Pse u harrua ari i vjedhur i Thesarit të Shtetit? Po prokuroria çfarë ka bërë në kaq vjet, fle mbi dosje? Ja po i themi ca llafe për ta nakatosur problemin e vjedhjes së shekullit që shkoi, se kush e di na dëgjon Prokuroria dhe zgjohet nga gjumi i thellë letargjik, sepse i bën nani-nani edhe politika./
Shkruar nga Kolec TRABOINI/
Të nderuarit gjumashët tanë të Drejtësisë së Leshit e të Preshit- meqë nuk e kini vënë ujin në zjarr të kapni hajdutët e Arit të Thesarit të Shtetit, të paktën me ata te policisë se fshehtë( ca po na thonë se do kemi edhe FBI shqiptare) që keni de, që rrinë kot, të fshehur qofshin apo edhe hapur, shkoni e bisedoni me popullin, pyesni popullin se ai e di shumë mirë kush e ka vjedhur Arin në tunele sikur të vidhnin një thes me misër apo një gomar me shalqinj. Veç ato shkresurinat që keni sajuar atëbotë harrojini, dhe lërëni atë punën e fshatarit me gomar se nuk e ha njeri sapunin për djathë në Shqipëri. Por le ti vimë pakëz rrotull tuneleve me ca pyetje. Kush e ruante thesarin?! Kush i caktonte rojet. Kanë qënë të zgjedhur me konkurrim e zotësi apo miq tarafi e fisëri, si në këtë vjedhjen spektakolare të këtyre ditëve që ca po thonë kap shifrat 40 apo 60 milion e kusur valute europe. U fshin nga faqja e dheut nën hundën e guvernatorit Fullani që na mban edhe leksione mbi ca fitime e zhvillime financiare e ekonomike fantazore. A e keni lexuar se kush punon në Bankën e Shtetit ku ruhet paraja e popullit. Të mjerit popull thuaj. Të gjithë bij të politikës, fis i guvernorit, të këtij e atij e, asnjë njeri i vetëm i ardhur me zotësi dhe që nuk ka një mik a kushuri në politikën e lartë. Asnjë nga populli i thjeshtë. Gjithçka nga blloku i ri, nga byroja e re politike, nga Komiteti i ri Qëndror… A e doni listen e të punësuarve në Bankën ku guvernon një figurë e lartë e kupoles si Adrian Fullani, i cili si të ishte shejk apo faraon bën një jetë përrallore. Shkruajnë gazetat për mysebetet e tij por as qeveria e vjetër as kjo e reja nuk kanë vesh të dëgjojnë, kanë vetëm gojë për të ngrënë e gjuhë për të llapur. Ja ky më poshtë është ekipi i tarafeve e çokave të politikës në Bankën e Shtetit Shqiptar që drejtohet nga Adrian Fullani , botuar kjo në gazetën “Sot”:
