
Alma Lleshi Tandili/
Ju që po rriteni në një botë që ndryshon më shpejt se dita me natën, ju që lindët me teknologjinë në pëllëmbë, por me shpirtin ende të pastër, mos harroni se bota, përveç ekraneve, ka edhe dritë dielli, ka edhe njerëz që presin të dëgjohen, ka edhe heshtje që duhet përqafuar, jo mbushur me zhurmë.
Ju jeni gjenerata e mundësive të pafundme, por edhe ajo që do të bartë pasojat e zgjedhjeve tona. Ju jeni zëri i tokës që kërkon drejtësi, e njëkohësisht premtimi që jeta mund të bëhet më e mirë, më e mençur, më e butë.
Mos e matni vlerën tuaj me ndjekës apo pëlqime, por me mirësi, me ndjeshmëri, me mënyrën si i trajtoni të tjerët. Mund të mësoni gjithçka me një klikim, por mençuria lind kur dini të prisni, të dëgjoni dhe të kuptoni.
Ju vajzat e mia dhe bashkëmoshatarët tuaj, jeni fryt i një kohe të re, i një gjeneratë që shkenca e quan alpha , por mbartës të një shprese të vjetër që dashuria, nderi dhe ndjeshmëria nuk dalin kurrë nga moda. Nëse ruani këto vlera, bota nuk do t’ju ndryshojë. Ju do ta ndryshoni botën.