
Arben Iliazi/
Poeten, shkrimtaren, përkthyesen, botuesen dhe promovuesen e njohur ndërkombëtarisht, Angela Kosta nuk e kam takuar kurrë. Por kam takuar krijimtarinë e saj, që rrëzëllen fort në shumë anë të botës. Më kanë impresionuar jo vetëm krijimet, por edhe përkujdesja dhe dashamirësia që tregon, gjithmonë e gatshme për të ndihmuar e promovuar autorë shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Falë saj dhe bashkëpunimit me poetin e shquar dhe përkthyesin po aq virtuoz Kujtim Hajdari, ne krijuesve shqiptarë tërë qiejt kanë filluar të na duken të kthjellët nga tepria e dritëmbështetjes që na ofrojnë, me dhembshuri gati hyjnore, këta shkrimtarë të mirënjohur ndërkombëtarisht, që fare bukur mund t’i cilësojmë si “ambasadorë” të kulturës dhe artit shqiptar në botë. Çfarë lumturie brilante kur ata të shkruajnë vetë në messenger dhe të orojnë bujarisht bashkëpunim, pa asnjë kosto, krejtësisht gratis, duke u bazuar te vlerat e autorëve. Kjo dashamirësi duhet pershendetur, pasi është një rast unik në kulturën shqiptare. Në mungesë të promovimeve zyrtare, ku krijuesit mund të thyejnë kokën pas mureve metalike të indiferencës dhe mohimit total të vlerave letrare artistike, është fat i hareshëm të kesh një privilegj të tillë, që shtyn tutje demonët e pesimizmit, të shkundin nga përgjumjet dhe të stimulojnë besimin.
***
Është shumë e vështirë të përmbledhësh në pak rreshta një shqyrtim të hollësishëm të të gjithë faktorëve kompleksë, që krijojnë dallimin e shkrimtares dhe poetes Angela Kosta nga autorët e tjerë. Po jap shkurt, në këndvështrimin tim, disa mendime për disa nga poezitë që kam marrë në shqyrtim, për të analizuar në një rast tjetër edhe prozën.
Në poezitë e Angela Kostës është gjithnjë ndjeshmëria e epokës ajo që vendos kufijtë e tekstit, duke trajtuar tema universale si: dashuria, jeta dhe marrëdhëniet midis njerëzve, dhimbja, por edhe bukuria e ekzistencës, figura e gruas, natyra etj. Me butësinë, bujarinë, elegancën, që e kanë bërë atë një shkrimtare të njohur ndërkombëtarisht, poetja dhe shkrimtarja Angela Kosta ofron kuadrin për një jetë shpërblyese: punë të palodhur, pasion, përsiatje, gatishmëri e nxitje për të bërë ndryshimin…Në korpusin poetik të kësaj autoreje janë shkrirë përvoja estetike, ku emocionet e pastra zbuten dhe krijohen diskurse pasionante, në një gjëndje shkrirjeje me transhedencën, me botën, me sensibilitetin e çdo epoke. Është sensibiliteti i çdo epoke ai që përcakton se çfarë është poezia. Kodet e poetes A. Kosta përzihen me ato të lexuesit, duke krijuar një “gjuhë kreole”, me një shtim të përgjithshëm të elementëve strukturalë të rëndësishëm:
“Atë natë të bujshme, të ftohtë
në qiell nuk kishte yje, nuk kishte hënë.
Edhe pse ishte mars
nuk kishte lule, nuk ishte pranverë.
Në terrin e natës, tej në hapësirē
diku në breg të huaj
dëgjoheshin klithje, ulërimë.
Dallgët e detit egërsisht përplaseshin
mbi një anije të vjetër
e braktisur në mëshirën e fatit
si shumë fëmijë të mbetur
pa nëna, pa baballarë.
Të tmerruar u përpoqën të shpëtonin
as kohë nuk patën të luteshin
uji i ftohtë me vete papandehur i gëlltiti
i përpiu pa ua dëgjuar dëshpërimin.
