shqiptare, të përshkuar nga ndërthurja e traditës dhe modernitetit.
Feim Ibrahimi i përket brezit të parë të kompozitorëve shqiptarë të formuar në Shqipëri, të cilët sollën në krijimtarinë e tyre një ndjeshmëri të re, një guxim eksperimental dhe një ndërlidhje të fortë midis përjetimit personal dhe fatit historik të popullit. Krijimtaria e tij është pasuri e çmuar e muzikës shqiptare dhe përfaqëson një vepër të gjerë dhe të shumëllojshme: nga muzika simfonike e deri te muzika për fëmijë, nga kënga artistike te baletet dhe muzika korale.
Një prej kulmeve të veprës së tij, që ka kaluar përtej kohës dhe është shndërruar në një himn shpirtëror të shqiptarëve kudo në botë, është kënga “Kënga rrjedh në këngë e ligjërime ” me vargjet e ppetit Gjok Beci dhe melodinë e ndërtuar mbi një strukturë të thjeshtë por prekëse, e intepretuar mjeshtërisht nga Vaçe Zela, , kjo këngë mishëron ndjenjën e përkatësisë, të dhembjes dhe krenarisë kombëtare. Ajo u bë simbol i një fryme të re kulturore në fund të viteve ’70 dhe vazhdon të mbetet një prej pikëreferimeve më të forta muzikore në kujtesën kolektive shqiptare. Nuk është e rastësishme që kjo këngë këndohet në raste të mëdha kombëtare, në diaspora, në shkolla dhe institucione, duke përforcuar rolin e saj si një thirrje për unitet, dashuri dhe identitet.
Por Feim Ibrahimi nuk u kufizua vetëm në formën klasike të muzikës vokale. Ai guxoi të futë në muzikën shqiptare elementë të avangardës europiane, teknikën seriale dhe ekspresivitetin e përmbajtur të muzikës moderne. Ishte ndër të parët që eksperimentoi me përmasa të reja harmonike dhe ritmike, duke zgjeruar ndjeshëm horizontet e muzikës shqiptare.
Një shembull i veçantë i përballjes së tij me tematikat historike dhe mitologjike është baleti “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”(1983), një vepër që përpunon në mënyrë metaforike motivin e qëndresës dhe flijimit të Gjergj Elez Alisë, një prej figurave më të fuqishme të epikës legjendare shqiptare. Në këtë balet, Ibrahimi përçon jo vetëm dhimbjen, përpjekjen dhe heroizmin, por edhe dramën shpirtërore të njeriut që mbart mbi supe plagët e historisë. Muzika është e fuqishme, herëherë therëse, me kontraste të forta që e lidhin veprën me një ndjeshmëri moderne europiane, duke e universalizuar kështu një mit shqiptar.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i krijimtarisë së tij është pasqyrimi i ngjarjeve historike dhe sociale përmes gjuhës muzikore. Veprat e tij nuk janë të shkëputura nga konteksti, përkundrazi, ato shërbejnë si pasqyra të realiteteve të kohës: lufta, ndërtimi, idealizmi, dilemave të brendshme të individit dhe shoqërisë. Muzika e tij është angazhuese dhe meditative, por asnjëherë propagandistike. Ai i qëndroi gjithnjë besnik artit të vërtetë dhe përkushtimit ndaj cilësisë dhe origjinalitetit artistik.
Feim Ibrahimi pati gjithashtu një rol të madh institucional dhe formues në jetën muzikore të Shqipërisë. Ai ishte organizator dhe drejtues i festivaleve dhe ngjarjeve muzikore, duke ushqyer zhvillimin e brezave të rinj të kompozitorëve shqiptarë. Puna e tij në fushën e edukimit muzikor ishte po aq e rëndësishme sa edhe krijimtaria artistike.
Trashëgimia që ai la pas përfshin qindra vepra, shumë prej të cilave janë të arkivuara në fonotekat dhe bibliotekat muzikore shqiptare. Fatkeqësisht, siç ndodh shpesh në vendin tonë, një pjesë e veprës së tij pret ende të rigjendet, të restaurohet dhe të rivlerësohet siç e meriton. Rikthimi i veprave të tij në skenë, sidomos simfonitë, baletet dhe veprat për kor dhe orkestër, është një detyrë kulturore e domosdoshme për institucionet tona.
Sot, në 28-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, përkujtojmë Feim Ibrahimin jo vetëm si një kompozitor të shquar, por edhe si një figurë formuese të identitetit muzikor shqiptar të shekullit XX. Ai ishte një zë i rrallë që solli thellësi, elegancë dhe kurajë në muzikën tonë, dhe që me veprën e tij vijon të frymëzojë, të sfidojë dhe të prekë zemrat e dëgjuesve, përtej kohës dhe kufijve.
© Dorian Koçi