-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey M. Hovenier: ShBA-ja ishte mbështetëse e hershme dhe e zjarrtë e Pavarësisë së Kosovës. Kjo është arsyeja përse mbesim të patundur në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës/
-Para ardhjes në Prishtinë, Ambasadori i ri i emëruar i SHBA në Kosovë Hovenier në Dhjetor 2021 është pritur në takim në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA nga Kryetari Elmi Berisha/
-Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. I pranishëm në festën e hapjes së Zyrës Amerikane në Prishtinë në 5 Qershor 1996 shkruaja edhe kronikën: Flamur i shpresës për Kosovën…/
SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 4 Korrik 2022/ Në festën e Ditës së Pavarësisë së Amerikës – 4 Korrikut, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Jeffrey M. Hovenier, tha se ShBA-ja ishte mbështetëse e hershme dhe e zjarrtë e Pavarësisë së Kosovës.
“Kjo është arsyeja përse mbesim të patundur në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Prandaj, sot, përderisa festojmë 246 vite të ShBA-së si shtet i lirë, i pavarur, sovran, gjithashtu së bashku festojmë 14 vite të pavarësisë së Kosovës dhe përparimit të jashtëzakonshëm të arritur për këtë kohë kaq të shkurtë.
Nuk mund të mendoj asnjë vend më të përshtatshëm për të bërë këtë se pikërisht këtu – në ambasadën e ShBA-së në Kosovën sovrane, të pavarur dhe demokratike”, theksoi Ambasadori Amerikan Hovenier.
Në fillim të vitit 2022 Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Jeffrey M. Hovenier ka mbërritur në kryeqytetin Prishtinë dhe në 10 Janar mori zyrtarisht detyrën. Hovenier është nominuar për Ambasador në Kosovë në muajin Korrik 2021 nga Presidenti Amerikan, Joe Biden. Ambasada Amerikane në Prishtinë ka njoftuar më 28 Dhjetor 2021 se Hovenier është betuar si Ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë para Nënsekretares Amerikane e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland. Ambasadori i ri i emëruar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës më Kosovë, Jeffrey M. Hovenier në Dhjetor 2021 është pritur në takim në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA nga Kryetari Elmi Berisha.
Në Festën e madhe në Prishtinë të 246 vjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve ishin edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti.
“Atë që kanë bërë Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan për vendin tonë, për lirinë tonë, për të drejtën tonë për të ekzistuar dhe për çdo qytetar që e quan Kosovën shtëpi të vet, shkon përtej çdo partnetiteti që ka njohur ndonjëherë bota.
Më 4 Korrik, festojmë krahas popullit amerikan dhe kujtojmë vlerat e idealet mbi të cilat janë ndërtuar Shtetet e Bashkuara. Në këtë ditë, kujtojmë edhe të gjithë ata që nëpër dekada kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e miqësisë sonë të përjetshme”, është shprehur Presidentja Osmani.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se, Deklarata Amerikane e Pavarësisë ishte një kthesë e madhe në historinë botërore.
“Për herë të parë, një shtet po themelohej me thirrjen e qartë në nocionin iluminist për të drejtat e patjetërsueshme të individit. Siç shprehen baballarët themelues në rreshtin më të paharrueshëm të Deklaratës, ‘Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë të pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të Drejta të patjetërsueshme, si Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë. Për të siguruar këto të drejta, Njerëzit krijojnë Qeveritë, duke marrë Fuqitë nga miratimi i atyre që qeverisen’”, tha Kryeministri Kurti.
“Ndërsa ngremë një dolli për 246-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, le të ri-përkushtohemi për të mbrojtur themelin e filozofisë së saj politike.
Gëzuar 4 Korriku, me dëshirat më të mira për të ardhmen e ndritshme të kombit tuaj”, u shpreh Kryeministri i Kosovës.
Në Kosovë festohet tradicionalisht 4 Korriku, Dita e Pavarësisë së vendit të miqësisë së përjetshme dhe raporteve të veçanta – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të parat nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë që prej 26 vitesh dhe shtetin kosovar e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes para 14 viteve në 17 Shkurtin historik 2008.
Në 5 Qershor 2022 u bënë 26 vjet nga dita historike e të mërkurës së 5 Qershorit 1996 kur u bë hapja në Prishtinë e Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Më parë, në 12 Janar 1996, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm Amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra në Kosovë.
Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 Maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.
Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë në 5 Qershor 1996 u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum. Në hapjen solemne ishte edhe Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova bashkë me familjen.
Gazeta e rezistencës “Bujku” e ditës së enjte të 6 Qershorit 1996 në ballinë shkruante:
Dje në Prishtinë u hap Zyra e Agjencisë Informative Amerikane
“Jemi zotuar për të ardhem dhe lirinë tuaj”
-tha ambasadori Xhon Kornbllum, ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, i cili zyrtarisht e hapi zyrën, duke shtuar se kjo është një provë e interesimit të vazhdueshëm amerikan e një kontribut për nxitjen e dialogut. – Dr. Ibrahim Rugova: “Kjo është ditë historike për Kosovën”.