Deti u tregua i pamëshirshëm
i fshehu diku në fund të mallkimit…(fragment nga “Elegji”)
Angela Kosta ka shkruar poezi që dallohen për prirjen meditative, ku përcillen shumë kumte poetike brenda teksteve përgjithësisht të shkurtëra. Këtë stil të përkorë ligjërimi e realizon përmes figuracionit të pasur, sidomos simboleve dhe metaforave, por edhe nëpërmjet një gjuhe tejet të latuar:
“Mbi gjethet e vjeshtës shkelin mendimet e mia
ndalen në plogështinë e zverdhur të kohës
copëtohen, rrënohen në kalbjen e trishtimit
pezull në lotimin e syve të lodhur
nga pesha e brengosur e Jetës
që përplaset në tokë si zogu në acar
i pajetë, i ngrirë deri në thellësi të shpirtit
i pafuqishëm, pa flatra t’i bashkohet
sërish flladit të ngrohtë
të ngrejë folenë në pemët e gjelbra plot gjallëri
por pranvera përgjithmonë perëndoi
në muzgun e vjeshtës dikur të argjendtë,
tashmë e zbehur me degët e rrëzuara.
E në trotuaret e së ardhmes mbetën
veç gjethet e venitura nga zhgënjimi i së nesëmes”.
(Mendime të zverdhura)
Pika kyce e poezisë së Angela Kostës ka të bëjë me origjinalitetin dhe me karakterin e fshehur të “kuptimit” të tekstit estetik. Teksti letrar në poezitë e saj kthehet në katalizator të shfaqjes së vullnetit, të besimeve, të pasioneve. Në planin e organizmit formal autorja e koncepton tekstin estetik si një tërësi shenjuese, totalisht sinjifikante. Janë pikërisht marrëdhëniet mes ndarjeve tekstore, ndarja në vargje, paragrafë, ato që zbulojnë kuptimin e panjohur të thellë të tekstit. Poetja ndihet më mirë te vargjet e lira, të çlirohen nga çdo kufizim. Poezitë kanë koherencë të plotë kuptimi, pikërisht kur të kuptuarit e zakonshëm është degdisur te moskuptimi i pastër. Duke e përkthyer në një organizim polisemantik asistematikën e jetës, duke imituar elementin rastësor të ekzistencës, arti poetik i kësaj autoreje fiton kësisoj një valencë epistemologjike. A. Kosta, edhe pse aplikon disa gjuhë si autore dhe përkthyese, përdor shumë mirë gjuhën letrare shqipe, gjuhën e përditëshme, ku teksti është i automatizuar dhe struktura “anormale” e tekstit artistik tërheq vëmendjen mbi vetë tekstin, mbi formën e tij. Në artin e saj poetja ka ndërtuar një mbretëri të spontanitetit pa rregulla, ka prodhuar tekste konvencionalë, ku plani i shprehjes bashkëlidhet me planin e përmbajatjes përmes një marrëdhënieje motivimi.
Ligjërimi poetik i Angela Kostës është i natyrës përsiatëse, me prirje të theksuar eliptike, duke trajtuar me përparësi shtjellat e kuptimësive të njëpasnjëshme përmes sistemit të pasur të figurav. Poezitë e saj janë afër së thjeshtës, së prekshmes, ngazëllimit dhe trishtimit, me një konceptim dinamik edhe të raporteve mes ligjërimve të ndryshme artistike. Krijimet nuk vuajnë nga errësimi i kuptimit mes një figuracioni të ndërlikuar.
