
Fëmijët shqiptarë të Klubit patriotik “Flas Shqip” festuan festën e dashur e të frikshme për fëmijët “Halloween”. Një manifestim artistik e kulturor që prodhoi shumë emocione, kërshëri e zbavitje për fëmijët dhe prindërit e tyre. Klubi patriotik “Flas Shqip” organizuar nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dega Miami është një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë në Floridën e Jugut e jo vetëm në ruajtjen e gjuhës shqipe, historisë, traditës, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar. Klubi patriotik “Flas Shqip” nën drejtimin e Dr. Iris Halili po themelon një traditë të shkëlqyer patriotike në mërgatën shqiptare të Amerikës me aktivitete atdhetare, sociale, edukative e komunitare. Vatra bashkon të gjithë shqiptarët anembanë Amerikës. Vatra është histori, identitet e krenari kombëtare. Fëmijët janë investimi më i sigurtë dhe garancia më e fuqishme kombëtare e trashëgimisë identitare shqiptare në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.