Raportimi vijonte në faqen 2, ku botohej e plotë deklarata që e kisha marrë nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova:
“Deklaratë e Presidentit Rugova
Ditë historike për Kosovën
Në deklaratën e tij me rastin e hapjes së Zyrës së USIS në Prishtinë, presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, tha se kjo është një ditë historike për Kosovën, për çështjen madhore të Kosovës, për popullin e Kosovës, për një zgjidhje paqësore dhe politike të çështjes së Kosovës në bazë të vullnetit politik të popullit. Falënderoj SHBA-të, presidentin Klinton, nënpresidentin Al Gor, sekretarin e Shtetit Kristofer, Kongresin Amerikan dhe të gjithë miqtë tanë në SHBA për këtë dhuratë të madhe për Kosovën dhe për rajonin në përgjithësi.”
Në faqen e parë botohej edhe raportimi me mbititull “Kryetari i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova priti Xhon Kornbllumin” dhe me titull e nëntitull: “SHBA-të do të angazhohen për të drejtat e popullit të Kosovës – tha Kornbllum duke ia përcjellë kryetarit Rugova zotimin e presidentit amerikan Bill Klinton”.
E në faqen 3 të gazetës së rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha e që dilte nga 18 Janari 1991 me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e që ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, atëherë të vetmen të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë, me titullin dhe nëntitullin
“Flamur i shpresës për Kosovën
(Kronikë e viteve që i paraprinë hapjes së Zyrës Amerikane në Prishtinë)”, shkruaja mes tjerash:
“Amerika në Kosovë, nga kjo e mërkurë, është e pranishme edhe me Zyrën e USIA-s.
Kjo për Kosovën ka shumë rëndësi e domethënie, prandaj shpesh quhet përfaqësi e mision diplomatik. Kështu, prezenca amerikane në Kosovë mori një formë institucionale dhe vlerësohet se kjo është shumë e rëndësishme për njohjen dhe afirmimin edhe më të madh të çëshjtes së Kosovës.
Flamuri amerikan, i shtetit më të fuqishëm në botë, vendit mik, dashamirës e përkrahës të shqiptarëve, prej dje valon në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, i ngritur lart e solemnisht në selinë e Zyrës së USIA-s, në një godinë të bukur të lagjes së Dragodanit, duke sjellë mesazhet më të mira të aspiratave të zgjidhjes e të paqes për Kosovën e rajonin.
Zyra e USIA-s në Prishtinë shënon edhe një hap përpara në konkretizimin e interesimit të vazhdueshëm amerikan për Kosovën dhe të pranisë së SHBA-ve në këtë zonë të rrezikshme të konflikteve politike dhe jo vetëm politike në Evropën Jugore….
Flamuri amerikan në Prishtinë, që valon prej dje, është flamur i shpresës për Kosovën. Deri tash të gjithë flamujt e vendeve të huaja janë ngritur si flamuj të okupatorëve.”
Në ceremoninë festive të hapjes së Zyrës Amerikane në Kosovë, në 5 Qershor 1996, isha edhe për të raportuar për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare, korrespondent i cilës isha që nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë. Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë nga Prishtina në Tiranë…
Pas 24 vjetëve – në 4 Korrik 2020, raportoja për Gazetën DIELLI të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, se Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, dhe Zonja Alison Kosnett, ishin nikoqirë të pritjes për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kur u zhvillua edhe ceremonia e përurimit të ndërtesës së re të Ambasadës Amerikane në Kosovë.
E në 1 Korrik 2009 Prishtina ndau truall për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ndërsa në 5 Maj 2015 u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit.
Ndërsa, në mëngjesin e pas mbrëmjes historike të 24 Marsit 1999 të ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën e popullin e saj, kam raportuar edhe se, forcat serbe gjatë natës kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, kishin djegur edhe zyrat që ndodheshin në një shtëpizë shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, dhe Zyrën Amerikane në Prishtinë.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) filloi të punojë në shtator të vitit 1999.
USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.
Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 14 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 Prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 Korrik, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.
Pak ditë pasi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ambasadore Kaidanow solli letrat kredenciale të emërimit e pritur në takim në 25 Korrik 2008 atëherë nga Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.
Ndërkohë, ushtarët amerikanë mbështesin KFOR-in qe më shumë se 23 vjet. Trupat amerikanë kontribuojnë në misionin e NATO-KFOR-it për të garantuar mjedis të qetë e të sigurtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Në 17 Maj 2021 është prezantar projekti për sheshin dhe shtatoren e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden në fshatin Sojevë të Ferizajt, pranë Kampit Ushtarak Amerikan “Bondsteel” në Kosovë.
Në Prishtinë – kryeqytetin e Kosovës janë ngritur tre shtatore të personaliteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është edhe Bulevardi me emrin e Presidentit Amerikan George Bush, te Katedralja Shën Nëna Terezë.
Në 1 Nëntor 2009 është përuruar Shtatorja e Presidentit Amerikan Bill Clinton në bulevardin me emrin e tij.
Në 12 Qershor 2019 në festimet e 20 vjetorit të lirisë së Kosovës u bë edhe përurimi i Shtatores së Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright në sheshin me emrin e saj.
Shtatorja e Senatorit Amerikan Bob Dole është përuruar në sheshin me emrin e tij në 30 Gusht 2020 në 30 vjetorin e vizitës historike në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës…