Koreografe Joli Agolli Paparisto, në një intervistë ekskluzive dhënë Editorit të Gazetës Dielli të Vatrës në New York Sokol Paja, paraqet për publikun detaje dhe ndjesi fantastike nga Festivalin Shqiptar të zhvilluar në Michigan si një festë shqiptare në dobi të komunitetit dhe ruajtes së kulturës, traditës, gjuhës e identitetit kombëtar shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
FESTIVAL, MUZIKË, KONCERTE SHQIPTARE NË MICHIGAN
Festivali këtë vit pati një Paradë më të madhe në pjesëmarrje të grupeve artistike te cilat prezantojnë krahina te ndryshme po dhe grupe vallesh që i përkasin qendrave kulturore artistike këtu tek ne në Michigan. Gjithashtu pati dhe pjesmarrjen e Ilyrian Motorcycle që perbehet nga djem shqiptare me banim ne Mi. Gjithashtu një tjetër gjë e re dhe në rritje qe do te thosha qershia mbi tortë për këtë Festival ishte koncerti artistik. Performanca e mrekullueshme e grupeve pjesëmarrëse, larmia e valleve që u percoll me shume entuziazem nga qindra e mijëra shqiptare të diasporës të mbledhur aty atë natë.
RUAJTJA E TRADITËS KULTURORE SHQIPTARE DHE IDENTITETIT KOMBËTAR
Dëshira për tu rritur dhe mundësia qe kemi për ta bërë me te bukur dhe me te larmishem çdo vit nuk mungon nga organizatoret dhe specifikisht nga shtepia jonë e madhe që është Kisha e Shën Palit. Kështu qe vitin tjeter, dhe çdo vit në vazhdim, jam e bindur që do vijmë me shumë ide të tjera te bukura por gjithmone duke i ndenjur asaj më kryesores: Ruajtjes së traditës kulturore, artistike në art, si dhe në ushqimet tradicionale që janë një pjesë tjetër e rëndësishme e këtij organizimi. Perfitoj nga kjo pyetje qe te falenderoj dhe te mos anashkaloj asnjë nga ata që e bejnë vullnetarisht të mundur këtë angazhim madhështor: Këshilli i kishës së Shen Palit me ne krye Viktor Dedivanaj dhe Dom Fred Kalaj, Gjergj Lajçaj i cili është nje shtyllë e fuqishme së bashku me te gjithë ata zonja dhe zotërinj vullnetarë që pa u lodhur punojnë 3 ditë me rradhë që gjithçka të shkojë mirë e bukur.
FESTIVALI QË QUAN SHQIPTARINË
Vlera më e madhe e këtij festivali është pikërisht ruajtja e identitetit kombetar shqiptar. Bukuria më e madhe që ta mbush shpirtin plot është kur shikon aq shumë të rinj dhe të reja, fëmijë te lindur këtu që vijnë dhe i gëzohen aq shumë traditës dhe prejardhjes, gjyshërit e tyre me keq ardhje i kanë lënë trojet e veta: Shqipërinë, malësinë e Kosovën dhe sot nipërit e tyre i përcjellin me aq dashuri këtu në US. Kjo për mua është SUKSES e krenari dhe per këte duhet të ndjehemi krenarë dhe të realizuar të gjithë.
FETSIVALI SHQIPTAR NË MICHIGAN SI MARKË AUTENTIKE SHQIPTARE
Festivali shqiptar në Michigan ka shumë e shumë vite që është realizuar, malësorët e këtij komuniteti janë patriotë dhe që në fillimet e veta e kanë nisur ashtu me thjeshtësi e tashmë ky Festival është Marke autentike shqiptare. Absolutisht do jetojë, do trashigohet ndër breza. Sa të kemi këtë Qendër me njerëzit bujarë, patriotë dhe të palodhur trashigimia jonë kombëtare do jetë pa afat.
FESTIVALI SI GJENERUES E PËRBASHKUES VLERASH NË KOMUNITET
Festivali shqiptar në Michigan është gjenerues e përbahskues vlerash në komunitetin tonë. Pa diskutim qe eshte një mision i veçantë me qëllim për bashkimin, promovimin dhe suportin e komunitetit tonë. Në asnjë vend tjetër nuk shikon të mbledhur në një çati: Malësi, Kosovë, Shqipëri, duke shijuar diversitetet krahinore në vlerat tona kombëtare.
FESTIVALI QË PROMOVON TALENTET SHQIPTARE
Festivali shqiptar në Michigan është një ngjarje komunitare dhe ka një mision të shenjtë promovimin dhe ruajtjen e traditës sonë kombëtare. Në këtë aktivitet kulturor, patriotik e komunitar evidentojmë dhe promovojmë talentet e reja, artistët e veprimtarët e spikatur në komunitet, gjithashtu bizneseve shqiptare iu krijojmë mundësinë që të vijnë me oferta të reja te konsumatorët dhe komuniteti ynë në Michigan. Mendoj dhe jam e bindur që dhe shumë te tjere si une mendojnë që asgjë që ne bëjmë në këtë komunitet, dhe per këte komunitet nuk duhet ti shërbejë individit, por duhet ti shërbejë kauzës më të bukur që çdo njëri nga ne duhet të këtë: Ruajtjes së identitetit kombëtar, traditës, gjuhës e kulturë sonë kombëtare.