




Sokol Paja/
Massachusetts, 31 Maj 2025 – “Festivali Shqiptar” bashkoi patriotët shqiptarë të Amerikës në Worcester, Massachusetts në një festë mbresëlënëse me këngë, muzikë, valle, fjalime, ushqime tradicionale e panair biznesesh shqiptare në Boston e më gjërë. Një ngjarje kulturore, komunitare e atdhetare që lë gjurmë të jashtëzakonshme sidomos te fëmijët shqiptarë të lindur në Amerikë.
Ky festival është një promovim mbi të gjitha i traditës, identitetit, historisë e kulturës së pasur kombëtare në diasporë. Festivali Shqiptar në Worcester, Ma, ka 42 vjet që organizohet në Kishën Shqiptare Orthodokse “Fjetja e Shën Mërisë” në Worcester dhe vit pas viti ka krijuar një traditë të shkëlqyer patriotike dhe kulturore. Institucionet fetare shqiptare në Amerikë kanë luajtur gjithmonë një rol përcaktues në bashkimin, integrimin, forcimin dhe afirmimin e komunitetit shqiptar.
Fjalimet kryesore në ditën e dytë të festivalit i mbajti Federata Vatra. Anëtar i kryesisë z.Ilir Cubi theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe, kulturës e traditës shqiptare, ndërsa kryetari i degës së Vatrës në Boston z.Mentor Maksutaj falënderoi punën e shkëlqyer të organizatorëve dhe theksoi rëndësinë e Vatrës në komunitetin shqiptar.
Kisha “Fjetja e Shën Mërisë” është ndërtuar në vitin 1982 dhe bashkon të gjithë shqiptarët në Worcester e më gjerë ku krahas aktiviteteve të rëndësishme fetare, sociale e patriotike, Festivali Shqiptar është aktiviteti kryesor që Kisha e organizon çdo dy vjet si dëshmi kombi, gjuhë, kulture e feje.
Kryetarja e Vatrës Worcester zonja Efi Qeleshi e shoqëruar nga sekretari Prof. Thanas Gjika u shpreh se “Festivali Shqiptar është një ngjarje patriotike që bashkon e gëzon çdo shqiptar në Amerikë e jo vetëm. Kjo festë tradicionale është nderim e respekt për emigracionin historik shqiptar që ka ruajtur traditën e kulturën shqiptare prej më shumë se një shekull në Amerikë”, theksoi ndër të tjera për “Dielli”-n zonja Qeleshi.
Kjo ngjarje patriotike e kulturore është një ftesë për të mos harruar rrënjët tona, trashëgiminë tonë dhe investimin patriotik që emigracioni shqiptar në Amerikë ka bërë për atdheun e komunitetin tonë. Suksesi i këtij Festivali është dëshmi e fuqishme e organizimit të suksesshëm të shqiptarëve.
“Festivali Shqiptar” është jo vetëm një festë tradicionale shqiptare që promovon kulturën, gjuhën, historinë, identitetin dhe traditën shqiptare në Massachusetts të Shteteve të Bashkuara të Amerikës por ka krijuar një institucion të shenjtë të shqiptarëve në përpjekjet e përjetshme për të trashëguar shqiptarinë në Amerikë.