
Imzot Dodë Gjergji: Kosova përgatitet shpirtërisht për festën e Shën Nënë Terezës–

Intervistë e Imzot Dodë Gjergjit, ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë dhënë për Radio Vatikanin në gjuhën shqipe–

Dom Davidi: Imzot Dodë Gjergji, jemi në afrim të festës liturgjike të Shën Nënë Terezës, Gonxhe Bojaxhiu, kisha Katedrale e re Dioqezës Prizren-Prishtinë, katedralja e kryeqytetit të Kosovës, e ka si pajtore qiellore, cila është përgatitja që ju po bëni si dioqezë, duke pasur kishën e kushtuar pikërisht Nënë Terezës?
Mons. Doda: Sikur viteve të tjera edhe këtë vit përpiqemi të përçojmë mesazhin e Nënës Tereze, në zemrat e njerëzve që është përvujtëria, dashuria ndaj të varfërve dhe dashuria ndaj Zotit. Sivjet, sigurisht në rrethanat në të cilën jemi, nuk kemi pasur mundësi të bëjmë shumë aktivitete sikur viteve tjera që fillojnë me ditëlindjen e Nënës Tereze deri me 5 shtator, ku do të kishim pasur aktivitete të ndryshme, kulturore dhe shpirtërore. Por, këtë vit, në këto rrethana që na imponohen për shkak të COVID-19, ne jemi të detyruar që shumicën e këtyre aktiviteteve t’i përçojmë vetëm përmes medieve sociale që i kemi në dispozicion.
Dom Davidi: Sidoqoftë, mbetët mesazhi dhe porosia e Nënë Terezës, mesazh shpirtëror, që vjen nga figura dhe vepra e saj?
Mons. Doda: Sigurisht që Nënën Terezen e kemi një shenjtëreshë, e cila në mënyrë shumë dimensionale është e lidhur me vendin tonë, me popullin tonë, me qytetin e Prishtinës, tani me katedralen që e kemi ndërtuar, dhe porosia shpirtërore e Nënë Terezës është më e fuqishme në të gjitha dimensionet, sepse dashuria ndaj të varfërve në emër të Zotit, që ta sheh Krishtin në çdo njëri, ajo është gjëja ma e bukur, në të cilën ne mund ta gjejmë vetveten tonë. Sepse të pash fytyrën e Krishtit në njeriun e varfër është bukuria e madhe e fesë.
Dom Davidi: Në kohën COVID-19, porosia e Nënë Terezës është afërsia dhe shërbimi?
Mons. Doda: Po, afërsia, shërbimi dhe kujdesi për shëndetin shpirtëror dhe fizik, por edhe atë mendor të njeriut. Sepse njerëzit sot kanë vështirësi të mëdha, frika të mëdha, kanë dyshime të mëdha, kështu që përpiqemi dhe duam qe nëpërmjet mesazhit të Nënës Tereze, t’ju japim më shumë shpresë, më shumë gëzim, dhe më shumë siguri njerëzve në këto ditë të vështira.
Dom Davidi: Me afrimin e fillimin e shtatorit fillon edhe viti ri baritor, dmth aktivitet e famullive, viti i ri katekistik, apo do të prisni akoma që të merrni një vendim?
Mons. Doda: Ne kemi shtyrë të gjitha aktivitet tona baritore, edhe ato të cilat janë paraparë në pranverë për shtator, por përhapja e shpejtë e virusit dhe infektimi i shumë njerëzve në Kosovë do të na detyrojë të rishikojmë edhe njëherë të gjitha masat që kemi ndërmarrë deri tani.
Don Davidi: Do të thotë, tani për tani, mbetën të pezulluara të gjitha aktivitet, me pjesëmarrjen e madhe të besimtarëve?
Mons. Doda: Tani për tani, gjendja është e këtillë, dhe po shpresojmë që të ndryshojë, sepse ditëve të fundit numri i të infektuarve është më i vogël se para një jave dhe shpresoj që do të bijë ky numër edhe në të ardhmen.
Don Davidi: Ju si kishë katolike, jeni pjesë e shoqërisë kosovare, si është situata aktualisht në Kosovë?
Mons. Doda: Situata në Kosovë në përgjithësi është mirë, në kontekstin e jetës së përditshme, por kemi një situatë pasigurie, në kontekstin shoqëror, politik, mungesë uniteti, mungesë të ideve të reja, sidomos mungon uniteti i përgjegjësve politike në vend.
Dom Davidi: Thatë edhe aspektin politik, dmth Kosova, akoma nuk ka marrë një drejtim që pritet?
Mons. Doda: Kosova do të ecë në rrugën e vet, pa diskutim, dhe nuk e ndalon ecjen e Kosovës një mosunitet i gjitha strukturave dhe i gjithë realiteteve në Kosovë. Por, uniteti do të përshpejtonte dhe do të thjeshtësonte një ecje më të qetë drejt së ardhmes.
Don Davidi: Cili është sugjerimi i ipeshkvit për një rrugë-dalje apo një zgjidhje të çështjeve apo sfidave që ka Kosova në skenën e ballkanit, por edhe ndërkombëtare?
Mons. Doda: Sugjerimi im është që të kemi një unitet më të madh, të kemi një qëndrim të përbashkët dhe një vizion për të ardhmen, sepse e ardhmja jonë është në Ballkan, e ardhmja jonë është në bashkëpunim me të gjitha shtetet e tjera, e ardhmja jonë është pajtimi dhe paqja me popujt që jetojnë në Rajon.
Dom Davidi: Kontributi i Kishës Katolike dhe komuniteteve fetare në këtë proces për Kosovën, cili mund të jetë, cili duhet të jetë, apo cili është?
Mons. Doda: Kontributi më i madh që mund të japim është që të lutemi Zotin për të gjithë njerëzit dhe të përpiqemi të thjeshtësojmë jetën e gjithë aktereve, në mënyrë që askush të mos përpiqet me pengu ecjen e Kosovës dhe të ardhmen e njerëzve që jetojnë atje.
Dom Davidi: Faleminderit!
Mons Doda: Urime dhe gjitha të mirat për dëgjuesit tuaj./drita.info
(Transkribimi nga portali i Radio Vatikanit dhe përgatitja për Revistën Drita: Don Samuell Ramaj)