Poezia mund të zbërthehet vetëm duke e parë nga optika e shenjave, në raport me njësitë referenciale të parakuptuara, raportin ndjesor, jehonat e ankthshme, “vlera e jetuar” që teksti prodhon mbi subjektin. Në shumë poezi të A. Kostës mendimi artistik shprehet përmes një bashkëlidhjeje strukturale dhe nuk ekziston përtej saj. Kjo bashkëlidhje përfshin të gjitha nivelet e tekstit, fonemën, morfemën, fjalën, vargun, strofën dhe poezinë:
“Shkëlqen sërish Drita e Shpresës
në Tokën e dashur të plasaritur
në të gjitha skajet e plagosur
aty ku ngadhënjimtarët e mjerimit
me trupat lakuriq
të zhveshur nga uria, sy shqyer
nëpër trotuaret plot kufoma
me vështirësi marrin frymë
teksa ushqehen në kazanin e mbeturinave
me plehrat e skaduara
thërrime buke, kocka sikur qen të ishin.
Por triumfon Drita Shpresës së Madhe
tejembanë botën përshkon pa pushim
mes njerëzve të varfër dhe të sëmurë
vezullon duke prekur gjithësecilin
si një kortezh i gjatë me pishtarë.
Dhe Toka e dashur pushon së vajtuari
me Dritën në sytë e Shpresës së gjallë
me bollëk ushqen të patakatët.
Rishfaqet mbi Oqeanin e Jetës
ngado hyn në shpirtrat e të pafuqishmëve
Dhe…duke e përqafuar
më në fund të gjithë shërohen
nga dertet e shekullit:
Sëmundjet dhe Varfëria!
(Drita e Mbijetesës)
Përsa i përket figuracionit poezia e A. Kostës sendërtohet mbi një shtrat metaforik ndërthurur me figura të ndërtimit tingullor. Haset i ndërfutur edhe simboli, por ai nuk është përfaqësues, ndërkohë që spikasin në shumësi antitezat e antonimia e pastër e kontekstuale, e cila përbën një mjet të preferuar të autores për të dhënë emocionalitetin përmes përplasjeve, ose më qartësisht, me pranëvënieve të dukurive, të cilat e kundërshtojnë njëra tjetërën, apo nga ana konceptuale, e përjashtojnë. E gjithë kjo është sa spontane aq dhe e qëllimshme në dhënien e një emocioni që të godet. Metaforiciteti i brendshëm i tekstit artistik, duke thyer ndonjëherë edhe rregullat gramatikore, bashkëlidh imazhe që nuk do të janë të pranueshme në gjuhët natyrore. Arti poetik i kësaj autoreje imiton elementin rastësor të ekzistencës, duke e përkthyer në një organizim polisemnatik asistematikën e jetës. Angela Kosta, në artin e saj, ka ndërtuar një mbretëri të spontanitetit pa rregulla, ka prodhuar tekste konvencionalë, ku plani i shprehjes bashkëlidhet me planin e përmbajtjes përmes një marrëdhënieje motivimi.
Semanatika e çdo fjale, përsëritjet fonologjike e cdo cështje ritmike, pra tek të gjithë këta faktorë komleksë, krijojnë dallimin e kësaj autoreje nga të tjerët. Në shumë poezi, po të krahasohen elementët fonologjikë që shfaqen në çiftet e fjalëve dhe ekuivalencat, shohim se kundërvëniet fonologjike mund të lidhen me kategori semantike të caktuara, ku ndodh një projektim i paradigmatikës te sintagmatikja.
Tekstet poetike janë semantikisht shumë të afërta, si pasojë e ngjashmërisë së ndërtimit leksikor të tyre. Gjithsesi vërehen dallime në strukturën ritmike, ngjashmëritë e ndryshme që lindin në nivelin fonetik të secilës poezi krijojnë një thurje të paparsëritshme kuptimesh:
“Nën qiell të hapur simfonia e padëgjuar, filloi
me nota të frikshme
saqë edhe vetë deti u rebelua.
Dallgë tmerri pa mëshirë
me tërbim sollën në breg
pëshpëritjet pa ankesa
të shumë engjëjve të vegjël,
këmbë zbathur
lundrues mbi ujë,
të lagur deri në palcë,
me buzëqeshje të fikur;
si vajza e vogël e kapur pas nënës së re
në gjoksin e mermertë të ftohtë.
