Disa qindra qytetare kanë mbipopulluar rrugët, parqet në natyrë dhe bulevardin e Tiranës, sot në Ditën e Verës, kur kanë qënë te shumta aktivitetet e organizuara nga Bashkia e Kryeqytetit, dhe qeveria shqiptare ne bashkërendim me Ministrinë e Rinisë, Kulturës, Arsimit dhe të Turizmit.
Por disa qindra njerëz kanë ardhur nga qytete të tjera të vëndit, si dhe nga Kosova Maqedonia, te cilët kanë ecur përgjatë “Bulevardit Festiv” duke ndjekur aktivitetet që zhvilloheshin nga qëndra e Tiranës, e deri tek Sheshi Nënë Tereza.
E mbipopulluar ishte edhe zona e njohur me emrin “Kodrat e Liqenit” ku mjaft familjarë, çifte, të rinj, e fëmijë, gëzuan natyrën që zona ofron, duke zhvilluar mjaft aktivitete si lojra në natyrë.
Të pyetur nga ATSH se si po e përjetonin ditën, shumë syresh janë shprehur se pas përfundimit të aktiviteteve, së bashku me familjarët do të drekonin ne shtepi por më shumë në lokale. Të rinjtë, pasdarke kane rezervuar klubet e qytetit, ku do të presin të kalojnë natën nën shoqerimin e muzikes live.
Ndërkohë fëmijët kanë shijuar më së shumti ditën e sotme, jo vetëm duke pare nga afër aktivitetet që u ishin rezervuar, por edhe duke u bërë pjesë e disa prej tyre.Ata kane marr pjese në aktivitetin e organizuar nga Qëndra e Fëmijëve dhe Teatri i kukullave, si dhe Cirku i Tiranës ne Parkun Rinia.
Dita e Verës- Festime për t’i dhënë lamtumirën stinës së dimrit
Dita e Verës ka sjellë gjallëri sot në kryeqytet, në bulevardin e të cilit qytetarë të shumtë po festojnë largimin e dimrit. Bashkia e Tiranës, Ministria e Kulturës, e Arsimit dhe Rinisë, si dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit po organizojnë një sërë aktivitetesh për fëmijë e të rinj, të përqendruara kryesisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, lëvizja në të cilin bëhet me vështirësi nga numri i madh i njerëzve. Festa ka nisur me një performancë të Bandës së Ushtrisë, si dhe me Trupën e Teatrit të Kukullave dhe animatorëve në sheshin përpara Galerisë së Arteve.
Jo vetëm Elbasani, i cili sot është “kryeqyteti” i Shqipërisë, por edhe Tirana ka mirëpritur qytetarë nga rrethe të ndryshme të vendit, që kanë zgjedhur kryeqytetin për të festuar Ditën e Verës. Alma së bashku me familjen e saj, ka ardhur nga Durrësi për të festuar në Tiranë. “Më pëlqen shumë se si festohet kjo festë në Tiranë”, tha ajo për ATSH-në, duke shtuar se kryeqyteti ofron më shumë mundësi argëtimi për fëmijët.
Në orën 10 :00 në parkun “Rinia” është ngritur “Këndi i pikturës”, si dhe po zhvillohet një koncert me DJ nga shkolla “Robert Radoja”. Pjesë e aktiviteve në ditën e Verës janë edhe aktivitetet në sheshin pranë lulishtes “Tre vëllezërit Frashëri”, ku “Dance Akademi Amary” po interpreton kërcime moderne dhe popullore nga trupa e baletit për fëmijë të moshës 6 deri 14 vjeç, si dhe kërcime latine nga grupi “Latin Beat”, nga trupa e kërcimit mbi moshën 18 vjeç.
Panairi “Blej shqip” , i cili po zhvillohet në rrugën ” Murat Toptani”, tek Pedonalja, me pjesëmarrjen e bizneseve nga të gjitha trevat shqiptare nga Kosova, Mal i Zi, Maqedonia, Presheva e Shqipëria, ka për qëllim promovimin e produkteve vendase. Produktet që janë prezantuar në këtë panair janë nga sektorët, e ushqimit, bujqësisë, tekstileve, artizanatit etj.
Një ekspozitë me piktura të fëmijëve me aftësi të kufizuara është çelur tek Galeria e Arteve, ndërsa një panair me prodhime shqiptare të artizanatit pranë lulishtes përpara Vilës 31, ka tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve,
I veshur me lulet e verës kryeqyteti gumëzhin nga fëmijë e të rinj që kanë “pushtuar” bulevardin e që presin me dëshirë verën, ndërkohë që trafiku është bllokuar, pasi lëvizja e makinave është pothuajse e pamundur. Festimet për Ditën e Verës do të vazhdojnë deri në orën 14:00.
