


Flamur Vezaj/
Për herë të parë, Shoqata Labëria në SHBA iu bashkua festivalit të përvitshëm të rrugës në jug të Bostonit (Street Festival South Boston) duke sjellë para qindra banorëve të qytetit këngët e lashta iso-polifonike dhe kostumet tradicionale të Labërisë.
Ishte një moment i veçantë, ku zëri i Labërisë, ky thesar shpirtëror i shpallur pasuri e UNESCO-s, u ngrit fuqishëm në skenën e ndërtuar nga organizatorët e këtij festivali në Boston!
Krah tyre, performoi edhe grupi i valleve “Vallet Tona”, pjesë e Katedrales Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit (Kisha e Fan Nolit), të cilët e mbushën atmosferën me ngjyrat e traditës dhe gjallërinë e hapave të valleve tona, duke i dhuruar publikut një festë të paharrueshme shqiptare.
Të gjithë së bashku, me krenari e dashuri për atdheun, prezantuan kulturën dhe trashëgiminë tonë të gjallë, duke e bërë pjesëmarrjen e Shoqatës Labëria edhe më domethënëse, si bashkëpunim me Kishën e Fan Nolit në këtë festival prestigjioz.
Publiku, i përbërë nga banorë të shumtë të Bostonit dhe miq nga kultura të ndryshme, u magjeps nga tingujt e këngëve tona, u duartrokitën vallet tona dhe u mahnitën nga kostumet tradicionale shqiptare. Shumë prej tyre, jo shqiptarë, iu bashkuan këngës e valles, duke dëshmuar se muzika dhe arti nuk njohin kufij, por lidhin zemrat e njerëzve si një familje e madhe.
Ky ishte një ditë që ngjalli emocione të forta, një ditë krenarie ku ndjemë se rrënjët tona shqiptare jo vetëm nuk harrohen, por ndriçojnë me forcë edhe në skenën amerikane.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet u bë i mundur nga Kisha e Fan Nolit, Shoqata “Labëria”, valltarët e vegjël të “Valleve tona”, administrata dhe banorët e jugut të Bostonit, organizatorët e festivalit dhe të gjithë ata që u bashkuan e duartrokitën në mbështetje të grupit shqiptar.
Me shpresën se vitin e ardhshëm kjo pjesëmarrje do të vazhdojë e do të bëhet traditë, u përcoll edhe njëherë mesazhi i fuqishëm i krenarisë dhe kulturës shqiptare në zemër të Bostonit.