Në qiell të hapur u dëgjua
fundi i një shprese të madhe,
dhe në gjuhë të huaj
soneti i një anijeje mbeti i skalitur
në pasqyrën e detit të përtejm, të errët”.
(Simfonia e skalitur)
Angela Kosta përdor fjalët në poezitë e saj sikur të ishin penelatat e një artisteje të madhe”, është shprehur Adriano Bottaccioli, shkrimtar i njohur italian. Ajo hyn ndër poetët që nuk i shfaq në mënyrë të drejtpërdrejtë idetë dhe kredot sociale, por ngulmon të përcjellë harmoninë, muzikën, kumbimin e thellë të fjalës. Kështu poezitë e saj bëhen bashkëvepruese, duke shumëfishuar ligjërimet.
“Një lot u ndal në pëllëmbën e dorës sime
e shtrëngova fort dhe mbylla sytë në çast.
E burgosur, e pafajshme
në majë të gishtave eca
a thua të isha në mëkat.
Pranova atë ç’ka nuk duhej ta kisha ëndërruar,
por ishe ti që ma vodhe zemrën
e mbyllur tashmë në një kafaz çmendurie.
Lotët e tjerë u përpoqa t’i ndal
e friksuar se do të pasqyrohesha
në një oqean përvuajtjeje, të ëmbël”.
(Loti i pafajshëm)
Te kjo autore ndeshemi me një kontekstualizëm të fortë të problemit estetik të dinamikës së brendshme të ngjarjeve dhe fenomeneve. Poezitë e saj nuk kanë elementë të artit të shabllonizuar, artificial e pa jetë. Fluturimet e saj liriko-epike marrin trajta të meditimit, me ngjyra të forta të përthyerjes së vetes ndaj një realiteti të njëmendttë, ku përfshihet dhe përvijohet me ngjyra trishtuese realiteti social – psikologjik:
“Një copë kothere për t’u ushqyer
për të shuar urinë
e kushedi prej sa orëve
shoqëruese e jetës
që ulërin ekzistencën e mjerë
e ndaluar tek pamja e përhumbur
nëpër kohëra të zhdukura
nga fati mizor për të lindur.
Kush e ka fajin për të gjithë këtë?
Çfarë faji kam unë vetë?
Mos vallë nuk ishim të dëshiruar nga Zoti?
Mos vallë kishim ardhur në botën e gabuar?
Uri famëkeqe moskokëçarëse
që zhdukesh në bollëkun e mirazhit
që të gëzohemi në fukarallëk.
Sa do doja mes reve të isha
me ajrin e universit të tejngopesha.
Të ngrohesha në diellin kaq të largët
për të mos parë gjakun e mpiksur
për të mos ndjerë rrahjet e dobëta
të zemrës së vëllezërve të mi të zbehtë,
me buzë të çara si toka nën këmbët e tyre.
Kothere buke mos u shkërmoq!
Ku është Krishti për të të shumuar?
Nuk kam ç’përgjigje vetes t’i jap
përveçse kësaj copë kothereje
që nuk e di nëse kam të drejtë ta kapërdij”.
(Një copë kothere)
A. Kosta prek realitetin e prizmit social-moral. Spunto e saj është njeriu i zakonshëm, i cili siguron mes sakrificash një jetë të ndershme, fakti jetësor, dhe në disa raste njeriu i identifikueshëm.
Në poezitë e saj Kosta përcjell një tablo të sendërtimit të konkretes, ka shumë magji, vuajtje, pranim të fatit, mirësi. Poezitë e saj mbajnë brenda lëndës poetike mister, ku shpaloset adhurimi për botën dhe për njerëzit. Le të sjellim për ilustrim poezinë kushtuar nënës, ku shfaqet poetikisht ndjenja e poetes, si ngazëllim për të. Në figurën e nënës ndjenja është frymëmarrëse:
“Kam thurur shumë vargje
shkrime pa mbarim
për lot, dhimbje, dashuri.