Dita e Verës e ka zanafillën në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e vet ditën e 14 Marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore. Por, vitet e fundit, kjo festë po festohet edhe në Tiranë
Rama : “Elbasani, graviteti i Ditës së Verës”
Kryeministri Edi Rama vizitoi të premten në Ditën e Verës , Panairin e hapur në qytetin e Elbasanit.“Elbasani është graviteti i Ditës së Verës, dhe është kënaqësi të jesh në këtë qytet në këtë ditë feste”, deklaroi kryeministri Rama.
Ajo që mësova me kënaqësi, tha Kryeministri në fjalën e tij, është se shumë emigrantë shqiptarë të kthyer kanë filluar të bëjnë sipërmarrje të suksesshme .
“Janë të kënaqur dhe të motivuar dhe përbëjnë një shembull të shkëlqyer, qoftë për të tjerë që dëshirojnë të kthehen e të investojnë kursimet e veta këtu, qoftë për ata që në Shqipëri janë në kërkim të një pune dhe së ardhmes”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se, qytetarët duhet të shikojnë me shumë tek talenti dhe zotësia e tyre dhe tek sektori privat për të filluar një biznes të vogël, apo për t’u angazhuar në sektorin privat, pasi shteti nuk mund të jetë punëdhënësi më i madh.
Dhe lufta jonë për punësim real dhe kundër papunësisë, informoi Kryeministri Rama, është në radhë të parë e fokusuar tek krijimi i hapësirave të reja për sektorin privat, për të hapur vende të reja pune, përmes sipërmarrjes private dhe sigurisht me mbështetjen e pakursyer dhe me politika, ide e energji të reja nga ana e qeverisë.
BASHA URON: DITË KAQ TË GËZUARA PAÇIN GJITHMONË SHQIPTARËT
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zgjedhur qytetin e Elbasanit për të festuar Ditën e Verës. Ai ka vizituar mëngjesin e sotëm panairin tradicional që mban edhe emrin e kësaj feste. Kreu i opozitës Basha shoqëroahej nga një grup deputetësh.“Më vjen mirë që distanca fizike mes Elbasanit dhe Tiranës nuk ka qenë kurrë më e shkurtër, sepse në fakt distanca shpirtërore mes Tiranës dhe Elbasanit thuajse nuk ekziston. Këtë e them si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe si ish-deputeti i Elbasanit për Partinë Demokratike. E them në emër të qytetarisë së Elbasanit, e them në emër të qytetarisë së Tiranës dhe sot, në emër të qytetarisë së Tiranës, por besoj edhe në emër të çdo shqiptari, dua të falënderoj qytetarinë elbasanase, të gjithë elbasanasit, për këtë traditë kaq të bukur që ia kanë dalë ta mbajnë gjallë dhe që Ditën e Verës rrezaton dhe përhapet nga Elbasani, zemra gjeografike e Shqipërisë, anembanë qyteteve e fshatrave tona. Ju uroj nga Elbasani çdo shqiptari gëzuar Ditën e Verës. Për shumë vjet gëzuar, mbarësi dhe gëzim sjelltë kjo ditë për ju”- deklaroi Basha.
Pas vizitës në Elbasan kryetari i Bashkisë Lulzim Basha iu bashkua aktiviteteve tek Pedonalja e kryeqytetit.
Ashtu si edhe vitin e kaluar në rrugën “Murat Toptani” është çelur panairi “ Bli dhe prodho shqip”. Panairi promovon produktet nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Produktet që prezantohen në këtë panair janë nga sektorët, e ushqimit, bujqësisë, tekstileve, artizanatit etj.
“Dua t’ju uroj gjithsecilit prej jush, gjithë qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë gëzuar Ditën e Verës sjelltë sa më shumë mbarësi për ju dhe familjet tuaja. Politikëbërësit të kthejnë vëmendjen dhe sytë dhe të bashkëpunojnë për tu dhënë mbështetje ndërmarrjeve shqiptare, iniciativës shqiptare.”- deklaroi Basha.
Dita e Verës, të gjithë në plazhe e shëtitore
Shëtitoret dhe plazhi i Durrësit kanë qenë hapësirat ku qytetarët durrsakë kanë festuar sot Ditën e Verës.Megjithëse bashkia e qytetit nuk kishte programuar asnjë veprimtari, qytetarë të të gjitha moshave kanë përfituar nga moti i mirë dhe temperaturat e larta për të shëtitur masivisht kryesisht në hapësirat pranë detit.
Lodrat e instaluara në shëtitoren bregdetare kanë qenë sot nën pushtetin e fëmijëve, ndërsa të rriturit kanë shfrytëzuar bar-kafetë e shumta, që kishin hapur dyert si për festë.
Edhe në Durrës janë shitur sot qindra ballakume, ëmbëlsira të cilat simbolizojnë ditën e verës, kryesisht në zonën e Elbasanit. Që prej 10 vjetësh Dita e Verës bën pjesë në festat tona kombëtare.