Imam Dr. Tahir Kukaj, Këshilltar për Çështjet Fetare i Kryetarit të Bashkisë së New York-ut Bill DeBlasio, NYPD Chaplain dhe Zv. President i Qëndrës Islame Kulturore Shqiptare në Staten Island – New York, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, aktivitetet fetare, kulturore, edukative dhe patriotike në Qendrën Islame Kulturore Shqiptare në Staten Island-New York, shpjegon rëndësinë e festës së Kurban Bajramit në besimin Islam, uron besimtarët dhe të gjithë vëllezërit e motrat shqiptarë kudo që janë dhe bën apel për më shumë dashuri, respekt, paqe dhe vëllazëri.
Me Imam Dr. Tahir Kukaj bisedoi Editori i “Diellit” Sokol PAJA.
URIM BESIMTARËVE MYSLIMANË DHE GJITHË SHQIPTARËVE PËR KURBAN BAJRAMIN
Pas falenderimit të Zotit të Gjithëmëshirshëm, dëshiroj të ju uroj shumë suksese vëlla Sokol në punën tuaj si redaktor i gazetës Dielli. Dëshiroj të ju falenderoj shumë për punën tuaj profesionale që përherë është në shërbim të kombit tonë shqiptar e po ashtu edhe për informimin korrekt. Muslimanet në tërë botën celebrojnë festën e Kurban Bajramit, festa e sakrificës, festën e dashurisë për Zotin, Krijuesin e gjithësisë duke shërbyer krijesat e Tij. Zoti i gjithëmëshirshëm, udhëzon besimtarët që të jenë të afërt dhe të dashur me vëllezërit e tyre. Ne shqiptaret për dallim prej shumë kombeve të tjera, jemi shumë të privelegjuar dhe me fat, jemi shembull i dashurisë dhe harmonisë fetare që mund ti japim mësim mbarë botës. Shpirti liridashës dhe respekti për lirinë e të zgjedhurit është një thesar i madh, këtë, tashmë njerëzia po mundohet të theksojë në kohën moderne se duhet të jemi tolerant ndaj të tjerëve që zgjedhin besim dhe stil tjetër të jetës nga ai që një shoqëri mund të ketë, ndersa në shqiptarët jemi shumë më larg se sa ky nivel i tolerances, ne jemi në nivelin e harmonisë fetare. Falenderojmë Zotin për këtë mirësi dhe dhunti. Festa e Kurban Bajramit është një moment në vargun e shumë shanseve gjatë vitit që Zoti na e dhuron të jemi më afër me njëri tjetrin. Sakrifica e profetit Ibrahim/Abraham a.s dhe e djalit të tij Ismailit apo e Is’hakut sikur theksohet në Biblen e nderuar, është një mundësi reale që të rikonfigurojmë prioritet në jetën tonë në nivel personal, familjar dhe kombëtar. Të Krishterët dhe Muslimanët, ne njëzëri besojmë në misionin profetik të Ibrahimit a.s, nderojmë lart sakrificen e tij dhe të djalit të tij. Në momentin kur Ibrahimi a.s dhe djali i tij treguan me vepër se janë besimtar të denjë, erdhi intervenimi qiellorë, Zoti i Gjithëmëshirshëm solli Kurbanin qiellorë të shpagojë jetën e njeriut. Çdo gjë që ekziston në tokë e në qiej janë në shërbim të njeriut përderisa ai është në shërbim të Zotit dhe në shërbim të vëllait të tij njeri.
RËNDËSIA E FESTËS SË KURBAN BAJRAMIT NË BESIMIN ISLAM
Festa e Kurban Bajramit është reflektim i besimit në premtimin e Allahut, është një prej dy festave kryesore në besimin Islam pas Festës së Fiter Bajramit që pason muajin e Ramazanit. Të festuarit në besimin Islam ka karakter hyjnorë, social dhe human. Falenderojmë Zotin e gjithësisë për mirësitë e Tij të pa numërta në jetën tonë, ne si krijesa në të shumtën e rasteve harrojmë Krijuesin dhe Dhuruesin e këtyre mirësive që i gezojmë në jetë duke menduar se ne jemi ata që i krijojmë ato mirësi e bekime, festa e Kurban Bajramit është një shans që na e rikujton këtë fakt të jetës së përditshme. Kjo festë është një rast praktik ku testohet besimi ynë, besimi në premtimin e Zotit për faljen e gabimeve dhe shumëfishimin e mirësive të Tij në jetë në rast se i përmbahemi mësimeve të Tij. Karakteri human, besimtarët festojnë së bashku me gjithë njerëzit, festa e Kurban Bajramit është e lidhur me shërbimin dhe ndihmën që i bëjmë vëllezërve tonë që janë me vështirësi dhe probleme ekonomike dhe shendetsore. Te festuarit e Kurban Bajramit është i kushtëzuar me ndihmën direkte, që duhet ti ofrojmë atyre që kanë nevojë për ndihmë. Fatmirësisht, vëllezërit tonë bujarë janë shumë, kjo është për të falenderuar Zotin, por edhe vëllezërit tonë që kanë nevojë për ndihmë janë shumë po ashtu, është obligim i yni që ti ndihmojmë dhe të gjejmë zgjidhje për hallet dhe problemet e tyre. Mos prit qeverinë apo dikë