Në to bën pjesë edhe ti e shtrenjta nëna ime.
Puth sytë e tua gjysëm të mbyllur
dikur të mbushur plot shprehi mirësie.
Të ledhatoj duart akoma të ngrohta
ashtu siç bëje edhe ti.
Përshkoj me gishtërinj
rrudhat e shumta të pleqërisë tënde të parakohshme
pa mundur ta pranoj lëngimin tënd
prek thinjat në flokët e tua
dëshmi vuajtjesh në përjetësi.
E pazëvëndësueshme je për mua
nëna ime e shtrenjtë Sofije
të dua pafundësisht
si perëndeshë, e re, do të mbetesh
gjithmonë në shpirtin tim.
Askush nuk do të mundet të më bindë
se më nuk do të të shoh
e se në këtë jetë nuk do të jesh më.
Nuk e dije se gjithmonë
në frymëmarrjen time do të mbetesh?
Nëse unë jetoj, do të jetosh edhe ti?
Buzëqeshjen tënde të çiltër
në vezullimin e yjeve do ta dalloj
ndërsa universi i mallit do të më pushtojë.
Ti më dhe dritën e jetës
më rrite me durimin e mundimit
dhe me dashurinë e madhe
të shpirtit tënd të vyer, të pastër.
Folmë, të lutem veç një fjalë të fundit më thuaj
sa do të doja të të shihja
mes lotësh gëzimi duke të përqafuar,
Lexoji vargjet e mia nënë
të lutem heshtur mos rri!
Ah sikur të sfidoja kohërat, sëmundjen ligësi
e në humnerë gjithçka të gremisja
të pafatin fat ta largoja
dhe të strukesha përsëri në prehërin tënd
ashtu siç bëja kur isha fëmijë
teksa gjeja paqe e qetësi.
Sa lumturohesha teksa duart e tua
ledhatonin brendësinë e shpirtit tim
gjithë qenien time të lulëzuar nga poret e tua.
Mos më venit me gulçin tënd të fundit
të lutem nënë përtej qiellit mos ik”!
(Nënës sime Sofije)
Në poezitë e A. Kostës ngrihet kulti i një lloj lirie njerëzore, në sensin e superioritetit të species me ndërgjegje, që di të dalë mbi humbjet, trishtimet, brengat. Ajo që është e dukshme në to është spontaniteti, pranimi i të thjeshtës, njerëzores…sakrifica e përditshme njerëzore, e përditshma me përplasje, me përthyerje….
Fluturimet e saj lirike marrin trajta të meditimit, me ngjyra të forta të përthyerjes së vetes ndaj një realiteti të njëmendttë, ku përfshihet dhe përvijohet me ngjyra trishtuese realiteti social:
“Tokë e shkrumbuar
Fëmijë të kërrusur me duar të mplakura
Sundojnë botën e mjerimit
Me buzëqeshje të ngrira
Shpirtra të copëtuar
Hedhin hapat drejt agimit pa diell
Të sakatosur, në udhëkryqe të pasigurta
Pa mundur të marrin frymë
As gjumë nuk mund të flenë
Qepallat e lodhura u mpiksen
Nga lotët e përgjakur
Dhe globi bashkë me ta rënkon
Rënkon nga ethet e furtunës
Tkurret dhe ndien ftohtë
Kërkon një flakëz qiriri
Ëndërron një fije shpresë
Hap flatrat e thyera
Dhe fëmijët e mplakur përqafon
Por asgjë nuk mbetet veç mirazhit rinor
I përhumbur në skëterrën e ferrit
I gjymtuar nën rrënojat e vetvetves
I mbytur nga pluhuri i hipokrizisë
I kësaj bote mizore
Pa forcë
Të përballojë luftën e heshtur
Apo të ndalojë atë plot zhurmë
Zhurmë bombash ku dhe vetë qielli dridhet
Struket në gjysmëhënën pa shkëlqim
Vëzhgon yjet që nuk shndrijnë askund më
Dikur universin ndriçonin
Që tashmë në humbëtirë vajton…”.
