Nga Elida Buçpapaj/
Fëmijëria ime ishte efemer, si një ëndërr, që zgjat sa zgjasin ëndrrat.
Ishte një fëmijëri e ndërprerë me dhunë dhe unë e kam për detyrë që t’i tregoj me gisht shkaktarët!
Është e drejta ime! E jetës time! Sepse çdo fëmijë i planetit tokë, kur vjen në këtë botë, ka të drejtë të jetojë një jetë me dinjitet. Kjo e drejtë është e patjetërsueshme, e paprekëshme, e pacënueshme! Është një e drejtë sublime e sanksionuar si e drejtë nga një fuqi supreme apo thjeshtë një e drejtë themelore e njeriut.
Kujtimet e mia që janë regjistruar në memorie datojnë prej kohës kur isha 4-5 vjeçare.
Më kujtohet kopshti 31 tek ish-Blloku, ku im at vinte për të më çuar në shtëpi, në pëllëmbën e tij të madhe mbante dorën time të vogël e, kur binte shi, më merrte në krahë nën çadrën e tij, që mua fëmijës më ngjante si një kërpudhë gjigande. Nganjëherë nga kopshti shkonim drejt e tek gjyshja, që e kishte shtëpinë ngjitur me Hotel Internacional, mbrapa ish-Shtëpisë së Oficerave dhe më vonë ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, në një rrugëz paralel me Rrugën e Kavajës dhe atë të Durrësit, që netëve të dimrit mbante erë tym, kështu e kam të fiksuar. Në atë rrugëz unë pashë për herë të parë në jetën time një lypse. Ishte e vetmuar, veshur me rroba të zeza të zhbojatisura në gri nga vjetërsia me një shami në kokë. Më mblidheshin lotët në grykë mua kopshtares sa herë e shihja dhe mendoja për të, më mblidhen dhe sot. Babi i linte gjithmonë diçka në pëllëmbën që ajo e shtrinte. Të dy ishim gati që ta merrnim në shtëpinë tonë të ngrohtë nga dashuria njerëzore.
Tek shtëpia ku banonte gjyshja me xhaxhain e vogël, kam lindur unë. Ishte një shtëpi e bukur me portën e madhe buzë rrugëzës. Aty babi më ka fiksuar në foto në bordurën e trotuarit me aparatin e tij fotografik, një – dy vjeçare me flokë krejt të verdha. Sa kaloje portën gjendeshe brenda një oborri të madh me dy shtëpi. Shtëpia kundruall portës kryesore ishte me një verandë në katin e sipërm të mbuluar gjithë hardhi rrushi ku jetonin të zotët e shtëpise dhe tjetra në të djathtë, sa kaloje pragun, kishte disa shkallë në formë gjymë rrethi për tek hyrja. Shtëpia ku banonim ne ishte me të paktën tre kate. Bodrumet poshtë, që unë i kisha frikë nga miushët. Kati i parë ishte me një korridor të madh shtruar me dërrasa. Aty ishin dyert e dy dhomave që babi i kishte marrë me qira kur ishte beqar, ku jetonte me gjyshen dhe vëllain e vogël. Në atë shtëpi u martua me mamin. Aty linda edhe unë, vajza e tyre e vetme. Kur isha rreth dy vjeç, babit i dhanë shtëpi tek Pallatet e Aviacionit, buzë një rrugice të bukur me blire, në mes të Pallateve të Italianëve, ku jetonin gjeneralët dhe zyrtarët e lartë të shtetit, nga ku kopështi i fëmijëve me numër 31 dhe Blloku ishte shumë afër. Tek Pallatet e Aviacioneve banuam deri në fund të viteve ’70, ndërsa tek shtëpia ku linda unë, mbeti gjyshja me xhaxhain edhe disa vjet pas martesës së tij dhe lindjes të gocës së tyre të parë, se kanë dy vajza.