tjetër, festa e Kurban Bajramit na mëson se ti vetë fillo të ndihmosh me atë që ke mundësi e mos prit, por bëhu dorë e ndihmës dhe shpresë për ata që kanë humbur shpresën për një të ardhme më të mirë. Shikoni se si kemi festuar më herët së bashku, Musliman dhe të Krishterë, Bajram dhe Pashkë i kemi bashkë. Në festat tona janë pjesëtarë të gjithë, nuk pranohet celebrimi vetjak e i kufizuar, atë nuk e promovon Islami e as Krishtërimi. Zoti na don të gjithëve pa dallim, na obligon të gjithëve të bëjmë atë që mundemi në mënyrë që të jetojmë me dinjitet njerëzor. Apeloj tek të gjithë shqiptarët, kthehuni tek traditat tona që kanë filluar të anashkalohen, të dakordohemi: ne kemi një Zot, Atij i besojmë, ne kemi një komb, atij duhet ti shërbejmë dhe ti dalim zot, kemi një gjak atij duhet ti jemi besnik. Zoti Mëshirëplotë ka bekuar kombin tonë, duhet të jemi mirënjohës, duhet ta falenderojmë Atë, ta ndiejmë prezencën e Tij në jetën tonë përherë dhe kudo. Kombi shqipëtar, Musliman dhe të Krishterë, jemi popull i besës, ashtu na njeh historia, e besa vjen nga besimi në Zot, nga integriteti ynë si popull, i fjalës dhe nderit. Periudha e sistemit monist u mundua të zhveshë vyrtytin kryesorë të shqiptarit, lidhëshmërinë e Tij me Krijuesin, ndjenjën e krenarisë dhe lirisë. E falenderojmë Zotin për lirinë dhe mirësitë e Tijë të shumta, mirësinë e kthimit tek Krijuesi, Xhamiat dhe Kishat janë rivitalizuar, numri i besimtarëve në këto dy shtëpi të Zotit shtohet e me këtë edhe begatitë e tyre ndaj kombit dhe vendit tonë shtohen. Kusht i besimit është që ti bindesh Zotit e ti sherbesh vëllait. Mirësinë që Zoti ta ka dhënë duhet ta ndash me vëllain, ky është mesazhi i Kurban Bajramit.
QENDRA ISLAME KULTURORE SHQIPTARE DHE GJUHA SHQIPE
Qendra Islame Kulturore Shqiptare në Staten Island ka filluar punën e vet fetare e kombëtare qysh nga viti 1990 dhe vazhdon me punën dhe aktivitetet e shumta. Në fushën fetare kujdesemi për mirë edukimin e brezave me mësimet Islame burimore që janë paqësore dhe natyrore, që reflektojnë respekt dhe mirëseardhje për të gjithë. Në këto mësime fetare mishërojmë edhe traditat tona kombëtare që janë për çdo lavdatë. Kujdesemi për gjithë komunitetin tonë në tri shtetet. Kemi marrëdhënie ndërfetare me pjestarët e besimeve të tjera, i ftojmë në festat tona dhe marrim pjesë në celebrimet e tyre. Kemi shkollën Shqiptare dhe fetare ( e regjistruar në shtetin e Neë York) qysh nga viti 1999. Mësim besimi dhe gjuha shqipe janë pjesë e kurrikulës së shkollës.
PANDEMIA DHE VAKSINIMI NË QENDRËN ISLAME KULTURORE SHQIPTARE
Gjatë kohës së pandemisë, Qendra jonë ka qënë në vijat e para të shërbimit. Kemi ndihmuar dhe vazhdojmë të ndihmojmë ata që janë lënë anash e nuk janë ndihmuar. Ditribuimin e ushqimeve në komunitetin tonë, po ashtu edhe tek komunitet e tjera, u kemi ofruar ndihma forcave të rendit NYPD FDNY, spitaleve, shtëpitë e të moshuarve dhe organizatën humanitare në Staten Island Projecthospitality. Kemi shpërndarë që në ditët e para të pandemisë, mjete higjenike, maska, testime si dhe vaksinimin e popullatës. Për këto aktivitetet kemi marr mirënjohje nga Guvernatori i shtetit të Neë York Andreë Cuomo dhe Mayor Bill Deblasio etj.
QENDRA ISLAME KULTURORE SHQIPTARE AKTIVITETE PËR BAMIRËSINË DHE NJERËZIT NË NEVOJË
Bamirësia është pjesë e besimit Islam, në këto ditë ne jemi duke ndihmuar familje të shumta në gjithë trojet shqiptare. Gjithë Kurbanat që mblidhen në xhaminë tonë, dedikohen për në trojët tona. Ndarja e kurbanave bëhët në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Shqipëri. Kemi bashkëpunim me të gjitha qëndrat rajonale fetare në trojet tona dhe përherë i përcjellim ndihmat tona atje. Ashtu vepruam edhe me rastin e termetit në shqipëri si dhe raste të ndryshme. Mirësitë që na i dhuron Zoti, ne, i ndajmë me vëllezërit tanë në vendet tona.
MESAZH PËR TË GJITHË SHQIPTARËT: BASHKIM DHE UNIFIKIM KOMBËTAR
Mesazhi i Kurban Bajramit është bindje ndaj Zotit, humanizëm dhe unitet. Lartësoje Zotin tënd duke jetuar jetën tuaj me mësimet e Tij. Duaje dhe respekto familjen dhe vëllezërit tuaj të gjakut dhe besimit. Besnikëri ndaj Zotit dhe atdheut, sakrificë për familjen dhe ardhmërinë e popullit tonë.