1. Miranda Rama,(kunata e Sali Berishës) Këshilltare e Guvernatorit.
2. Adela Bode, (vajza e Ridvan Bodes) Departamenti i Stabilimentit Financiar.
3. Megi Topalli, (vajza e Jozefina Topallit) Departamenti i Kërkimeve
4. Odeta Nishani, (gruaja e Bujar Nishanit) Departamenti i Administrimit.
5. Helga Strazimiri, (motra e Genti Strazimirit) Departamenti i Mbikëqyrjes.
6. Blerta Kruja, (motra e Keltis Krujës) Departamenti i Administrimit.
7. Anila Muçka, (kunata e Adriatik Llallës) Departamenti i Burimeve Njerëzore.
8. Evis Çeli, (kunata e Arben Imamit) Departamenti i Sistemeve të Pagesave.
9. Gejsi Çeku, (djali i Robert Çekut) Departamenti i Kontabilitetit.
10. Anjeza Harizaj, (vajza e kryetarit të PD-së Kavajë, nusja e djalit të Fatos Bejës)
11. Kristi Kromidha Nano, (vëllai i Xhoana Nanos) Departamenti Juridik.
12. Eduart Roku, (nipi i Guvernator Fullanit) Departamenti i Burimeve Njerëzore.
13. Elsa Zhulali, (vajza e Safet Zhulalit, kunata e Aldo Bumçit) Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë.
14. Onos Topi, (djali i tezes së Blendi Fevziut) Departamenti i Statistikës.
15. Besnik Dedja, (daja i gruas së Samir Mane TEG-ut) Arshiva Elektronike
16. Lorna Tabaku, (motra e Jorida Tabakut) Departamenti i Mbikëqyrjes
17. Lavdie Memiaj, (kunata e Shaban Memisë) Departamenti i Pagesave
18. Ledia Bregu, (kushërira e parë e Majlinda Bregut) Departamenti i Kontrollit
19. Juna Bozdo, (motra e Eno Bozdos) Departamenti i Mbikëqyrjes
20. Eduard Sinani, Drejtor i Sigurimit, vëllai i Dëshira Subashit (ish- anëtare e Komisionit Qendror te Zgjedhjeve).
21. Arben Beja, (djali i Fatos Bejës) Agjencia e Sigurimit të Depozitave.
22. Marilda Shkurti, (vajza e dajës se Guvernator Fullanit) Agjencia e Sigurimit të Depozitave.
Çeshtja shtrohet mos vallë ashtu siç ndodhi me vjedhjen e shufrave të arit, edhe kësaj radhe i kishin vënë ujkut mëlçinë në qafë për ti ruajtur. Ka mundësi. Se ashtu bëri Fullani, vuri hajdutin për të ruajtur paratë. Ose vihen ca policë matrahulë që edhe ata flejnë gjumë e nuk ruajnë asgjë. Por problemi është se mirë u vodhën, po ku shkuan shufrat e arit se ato nuk ishin gjëlpëra që të humbisnin në mullarë. Është e thjeshtë. Kush shkelqeu dhe u bë bos i madh në Shqipëri, pra nga asgjëja na doli gjëja? Por që të flasim pak më shkoqur është mëse bindëse ajo që thuhet se i vodhi politika. Cili do thoni ju. Cili nga këta të politikës e ngjeu gishtin në mjaltin e Thesarit, të Arit të Shtetit? Kjo është pyetja që bëjnë të gjithë, madje edhe njerëzit që nuk dinë por edhe ata që e kanë vjedhur vetë po kështu pyesin. Edhe ju që i lexoni këto radhë pyesni. Po ju edhe pse e dini mjaftueshem te verteten, pyesni e bëni kinse. Çudi….sa të zgjuar janë shqiptarët…. As hetuesit nuk pyesin kështu. Madje ata as nuk pyesin fare. Pse, paratë e babait i kanë që të interesohen për to? Populli për atë punë është për tu rjepur e për tu vjedhur, por ndonjëherë edhe për tu vrarë. Nuk e dini se Gërdeci bashkë me 21 janarin u harruan ani pse së bashku kanë 30 varre duke përfshire edhe gra e fëmijë, nuk po zemë në gojë ata viktimat e politikës e mafias shqiptare që ikin një e nga një se ata janë aq shumë sa duhet të shkojmë në shekullin tjetër pa le se mos mbërthejmë ndonje fajtor pasi të ketë shkuar në botën tjetër.
Kështu punët në Shqipëri. Vritet, vidhet, dhe askush nga qeverisësit e pushtetarët nuk flasin. Keni parë ju se edhe opozita hesht se Qeveria nuk di çfarë të bejë më parë se e se i ka KLD dhe sejmenët e Drejtësisë kundra e akoma nën komandën e Qoftëlargut. Presidenti po ashtu i heshtur sikur të mos ketë ndodhur gjë këtu tek ne, tek populli i vet, po në Republikën e Zulullandit, nëse ekziston ende ky emërtim konician. Kryeprokurori ngec-ngec. Asnjë fjalë. Kap policia e lësho drejtësia si në lojë të kungulleshkës a si macja me miun. Populli qesh, e ç’të bejë tjetër populli. Kush e pjerdh popullin në Shqipëri. Gjykatat kanë halle se nuk po dinë ku ti fshehin rushfetet, shtëpitë, pasuritë, se frika sa një mal, se sidokudo ka nisur rruspi. Gjin Gjoni nuk di ku ka kokën. Po sa Gjin Gjona ka Shqipëria. Madje ky Gjini i shkretë mund të jetë vrima e fundit e kavallit. Më e pakta se ky riosh u ekspozua shume tek po i gëzohet zbukurimoreve e sendeve të çmuara, me varëse të mëdha ari e me unaza me kalorës, sigurisht dhe makina lluksoze si çdo fshatar që zbret nga provinca dhe me një kurs tremujor (shkolla e Sudes politike), u bë Maliq-Kadi.