(Fëmijë të plakur)
Poezitë e A. Kostës mund të shihen si një kod poetik që përcjell një fakt, një situatë faktike, një gjendje emocionale të shenjuar. Mjafton t’i hedhim një sy poezisë “vëllait tim”. Shihet qartë se në tekstin poetik të Kostës kodet nuk janë aspak të automatizuara. Është shumë e dukshme puna poetike mbi leksikun:
“Djalë i ri ishe plot ëndrra,
gonxhe e sapo lulëzuar
i dashuruar me jetën.
Ëndrrat e tua të përshkelura me ligësi
në hapat e para të dashurisë,
në zemrën tënde që më nuk rreh.
Pa mëshirë t’u mbyllën sytë e bukur.
E pashërueshme, dhimbja mizore
vdekja jetën që të përkiste vetëm ty
me vete mori.
Fluturove në parajsë
i zhytur në lotin e pangushëllueshëm
duke lënë pas ëndrrat e mëkëmbura”.
(Vëllait tim)
Autorja i kushton rëndësi anës figurative, pasi është ajo që luan rolin kryesor në pasurimin e kuptimit. Te kjo autore niveli i figurave shndërrohet si dëshmi dhe evokimi i përvojës shqisore për botën. Figurativiteti tregon aftësinë e ligjërimeve për të prodhuar kuptime analoge me ato të perceptimeve konkrete. Poezia e A. Kostës ka një alkimi komplekse, nganjëherë me karakter kompromisi, ku përshtatja e vargut me kuptimin përvojësor nuk është gjithnjë qendra e shqetësimit dhe e zgjedhjeve përfundimtare të poetit dhe kuptimi final i fjalëve del nga rënia e tyre në një pozicion të caktuar struktural. Në këtë mënyrë vendoset një regjim i dyfishtë semantik i vetë tekstit të dhënë, duke na dhënë poezi të kënaqshme për nga ritmi dhe muzikaliteti. Kuptimi leksikor konvencional është vetëm një lëndë e parë që riformulohet nga struktura poetike, sidomos sipas efekteve të muzikalitetit. Tek kjo autore muzikaliteti nuk është qëllim në vetvete por krijon zona komplekse kuptimi që rinovohen pas çdo leximi dhe ekzaltimi.
“ Sy të çjerrur, pa dritë
nga lotët e akullt si vetë duart e ftohta,
fundi perëndues nën qepallat përpëlitëse.
Britma të dëshpëruara nga brutaliteti
me emrin e damkosur ‘Vdekje’,
ligji i racës i miratuar e konfirmuar
me një përkushtim të zellshëm,
nga ata që kishin pushtetin në duart e tyre,
për të zhdukur njëherë e përgjithmonë
buzëqeshjen e dinjitetit njerëzor
i ndaluar në radhët e gjata pafund.
Fëmijë, gra, burra të të gjitha moshave
numra të njollosur pa mëshirë.
Vetë Zoti nuk i dha fund një akti të tillë,
lejoi që ajo “Pse” të mbetej pa përgjigje
teksa bota duartrokiste skenarin tmerr
frymëmarrje e ndalur
edhe për ata që ishin kundër
dhe donin që rrota e fatit të ngecte.
Nuk u desh shumë kohë që të ndalej kjo masakër
e shënuar sot si ditë e madhe përkujtimore
për ata që u munduan më kot
por nuk i shpëtuan persekutimit.
Pak ishin ata që mbijetuan
ndaj nuk mundën të harrojnë.
