
Bujar Leskaj/
Kjo ishte pyetja e një fëmije, para se të vritej në Srebrenicë.
Sot, 27 vite pas, në ditën e gjenocidit serb në Srebrenicë, ku u vranë e u masakruan mbi 8.000 njerëz, duhet të kemi kurajon të shohim të vërtetën në sy!
Për këtë ngjarje kaq tragjike e më të dhunshmen pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Papa Gjon Pali do ta cilësonte: “Kjo që po konsumohet para syve të botës mbarë përbën një disfatë të qytetërimit. Këto krime do të mbesin një ndër kapitujt më të trishtueshëm të historisë së Evropës!”
Gjenocidi në Srebrenicë në 1995 dhe ai në Kosovë në 1998, në harkun kohor të tre viteve, kanë një të përbashkët: agresorin serb!
Serbia, në vend që të pranonte gjenocidin e të kërkonte falje për krimet e saj monstruoze, kërkon ta përsërisë duke e minimizuar dhe, paturpësisht, duke mos e pranuar!
Parlamenti shqiptar ka bërë shumë mirë që nëpërmjet një rezolute ka dënuar gjenocidin serb në Bosnje!
Kuvendi i Shqipërisë, duhet të mbajë të njëjtin qëndrim, të gjejë forcën dhe guximin të dënojë zyrtarisht, qartë e prerë dhe të miratojë rezolutën që dënon krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë, për të ardhmen, për paqen, drejtësinë, për qetësimin e shpirtrave të martirëve!