Gjyshen nga babi e quaja nëna, ndërsa prindërit e mi e thërrisnin nënë, gjyshen nga mami nënkë, mami i thosh mama, ndërsa babi sikur unë nënkë. Tek nëna vinim shpesh, pothuaj çdo ditë. Po ashtu shkonim por pak më rrallë edhe tek nënka, që e kishte një apartament në katin e parë në një pallat buzë rrugës Bardhyl. Aty ishte një treg i vogël fshatar. Nënka ime dilte çdo ditë e blinte zarzavate e frutat e stinës. Ajo gatuante mrekullisht. Ishte me nam. Vinte nga një nga familjet më të pasura të Pogradecit. Babai i saj, Abdulla Starova, kishte pronë të tij gjithë Drilonin e sotshëm. Vëllai i tij Sulejman Starova, gjyshi i futbollistit të njohur, ka qenë Ministër Finacash në disa qeveri të kohës para ardhjes së diktaturës. Nënka banoi aty me tezen deri sa ajo u martua. Jetonin me rrogën e tezes dhe mbështetjen që i jepte mami, pra nuk ishin mirë financiarisht, por gjyshja çfarëdo që gatuante e qante, do të thosha sot tek ajo hahej si në një restaurant me pesë yje. Më kujtohen patatet pa mish, që ajo i gatuante dhe i lezetonte me gjithë farë erëzash dhe me piper speci të kuq, e unë që i plasja shpirtin mamit për të ngrënë në shtëpi, tek nënka haja gjithçka.
Të dyja krushkat respektoheshin shumë. Nënka i drejtohej me “zonja Selime” nënës. Ato ishin njohur bashkë në Pogradec, kur gjyshi im nga babi ishte transferuar aty si kryeimam. Demir efendiu, gjyshi im ishte shkolluar në Stamboll dhe kish një bibilotekë të jashtëzakonshme. Pas luftës rrezikoi që ta shpallnin kuisling, nuk ishte fare e vërtetë. Ishte antikomunist si gjithë kleri shqiptar dhe njeri i dijes. Babin, duke ia parë vokacionin e dërgoi të studjonte në Medresën e Tiranës, ku jepnin mësim njerëz të shquar si orientalisti i mirënjohur Vexhi Buharaja, Profesor Shaban Demiraj, Profesor Mehdi Bushati, Hafiz Ismeti etj ndërsa xhaxhain e madh në shkollën e Fullcit në Kavajë. Sikur të mos vdiste herët, menjëherë pas luftës, e sigurt se do të kish patur probleme, pa marrë parasysh se im atë i braktisi studimet në Medrese dhe 14-15 vjeçar me një grup shokësh iu bashkangjit luftës antifashiste ku u plagos tri herë. Gjyshërit e mi të nga ana e mamit dhe babit duhet të jenë njohur në Pogradec nga mesi i viteve ’30, kur mami sa duhej të kish ardhur në këtë botë e babi po ashtu duhej të ishte shumë i vogël. Pas mbi çerek shekulli, jeta i kishte bërë prapë bashkë të dy zonjat, kësaj here me një lidhje të pazgidhshme. Nuk thuhet kot, mali me malin nuk takohen por njeriu me njeriun po. Të dyja kësaj here zonja të veja, që i kujtonin bashkëshortët e tyre orë e çast. Nënka, me peng që nuk e kishte dëgjuar për t’u kthyer në Amerikë, nga ku ai ishte vendosur që në rininë e tij të herëshme dhe pasi kish krijuar pasuri kishte ardhur në Pogradec, për t’u martuar me një vajzë shqiptare dhe kishin mbetur aty. Nënë Selimja nuk shfaqte ndonjë peng apo pendesë, mesa di unë, vetëm falej shtatë herë në ditë, por ishte një zonjë shumë liberale dhe falja ishte diçka personale e saj, që e mbante për vete dhe nuk kishte dëshirë ta ndante me të tjerët.
