![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/476425882_1044806304354558_8629810969052712349_n.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/476821186_1044806341021221_8183595548240908315_n.jpg)
Të shtunën, më 8 shkurt 2025, Shoqata Social-Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Iliria”, në bashkëpunim me biznese shqiptare në Saint Louis, organizoi festën e Pavarësisë së Kosovës në ambientet e Andre’s Banquets & Catering, në 4254 Telegraph Road, Saint Louis, MO.
Të ftuar për të performuar ishin këngëtari i mirënjohur Korab Shaqiri, së bashku me kolegët e tij Sali Malaj dhe Brikena Asa.
Programin e mbrëmjes e hapi kryetari i Shoqatës, z. Besian Gjika, i cili falënderoi të pranishmit dhe miqtë nga Konsullata e Kosovës në Iowa, z. Drilon Zogaj dhe z. Fatmir Rrahmanaj, për pjesëmarrjen e tyre. Pastaj, fjalën e mori sekretarja e Shoqatës, Elena Stublla, e cila theksoi rëndësinë e kësaj dite si simbol i sakrificës, qëndresës dhe dashurisë për atdheun, si dhe për rolin e pazëvendësueshëm të diasporës shqiptare në Amerikë, në ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe mbështetjen e Kosovës.
Një mesazh përshëndetës u dha edhe nga Konsulli i Kosovës në Iowa, z. Drilon Zogaj, i cili vlerësoi punën e Shoqatës dhe përpjekjet e komunitetit shqiptar në Saint Louis për të ruajtur kulturën, traditat dhe identitetin kombëtar. Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së ndaj Kosovës dhe theksoi përpjekjet e shtetit të Kosovës për konsolidimin dhe zhvillimin e tij.
Më pas, fjalën e mori zëvendëskryetarja e Shoqatës, znj. Anna Kiçi, e cila falënderoi të gjithë të pranishmit dhe vlerësoi kontributin e pakursyer të shqiptarëve në mbështetje të Shoqatës dhe projekteve të saj.
Mbrëmja vijoi me muzikë dhe valle nga të gjitha trevat shqiptare, ndërsa këngët patriotike ngrohën atmosferën dhe emocionuan jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijët, të cilët me entuziazëm kënduan dhe vallëzuan, duke mbajtur gjallë traditat e të parëve të tyre.
Një falënderim i veçantë u shkon anëtarëve të bordit drejtues, të cilët u përkushtuan për realizimin e kësaj feste, si dhe bizneseve shqiptare, të cilat vazhdimisht mbështesin Shoqatën dhe projektet e saj.
Bizneset kontribuese për këtë festë ishin:
– Trimi Trucking
– Nova Cafe
– Gold Leaf Design
– Morina Construction & Plumbing
– T&E Construction
– Soha Insurance Group
– Dea Market
Gëzuar Festën e Pavarësisë së Kosovës! Rroftë Kosova, rroftë kombi shqiptar!
Përgatiti: Besian Gjika