Sot, ashtu si dje skenari vazhdon
me përmasa të tjera, pa skruppull
luftëra të pakuptimta dhe të pafundme,
e në fund të detit shfaqet tmerri njerëzor
dhe bota vazhdon të duartrokasë
në heshtje, pa kundërshtuar”.
(Buzëqeshje e hirtë
Poezi dedikuar genocidit ndaj hebrejve)
***
Te Angela Kosta zë një vend të rëndësishëm edhe proza, ku përfshihen disa romane e novela. Edhe proza është në vijimësi të stilit që shfaq poezia e saj. Kjo duket vecanërisht në rrafshin e strukturës së tyre, ku përparësi merr simbolika dhe kuptimësitë e shumta nëntekstore, njëlloj siç ndodh në poezitë e saj.
Arti është domen i lirisë. Por raportet e tyre janë jashtëzakonisht më komplekse. Pa parashikueshmëria e artit është në të njëjtën kohë shkak e pasojë e paparashikueshmërisë së jetës. Jemi para një autoreje krejt të veçantë, me një talent vital, me teknicizëm skajor të artit letrar, të vërtetuar në një seri veprash në prozë e poezi. Mund të pohohet me siguri që Angela Kosta përfaqëson sot një fenomen letrar, një poliglotizëm artistik, ku janë ngjizur e shpërthyr prej kohësh një konglomerat talentesh e dhuntish jo të zakonshme, në poezi, prozë, përkthime…..dhe gjithçka tjetër që krijon dora e saj. Angela Kosta është një nga rastet më unike në letërsinë tonë.
BIOGRAFIA
Angela Kosta ka lindur në Elbasan dhe jeton në Itali që nga viti 1995. Është poete dhe shkrimtare që shkruan në gjuhë të përbotshme ndaj në librat e saj gjejnë jehonë miliona jetë. Është e njohur gjithashtu si drejtore e revistës fizike MIRIADE, si gazetare, eseiste, redaktore, kritike letrare. Deri tani ka botuar 25 libra: romane, poezi dhe përralla në: shqip, italisht, anglisht, frengjisht, arabisht, koreanisht, spanjisht dhe turqisht. Është autore e 5 antologjive të publikuara në: Kosovë, Itali, SHBA dhe Turqi. Ka përkthyer nga anglishtja 170 autorë në dygjuhësh: italisht – shqip – italisht; ka promovuar mbi 600 autorë, 85 artistë në revista të ndryshme letrare ndërkombëtare. Ka përkthyer 8 libra me poezi të disa autorëve. Gjithashtu ka përkthyer poezitë e klasikëve dhe nobelistëve të shquar italianë si dhe të autorëve të tjerë të shquar.
Gjithashtu shkrimet dhe përkthimet e saj janë botuar në revista dhe gazeta të ndryshme letrare në disa vende kontinentale dhe ndërkontinentale.
Angela Kosta shkruan artikuj dhe intervista për gazetën Calabria Live, Agorà Giovani, revistën Saturno, Revistën Alessandria Today (Itali), revistën ndërkombëtare Orfeu – Prishtinë, gazetën Nacional (Tiranë), Gazeta Destinacioni, Perqasje Italo – Shqiptare, revistën Atunis (Belgjikë).
Angela Kosta bashkëpunon dhe promovon në revistat: “International Literature Language Journal, Creatività Magazine, Artistic Visions (Michigan), Ëordsmith International Editorial (Florida), Raven Cage (Gjermani), The Dayli Global Nation (Dhaka), Güncel Sanat (Turqi), Sindh Courier (Pakistan), Kavya Kishor International (Bangladesh), Glitterati Sparks (Indi), Noi Qui (Itali), etj…
Ka botuar revistën e saj të printuar të artistëve duke përfshirë: piktorë, skulptorë dhe fotografë 22 MARKERS ON GLOBAL ART në nëntor 2024 dhe NUANCES ON THE PANORAMIC CANVAS në janar 2025.