Tek shtëpia e nënës vinim më shpesh, se e kishim afër. Mamit i pëlqente të blinte kos të freskët për mua tek Demneri. Dyqani ishte aty ku më vonë do të vendosej stacioni i autobusit për Institutin e Kamzës, përballë me rrugën e Kavajës. Unë vogëlushe mrekullohesha nga tasat e mëdhenj, si legenë gjigandë me ngjyra, sot mendoj se duhet të ishin prej porcelani, ku dallohej pastërtia nga garzat e bardha që i mbulonin, me kosin që pritej si me thikë, si thosh mami. Unë nuk mund ta imagjinoja prerjen e kosit me thikë, por më vonë kuptova se kjo do të thosh se kosi ishte shumë i mirë. Më vonë ky dyqan u mbyll dhe nga mami e babi dëgjoja bisedat e tyre nën zë kur ata ankoheshin dhe kujtonin me mall tregun privat dhe Pazarin e Vjetër, që nuk ishte më, ku ata blinin ushqime tradicionale të mrekullueshme, ku shitej bile edhe kajmak. Unë e kam të fiksuar kajmakun, pasi e kam pëlqyer shumë që fëmijë, ndryshe nga qumështin dhe kosin që i urreja. Haja kajmakun dhe çokollatat. Në krye të rrugës ku unë linda, ku ajo bashkohej me fillimin e Rrugës së Durrësit, ishte një Mapo ushqimore, ku për çdo ditë më sillnin për të blerë një çokollatë me qumësht 20 lekëshe. Unë i gëzohesha shumë çokollatës, ku më shoqëronin për ta blerë herë nëna, mami, babi ose ndonjëherë edhe halla Tatalja, kështu ia kisha vënë emrin hallës time që quhej Bukurie, por unë nuk e di se përse e thërrisja ashtu. Isha një fëmijë me plot naze dhe pa oreks dhe të mitë e kishin problem ushqimin tim. Mami më tregonte se, për të më tërhequr vemendjen që ajo të më fuste ndonjë lugë me supë në gojë, babi vendoste si helmetë në kokë një tenxhere dhe i binte pastaj me lugë si një vegle muzikore. Në këtë moment unë habitesha aq shumë sa hapja gojën e mami rrinte gati me lugën në dorë. Ajo shtëpi ishte plot me kujtime të bukura që unë natyrisht nuk i mbaja mend, por duke m’i treguar prindërit e mij shumë shpesh, më janë ngulitur në kokë.
Babi shkonte në redaksi e pastaj kur kthehej në shtëpi i kushtohej letërsisë, poezisë dhe humbiste pas figurave. Një ditë kur isha rreth 11 muajsh, mami, pasi më kishte vënë në gjumë, i thotë babit të më ketë kujdes se ajo me një shoqen e saj do të shkonte të shihte një panair mobiljesh. Babi natyrisht që pranon me kënaqësi dhe vijon punën i përqëndruar, pa e patur idenë se si kishte rrjedhur koha. Shpërqëndrohet vetëm kur dëgjon nga jashtë zërin e mamit që klith dhe të qarën time. Del me vrap e më gjen në krahët e mamit që posa ishte kthyer nga panairi i mobiljeve dhe, ndërsa ajo hapte portën kryesore, unë bebka rrokullisesha nëpër shkallë. Në këtë situatë u ishte bashkangjitur edhe nëna, duke i qetësuar të dy që të mos bëheshin merak, se fëmijët i ruajnë meleqët. Unë pasi isha zgjuar nga gjumi isha tërhequr zvarrë nga krevati në dysheme dhe kisha nisur të hedh hapat e para përgjatë korridorit të madh deri tek dera përjashta ku edhe isha rrokullisur shkallëve. Pas asaj aventure të parë, nuk u tremba, sikur patën frikë të dy, se pas rrëzimit do ta zgjasja periudhën e ngritjes në këmbë, nuk ndodhi ashtu, unë nisa të ec e lumtur me prindërit e mi të shtrenjtë.
Kushdo që i lexon këto rreshta e kupton se ishim një familje e lumtur.
Lumturia nuk do shumë. Ajo ndërtohet lehtë, mjafton që aty të mos mungojë dashuria. Kur dashuria është e pamasë, merret me mend se sa e pamatë është lumturia!
(vijon)