E he, janë ca punë të thella vërtetë, por, po të duan, gjëndet fare lehtë se kush e vodhi thesarin, kush e vodhi shtetin, kush e bëri qametin në Shqipëri. Aq më tepër se Thesari, me shufra qofte a me letra, nisi vërtetë si në një legjendë persiane “Sazan hapu!”, me një fshatar me gomar ( Ali Baba), por ama atë çast e përkëtej vidhet për çdo ditë që ka falur Zoti dhe e manipulon robi.
Por, që të mos i zgjasim llafet tërkuzë, a e doni të vërtetën lakuriq siç e thotë populli? Po…- thonë të gjithe, – të vërtetën e duam! Po ku ka të vërtetë që tua bëj qejfin të gjithëve?! Me të vjedhur e me hajdutë, me viktima e me vrasës. Po ka një pistë që të çon tek e vërteta. Këta që kanë patur apo vazhdojnë ti kenë kyçet e shtetit e që heshtin e kanë vjedhur, sepse po të mos e kishin vjedhur vetë, do ti kapnin jo vetëm hajdutët e thesarit por edhe vrasësin e Santos, sepse edhe ajo punë parash ishte. Dhe paratë janë aty në bankë. Ku ka para ka gjurmë gjaku, aty fshihet krimi. Dhe enigma e çdo sekreti bashkë me paratë janë. Kot kërkohet nëpër qymeze fshati për të gjetur vrases të paguar. Edhe po ti kapni nuk dinë asgjë. Mafia punon me duar të pastra, me doreza të bardha me bisturi të mprehta e të holla. Madje a nuk i patë policët se si bënin sehir, ndërkohë që vrasësi me nge paloste të mjerin bankier. Madje pa harruar edhe një plumb të fundit në kokë që të përfundonte me sukses të plotë biznesi i vrasjeve të porositura nga lart, por jo nga larg. Dhe ishte bankieri më i madh i Shqipërisë. Investitor marramëndes. (Please! Mos pyesni si u bënë kaq shumë para në një vend kaq të varfër se u del kallaji të gjithëve sikur ti gervishni fare pak. Madje, edhe atyre të huajve që na mësojnë si luftohet korrupsioni dhe si bëhet shtet. Buzët me mjaltë dhe ata). Por le të vazhdojmë për ti dhënë fund këtij fejtoni tragji-komik: Polici me revole në brez shihte skenën jo më shumë se pese metra larg. Pastaj vrapoi me bisht ndër shalë. Kështu ruhen bankat dhe njerëzit në Shqipëri. Kështu punon edhe drejtësia, edhe politika, edhe shteti. Peshorja e drejtësisë shkon gjithnjë andej nga del leku. Rri e vras mendjen, ani pse e di që kot e kam që grindem me vete, po si more nuk u vete mendja këtyre që kanë shtetin e pushtetin, që kanë gjithçka e nuk bëjnë asgjë, që për të paktën 5 vjet të sjellin prokurorë e gjyqtarë nga Amerika dhe Europa, ti venë të punojnë për së mbari, tu bien korrupsionit me top, të shohim pastaj kush ishte hajduti e kush kopuku, që ti e vë roje e ai të vjedh shtëpinë me kuç e me maç.
Po jo more jo, nuk sjell njeri prokurorë e gjykatës nga jashtë, as nga Europa e as nga Amerika, nuk e bën atë gabim politika, as shteti, as leshi e as preshi, Nuk janë aq budallej këta rrufjanët tanë sa të sharrojnë traun ku kanë vënë këmbët, a të thyejnë qypin ku përditë e fusin gishtin në mjaltë. Kurrë!
30 korrik 2014
Maksim Shaholli says
“Doni Mè Pèr Belulin”? Ujku,ujku,dhe çakalli bèri kèrrdinè.S’ka asnjè tè keqe,tek e fundit Shqipèria e tyre èshtè,e kanè ndarè,çdo pjesè ati-j qè i takon.KY èshtè Mozaiku i Shqipèrisè,dhe kèta né bazè tè ligjit dhe nenit BANKA-THESI-ARKA e kanè ndarè.Thank u Ha-va-nia