Angela është bashkëautore në disa antologji në: SHBA, Angli, Indi, Bangladesh, Shqipëri, Rusi, Gjermani, Bulgaria, Kroaci, Indonesia, Kosovë, etj…
Angela Kosta është Zv. Presidente e Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Përkthyesve në Korenë e Jugut, Ambasadore e Kulturës dhe Paqes në disa Organizata jo fitimprurëse në: Kanada, Bangladesh, Poloni, Algjeri, Egjipt, Meksikë, Rumani, Yemen, Moldavi, Rumani, etj…
Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve (LSHASH) dhe BSHBSH – Itali, anëtare në Akademinë e Shkencave dhe Artit – The Albanian American Academy of Science and Art (AAA në Amerikë), Konsulente Nderi në Shoqatën Katedra e Gruas mbështetur nga OKB, anëtare në Shoqatën VerbumlandiArtAps e aprovuar nga Senati i Republikës (Itali), anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në: Greqi, Poloni, Hungari, Meksikë, Rumani, Kroaci, Indi dhe Bangladesh.
Në Itali shumë gazeta të rëndësishme dhe revista kanë shkruar artikuj të ndryshëm për Angela Kostën.
Angela Kosta është botuar si Personazhi i muajit në Kopertinat e revistave: International Literature Language Journal (Miçigan), Ëordsmith International Editorial (Florida), Saturno Magazine (Itali), Literary Magazine (Barcelona), Elitè Magazine (Liban), Sara Al Thaqafa (Irak), Legacy Crown (Filipine), Oddyse International Editorial (Bangladesh).
Angela Kosta është përkthyer dhe botuar në 40 gjuhë dhe vende të huaja. Vetëm në vitin 2024 është botuar në 150 gazeta, revista kombëtare dhe ndërkombëtare me: poezi, artikuj, intervista, ese, recensione etj. si dhe ka marrë shumë çmime nga revista dhe gazeta të ndryshme botërore.
Më 16 Janar 2025 nga Qendra Ndërkombëtare e Përkthimit dhe Kërkimit Poetik, Revista Shumëgjuhëshe: Journal Rendition Of International Poetry, Nga Bordi Drejtues i Bashkimit Botëror Të Revistave Poetike me votën e Komisionit Ekzekutiv Ndërkombëtar dhe Organizatës (IPTRC) në Kinë, u shpall si Poetja më e mirë Ndërkombëtare për vitin 2024.
Gazeta marokene Akhbar7 gjithashtu e shpalli personazhin e shquar për vitin 2023.
Angela Kosta ka marrë Certificata Doctor Honoris nga Universitete të ndryshme si në: Kolumbi, Moldavi, Yemen, Algjeri, Rumani, Meksikë, Indi dhe së fundmi edhe nga Universiteti i Gjuhë – Letërsisë në Marok nga Dekani Muha.
DISA NGA LIBRAT E TJERË TË AUTORES JANË:
“Shpirti i burgosur” – roman (2003)
“Më fal” – novela (2004)
“La collana magica – Varësja Magjike” – roman (2007)
“Loti i shkëlqyeshëm – Lacrima lucente” – poezi (2008) përfitimi i të cilit iu dhurua Shoqatës ONLUS për kërkimin shkencor ndaj Amyotrophic Lateral Sclerosis (SLA)
“Sytë e nënës – Gli occhi della madre” – thriller (2011)
“Milioneri i varfër – Il milionario povero” – roman (2017)
” Të jetosh – Vivere” – poezi (2018)
“Oltre l’oceano – Përtej oqeanit” – roman (2019)
“Ylberi dhe Sara e vogël – L’arcobaleno e la piccola Sara” – përrallë (2020) përfitimi i cilit iu dhurua Shoqatës ONLUS Daniele Chianelli për kërkimin shkencor ndaj Leuçemisë, Tumoreve dhe Limfomave tek të rriturit dhe fëmijët.
“Libri nën rrënoja” – poezi (2023
“Nostalgia del infinito” – Janar 2025